Parada gay, Berisha: Nuk e ndalojmë, jemi vend i lirë.

Nga Dinejda
Shkruar ne 26 Mar 2012 ora 2:49pm

TIRANË- Kryeministri Berisha gjatë mbledhjes së sotme të grupit parlamentar, ka reaguar edhe në lidhje me kërkesën e Ambasadës “Pink”, për të organizuar në 17 Maj në Tiranë një aktivitet me rastin e ditës botërore kundër homofobisë.

Sipas kryeministrit Berisha, Shqipëria është një vend i lirë dhe nuk pengon asnjë manifestim, i çdo lloji qoftë ai.

“Shqipëria është vend i lirë, nuk mund të mendojë kush se ne do kufizojmë manifestimet, demonstratat, ky është kusht i lirisë. Ne kemi miratuar një ligj dhe ai ka qënë i domosdoshëm. Është e vërtetë që pakicat në plane të ndryshme kanë nevojë për një mbrojtje ligjore”, tha kryeministri.

Ai u ndal të komentojë edhe deklaratat e kryetarit të partisë Lëvizja e Legalitetit, njëkohësisht zv/ministër i mbrojtjes Ekrem Spahia, i cili gjatë një interviste për Gazeta Shqiptare, ka thënë se partia që ai përfaqëson vlerëson vlerat e shqiptarëve si komb dhe e vetmja deklaratë që ka për këtë komunitet është “ti kap në hu”.

Sipas Berishës, deklarata e Spahias nuk është aspak mbretërore. Ai tha se asnjë parti shqiptare nuk ka platformë të sajën dajakun.
“Aspak përgjigje mbretërore, reagimi i Ekrem Spahias. Se dhe vetë janë parti e tolerancës dhe e kanë faktuar këtë. Ka qënë një teprim ajo e tija, nuk mund të bëhet fjalë që njerëzit të mos shprehim vetëveten. Orientimi i ndryshëm seksual është i lashtë sa vetë lashtësia, ekziston për hir të së vërtetës pavarësisht bindjeve fetare. Tirana është qyteti i tolerancës, vendi është vend i lirive të garantuara, ky është qëllimi ynë. Asnjë parti nuk ka dajakun platoformë”, komentoi ai më tej.

Ndërkohë që ditë më parë, organizatat që mbrojnë të drejtat e komunitetit LGBT në Shqipëri i kanë kërkuar kryeministrit të vendit shkarkimin e zv.ministrit të mbrojtjes Ekrem Spahia, pas deklaratës që ai ka bërë në lidhje me zhvillimin e paradës së gay-ve në datë 17 maj.