PASIONI NUK MJAFTON, DUHET PUNË, PUNË DHE SHUMË VULLNET

Nga Dorjan
Shkruar ne 30 Pri 2012 ora 2:41pm

Nuk rridhte nga një familje muzikantësh, por që kur ishte fëmijë, dëshira e prindërve ishte që ai të studionte një vegël muzikore. Kur mbushi 7-vjeç, filloi klasën e parë për violinë e më vonë pasi mbaroi të mesmen me rezultate të larta, vazhdoi Akademinë e Arteve të Bukura në Tiranë. Fatjon Hoxholli në tetor të 2003 u largua nga Shqipëria me studime në Itali. Sot atë periudhë e rikujton me nostalgji…

Pasion dhe vullnet

Para dy ditësh Shekulli e takoi Fatjonin në Tiranë, pas disa provave me pianisten Merita Rexha në TOB. Fatjoni nuk bën asnjë dallim mes skenës në Shqipëri dhe asaj jashtë. “Emocionet janë kudo prezente dhe për mua niveli i orkestrës është i lartë si brenda dhe jashtë vendit. Pavarësisht se është shumë strikte, për mua muzika lë hapësirë që çdo instrument t’i jap formën apo idenë që ai ka. Nuk mund të dalloj një  pjesë nga tjetra, apo një kompozitor nga tjetri”- thotë instrumentisti. Sekreti i suksesit sipas tij? “Pasioni po, por nuk mjafton. Duhet shumë punë dhe shumë vullnet. “Gërshetimi i të dyjave bën që unë të arrij atë që dua me violinën” – thotë Fationi.

Në Tiranë nuk e ftojnë…

Puna që bën atje ku jeton është shumë e ngjeshur, por nëse dikujt do t’i binte ndërmend në Shqipëri për t’i çuar ftesë për bashkëpunim, ai thotë se do ta pranonte me kënaqësi. “Mundësitë për të qenë pjesë e bashkëpunimeve me orkestrat shqiptare, atë të Radio Televizionit Shqiptar dhe atë të TOB-it kanë qenë shumë të pakta, sepse ftesat kanë munguar”- thotë me keqardhje. Por 32 vjeçari i lindur në Elbasan, megjithatë, ka me se të krenohet për veten…

Kush është sot Fatjoni

U perfeksionua në “Altenberg” në Akademinë Ndërkombëtare të Muzikës në Pinerolo. Në tetor të 2009 diplomohet dhe mori vlerësim special si solist në Konservatorin e Lartë të Zvicrës Italiane, Lugano. Ai është violinistët shumë aktivë si solist nëpër koncerte, në asamble të muzikës së dhomës dhe pjesëtar i orkestrave në “La Scala”, në Operën e Torinos dhe “I solisti di Pavia”. Për tre vjet me radhë ai vazhdon të perfeksionohet me Mjeshtrin Ilya Grubert. Për të ai është një mësues por edhe një shembull për tu ndjekur, sepse është fitues i çmimeve të rëndësime si Cajkovski.  Vetë Fatjoni është fitues i çmimit të parë në Konkursin Ndërkombëtar për Orkestrat e Harqeve në Vjenë.

 

Ka një violinë të 1728-s

Kur e takuam Fatjonin dy ditë më parë në Tiranë krahas bisedës me të na bëri përshtypje violina që përdorte. Ai mbante në duar një violinë të vjetër. Na tha se ishte një Paolo Testore e vitit 1728. Këtë instrument e ka marrë dhuratë dy vite më parë në Milano. “Ndonjëherë s’mund të zgjedhim ne se çfarë instrumenti do mbajmë në duar, sepse ndonjëherë zgjedhin të tjerët për ne. Mua më ra për fat një violinë e cila më jep dorë në punën që bëj”-thotë Fationi.

 

Thonë për Fatjonin:

Merita Rexha (pianiste)

Fationin ka qenë  student kur unë kam qenë koncert-maestre. Mbaj mend që e kam njohur në një koncert të Roland Xhoxhës. Rikthehet pas nëntë vjetësh. Kam qenë mese e bindur për cilësitë e Fationit, për mua është një nga violinistët më të mirë që ka nxjerr shkolla shqiptare. Ka një ndjeshmëri e një tingull shumë të bukur, është shumë bindës në lojë. Përdor një teknik shumë virtuoze dhe kjo është një nga mjetet që e plotëson atë për t’u shprehur në mënyrë më të plotë. Eksperienca e shkollimit në Itali e ka ndihmuar që të bëhet dhe më i rafinuar…”

 

JETA

Emri: Fation Hoxholli:

Mosha: 32 vjeç

Vendlindja: Elbasan

Vendbanimi: Itali-Zvicër

Familja: Familjen e tij e ka ende në Elbasan, dhe e viziton herë pas here. Nga biseda me të ndjejmë keqardhjen e  tij, që megjithëse ka marrë arsimim të mirë dhe disa çmime, në Tiranë nuk e ftojnë shpesh. Gjithsesi, ai vjen sa herë dëshiron të shohë prindërit dhe sa herë ish-kolegët e kërkojnë.