PD: KEMI PASUR 4 MILION TURISTË NË VIT NGA ÇDO KONTINENT I BOTËS

Nga Dorjan
Shkruar ne 24 Pri 2012 ora 8:07pm

Partia Demokratike reagoi me anë të zëdhënëses së saj pas tryezës së opozitës për turizmin. Edhe pse Rama tha se strategjia e turizmit do përgatitet pa kufij Shqipëri- Kosovë, PD deklaroi se Rama po fyen shqiptarët e Kosovës.

“Zoti Rama sot ironizoi turizmin duke e quajtur atë si etnik në një tryezë të mbledhur gjoja për Turizmin, por që në të vërtetë del se e ka mbledhur për skafet për të cilat ka paraqitur dhe ligjin për rikthimin e tyre. Lidhur me ironizimin e turizmit etnik nga ju zoti Rama, tregon thjesht mosmirënjohjen e tij ndaj atyre qindra mijëra shqiptarëve që vijnë gjatë verës nga rajoni dhe mbarë Europa për të kaluar pushimet duke shijuar dhe çlodhur me bukuritë mahnitëse të dheut të tyre të dashur. Ne jemi krenarë me ta dhe shumë mirënjohës për zgjedhjen që i bëjnë Shqipërisë për të kaluar pushimet dhe i sigurojmë se do të bëjmë edhe më shumë për t’i kënaqur sa më shumë ata. Partia Demokratike gjithashtu i kujton zotit Rama se nga 300 mijë turistë dhe vizitorë që erdhën në Shqipëri në vitin 2004, vitin që kaloi vendi priti mbi 4 milionë turistë dhe vizitorë dhe se miliona prej tyre vinin nga dhjetëra vende të të gjitha kontinenteve të botës. Kjo sepse Shqipëria pavarësisht nga balta dhe pluhuri që hidhni cdo ditë mbi të, është shpallur cdo vit nga agjencitë turistike më prestigjioze, si destinacioni turistik kryesor i planetit.

Bumi i jashtëzakonshëm turistik, pra rritja e numrit të turistëve, nga 300 mijë në vitin 2004 në mbi 4 milionë në vitin 2011, ndodhi pikërisht në vitet në të cilat kjo maxhorancë e shndërroi Shqipërinë nga Skafo-Republikë Socialiste, në të bukurën e dheut – Destinacionin kryesor turistik të botës,” thuhet në deklaratën e PD.