Pelinku: Dashuria… dhe pengu im i hershëm

Nga Dorjan
Shkruar ne 07 Qer 2012 ora 3:35pm

TIRANË- Vetëm mbetëm plako, të gjithë morën arratinë,fëmijët, nipërit, mbesat, nga sytë këmbët, sikur të ishte i mallkuar ky vend kaq i bukur!”. Drita Pelinku i thotë këto fjalë, në një simfoni heshtjeje në sallën e boshatisur të Teatrit Kombëtar. Ka kaq dhimbje në këto fjali, e Pelinku, përmes forcës së zërit të saj e përçon këtë ndjesi ndër ne. Monologu i saj, është pjesë e dramës “Përjetësisht dashuria”, shkruar nga Mihal Luarasi dhe nën regjinë e tij, në kuadër të “teatrit të tij të shqetësuar”. 

Një dashuri që përpiqet t’i sigurojë mbijetesën një çifti pleqsh të mbetur vetëm… Drita Pelinku dhe Vangjel Toçe, interpretojnë Zarinën dhe Dionin, dy të moshuar që i shkojnë ditët e fundit të jetës, të strukur humburazi në një shtëpi. Drama vihet në skenë nesër në mbrëmje dhe po ashtu të shtunë e të diel në orën 20:00. Ngjarja e saj zhvillohet brenda 24 orëve, ku Drita Pelinku e Vangjel Toçe, interpretojnë në rolet e Zarinës dhe Dionit. Gjithçka fillon me një ëndërr paralajmëruese, që i hap plagë të vjetra e vuajtje të reja Zarinës. Ata rikthehen në të shkuarën e xhelozisë, dashurisë dhe pasionit të pashuar. Mihal Luarasi, Drita Pelinku dhe Vangjel Toçe, vijnë nesër në mbrëmje në skenën e Teatrit Kombëtar me “Përjetësisht dashuria”, një pjesë dedikuar vetmisë së brezit të tretë. Pleq të vetmuar a pothuaj të harruar nga të bijtë, dhe fëmijë që bëhen gjithnjë e mëindiferentë për prindërit. Pelinku rrëfen emocionet…

“Përjetësisht dashuria” është drama që ju risjell në skenën e Teatrit Kombëtar bashkë me Mihal Luarasin. Si ju bëri për vete roli?
Bashkëpunimi i parë me regjisorin Mihal Luarasi ka qenë në dramën “Intrigë a dashuri”. Kam qenë në rolin e Luiza Millerit,
ku dominonte dashuria e dy të rinjve. Është pikërisht dashuria e këtyre dy të moshuarve që u jep forcë atyre, që të përballojnë të gjitha vështirësitë e jetës. Pra, dashuria është një eveniment kryesor në jetën e njeriut.
Pse ju ka mbetur peng kjo pjesë?
Kjo pjesë ishte shkruar enkas për mua dhe për arsye të ndryshme nuk u vu në skenë. Më mbeti peng kjo. Kur ma propozoi interpretimin e saj, ministri i Kulturës, z. Aldo Bumçi, me rastin e ditëlindjes sime dhe 50-vjetorit të jetës sime artistike, skenike e pedagogjike, për mua qe një e papritur shumë e madhe. Të them të drejtën, qe një dhuratë që nuk më ishte bërë asnjëherë. Prej asaj dite e deri më tani që po vihet, unë kam menduar për këtë rol, se si do të dilte.
Si është ky rol për ju?
Kam kaluar net të tëra pa gjumë duke e menduar këtë rol. E lexoja, e shikoja dhe e rishikoja se si duhej të ishte. Kam parë cilat janë të përbashkëtat e jetës së Zarinës dhej etës sime.
Ka ngjashmëri mes jush?
Po. Unë gjithmonë e kam thënë dhe e them, se besoj në Zot dhe se veprimet e mia udhëhiqen prej kësaj ideje, duke e pasur parasysh këtë. Edhe Zarina, personazhi kryesor i veprës, beson pafundësisht në Zot. Kjo është pika e mënyra se si lidhen këto dy jetë. Tjetra është dashuria, që unë thashë me lart: Dashuria për atdheun, dashuria për njerëzit. Kam një monolog ku Zarina thotë: Vetëm mbetëm plako,
të gjithë morën arratinë, fëmijët, nipërit, mbesat, nga sytë këmbët, sikur të ishte i mallkuar ky vend kaq i bukur. Këto fjalë e kjo dashuri për atdheun, por edhe malli për vendlindjen e largët, qe një pikë që afron personazhin me mua. Jam përpjekur që në çaste të tilla unë ta vë theksin tek mesazhi i duhur, në mënyrëqë t’i përçoj si duhet tek spektatori.
A e ka ndryshuar ditën tuaj kjo dramë? Ju ka kthyer sadopak në një rutinë të hershme, kur ardhjet në teatër qenë gjëja më e natyrshme që mund të bënit?
Për mua, skena është një magji, ka qenë dhe është e tillë. Pikërisht se është magji, unë ngjitem akoma këtu, pavarësisht moshës që kam. Është vetëm skena dhe magjia skenike ato që më japin forca të tilla që asgjë tjetër s’mund të m’i japë, asnjë mjekim apo ilaç tjetër.
A e keni ndjerë vetminë që ndjen personazhi juaj?
Unë nuk e ndjej vetminë, as braktisjen që ndjen personazhi im.Edhe pse im shoq nuk jeton më, kam vajzën, kam nipërit, kam mbesat, kam njerëz që kujdesen për mua. E kam ndjerë tek njerëzit që njoh, tek njerëz të fisit tim, që jetojnë vetëmdhe nuk i kanë fëmijët afër. Nuk dua të flas gjatë, sepse nuk dua të më keqkuptojnë, por sa herë që ulem dhe marr veprën në dorë për ta lexuar pa dashur më dalin para tablo të jetës njerëzore të këtyre njerëzve që kanë mbetur vetëm, që mezi presin të tringëllojë telefoni, që të dëgjojnë një zë, të flasin me dikë, sepse i kanë fëmijët emigrantë. Jeta e tyre e vetmuar është e dhimbshme. Njerëz që presin ndonjë haber, ndonjë zë, ndonjë bisedë, ndonjë fjalë në mes të vetmisë së tyre.