Përmbaruesi privat: Ja si më dhunoi drejtori i policisë Dibër

Nga Dorjan
Shkruar ne 17 Pri 2012 ora 4:18pm

BULQIZE - Ka shkuar për të ekzekutuar një vendim përmbarues në minierën e Bulqizës, por ka ndeshur në arrogancën dhe dhunën e drejtorit të qarkut të Dibrës, Shemsi Premçi.

Skandali i radhës me protagonist kryepolicin e Dibrës zbulohet këtë herë nga përmbaruesi gjyqësor privat, Baftjar Nela. Ai shprehet për NEWS24 se uniformat blu nën drejtimin e Premçit jo vetëm që nuk e mbështetën ekzekutimin e vendimit, një detyrim ligjor ky për policinë, por përkundrazi një i afërm i Premçit e dhunoi atë fizikisht, ndërsa vetë drejtori Shemsi Premçi përmes telefonit e ofendoi rëndë.

“Kur kemi shkuar atje, pas nja 5 ose 10 minutash kanë ardhur nja 5 persona me një Land Rover, ja mbaj mend dhe targën TR 7756 U. Në momentin që kanë zbritur kanë filluar duke shajt. Në këtë kohë, daja i Premçit më ka tërhequr, më ka grisur dhe këmishën. Në këtë rast mungonte policia e shtetit që duhet të më mbështeste mua në atë rast”- deklaroi përmbaruesi.

Për këtë rast përmbaruesi gjyqësor ka vënë në dijeni edhe kryeministrin e vendit si dhe ka informuar strukturat e Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Ministri, të cilat kanë nisur hetimin për këtë rast.

Ky është abuzimi i radhës i zotit Premçi me detyrën, që pason një sërë të tillash, të denoncuara prej kohësh nga NEWS24. Një ditë më parë kryepolici i Dibrës, duke marrë përsipër atributet e tatimorëve, prokurorisë dhe gjykatës, bllokoi në mënyrë të paligjshme 14 kamionë të tonazhit të rëndë të mbushura me krom, të destinuara për eksport jashtë vendit.