PËRMIRËSOHET SHËNDETI I ROLAND TREBICKËS

Nga Dorjan
Shkruar ne 03 Maj 2012 ora 5:48pm

Plot një vit më parë, publiku shqiptar u trondit jo pak prej një lajmi të keq që lidhej me një prej aktorëve më të dashur. Bëhet fjalë për Roland Trebickën, për të cilin u mësua se vuante prej një sëmundjeje të rëndë dhe për disa kohë u shtrua në një spital të specializuar në Francë. Plot pas një viti e shohim aktorin në oborrin e Teatrit Kombëtar, ku ai së fundi vjen për të kaluar kohë me miqtë e tij. Sipas kolegëve, ai ende nuk është kthyer në punë, në teatër, por tashmë është shumë më mirë me shëndet dhe herë pas here vjen në teatër për të takuar miqtë e tij. Një lajm ky tepër i gëzuar për të gjithë. Një aktor si Roland Trebicka e ka të vështirë t’i qëndrojë larg teatrit, ku ka krijuar personalitetin e tij artistik. Një vit më parë, lajmi i sëmundjes së aktorit erdhi tërësisht i papritur jo vetëm për publikun, por edhe për kolegët e tij të teatrit. Madje edhe për vetë aktorin, i cili në kulmin e karrierës së tij u detyrua të linte në mes serinë e shfaqjeve e veprës “Një tablo absurde”, shkruar nga Ferdinand Hysi dhe me regji të Milto Kutalit. Ndërsa nuk u tha asgjë për ndërprerjen e kësaj shfaqjeje, më vonë u mësua për sëmundjen e aktorit, i cili u çua për kurim në Francë, ku prej vitesh jeton një prej vajzave të tij. Në një kohë që nuk kanë qenë të paktë ata që i janë gjendur pranë familjarëve të tij, apo vetë Trebickës me lutje dhe me shpresë. Nuk ka munguar edhe ndihma financiare nga shteti. Me vendim të Këshillit të Ministrave u mbulua një pjesë e shpenzimeve për kurimin e aktorit. Me anë të këtij vendimi, në buxhetin e Ministrisë së Shëndetësisë u shtua fondi prej 4.700.000 lekësh për përballimin e shpenzimeve të kurimit të Roland Trebickës në Francë. Nga sa duket, kjo ndihmë nuk ka shkuar dëm dhe të gjithë i urojnë aktorit shërim dhe kthim sa më të shpejtë në skenën e teatrit.