Peshkatarët: Shteti të përcaktojë kufijtë ujorë me Malin e Zi

Nga Dinejda
Shkruar ne 01 Maj 2012 ora 1:01pm

SHKODER – “Ne kërkojmë që shteti shqiptar të na krijojë kushte të përshtatshme për punë. Nuk kërkojmë asgjë më shumë se përcaktimi i kufijve ujorë”. Kjo ka qenë kërkesa e Shoqatës së Menaxhimit të Peshkut, drejtuar institucioneve vendore dhe institucionit të Prefektes si përfaqësuese e Qeverisë shqiptare. Kjo kërkesë ka ardhur pas incidentit të ndodhur rreth 2 javë më parë, kur 8 peshkatarë shqiptarë u arrestuan nga policia malazeze, pasi kishin kaluar në ujërat territoriale të vendit fqinj. Prej vitesh, kufiri ujor mes Shqipërisë dhe Malit të Zi nuk ekziston. 
Një sy i lirë dhe që nuk e njeh zonën shikon një sipërfaqe ujore të tërë si pjesë e një shteti të vetëm. Pikat që dikur kanë qenë si orientim për të ndarë kufirin ujor tashmë nuk ekzistojnë më. “Prej më shumë se 15 vitesh kemi këtë situatë. Për ne ky fakt është shqetësues, sepse jetojmë duke peshkuar. Na duhet vija kufitare që të dimë deri ku kemi të drejtë të ushtrojmë profesionin tonë”,- pohon Arjan Çinari, i cili është dhe menaxheri i Shoqatës së Peshkimit.
Ai thotë se flet në emër të peshkatarëve profesionistë, të cilët dinë si ta ushtrojnë këtë zanat, por edhe paguajnë edhe të gjitha detyrimet ligjore nga shteti. “Derisa ne ia paguajmë të gjitha taksat shtetit, ky i fundit duhet të na plotësojë kushtet tona. Nëse e dëgjojnë kolegët tanë në vende të tjera se çfarë kërkesash kemi do t’u duken qesharake”, – shprehet Çinari. Sipas tij, peshkatarët shkodranë nuk duan të shkelin ligjet, përkundrazi, ata duan që të respektohen ato. “Ne duam vetëm komoditet pune, nuk duam që të bëjmë shkelje. Ne jemi të parët që kërkojmë rregulla dhe ligje, sepse ne jetojmë me peshkim dhe duam ndëshkimin e të gjithë atyre që duan të abuzojnë dhe të mos respektojnë detyrimet”,- deklaron menaxheri i Shoqatës së Peshkimit. Sipas tij, nëse do të ishin të qartë kufijtë ujorë nuk do të kishte pasur as ndalim të peshkatarëve nga policia e Malit të Zi. Institucionet e Malit të Zi ndaluan 8 peshkatarët në vendin e quajtur “Syri i Sheganit”, iu sekuestruan 4 varkat, dhe i vendosën gjobë prej 1 mijë euro secilit, pasi në pjesën malazeze atë periudhë ishte ndaluar gjuetia e peshkut, ndërkohë që në pjesën shqiptare vazhdohej ende të peshkohej gjatë atyre ditëve.