Pirro Milkani: Më shkarkuan se më akuzuan për liberalizëm

Nga Dinejda
Shkruar ne 28 Maj 2012 ora 6:27pm

TIRANE-Ka provuar shumë role brenda një filmi, jo sepse ka karrierë më të gjatë si aktor, por sepse i ka bërë të gjitha në kohë të ndryshme: aktorin, skenaristin, kameramanin, regjisorin… ndaj e njeh sheshin e xhirimit njësoj si shtëpinë e tij. Është nderuar me një mori çmimesh, por veçon atë që nuk ka nevojë për medalje e dekorata: dashurinë e një publiku që nuk ja ka kursyer kurrë duartrokitjet… Organizatori perfekt i një loje që nuk lejon gabime, babai që ushqeu me dashuri për objektivin edhe dy djemtë e tij, Enon dhe Gjergjin, quhet Pirro Milkani. Fati i filmave të artistit të popullit, ndryshe nga shumë filma të tjera, qe më i mirë, pasi një pjesë e mirë e tyre, u shfaq edhe në kinema të huaja. Numëron me dhjetëra perla të kinematografisë shqiptare, midis të cilave “Çifti i lumtur”, “Zonja nga qyteti”, “Shoqja nga fshati”, “Pranvera s’erdhi vetëm”, etj.
Cilat ishin fillimet tuaja në kinematografi?
Unë do ta quaj veten me fat, që jetën time ia kushtova kinematografisë. Sepse shumë djem dhe vajza që lindin dhe rriten me filmin, ëndërrojnë të bëhen kineastë, por unë pata fat shumë të madh. Unë iu futa studimit të kinematografisë, në Fakultetin e Filmit në Pragë të Çekosllovakisë, në një nga shkollat me një përvojë shumë të madhe dhe me një emër shumë të madh, nga ku dolën kineastë të shquar që bënë vepra të shkëlqyera. Disa shokë të mi që kanë studiuar në atë shkollë kanë bërë filma që janë vlerësuar me çmime ‘Oskar’. Mund të them që profesionalisht u përgatita mjaft mirë.
Po pastaj, përveç studimeve, pikënisja e karrierës profesionale kur ishte?
Mbas 5 vjetësh u ktheva në Shqipëri dhe në vitin l961 fillova punë si kameraman, si drejtor fotografie në disa filma dokumentarë shqiptarë dhe mbas një viti kalova në xhirimin e filmave artistikë. Deri në vitin l967 jam marrë me fotografinë e filmit. Kinematografia shqiptare është kinematografia më e re në Evropë. Filmat e para mms://media.chinaradio.cn/albanian/zhuanti/2-3.wma dokumentare janë xhiruar në vitin l947, ndërsa në vitin l952 është inauguruar struktura e kinostudios ku filluan të prodhohen më shumë filma dokumentarë dhe në vitin l957 është xhiruar filmi i parë artistik shqiptar. Ndryshimi midis detyrës administrative dhe asaj artistike ishte shumë i madh, ndoshta edhe për faktin se të dyja periudhat ku kam drejtuar kanë qenë shumë të vështira. Së pari, në vitet 71-73, pak para Plenumit të IV-t të Partisë dhe më pas në vitet 91-94, si drejtor i kinofikimit, ku në Shqipëri, përfshirë edhe filmin, gjithçka po merrte të tatëpjetën. Dukej sikur ‘të mëdhenjve’ u pëlqente që ne të grindeshim me njëri-tjetrin. Ja, unë kam pasur konflikte me Dhimitër Anagnostin e Viktor Gjikën, pavarësisht se ata e kuptuan më vonë që po bënin gabim me mua.
Shoqëria shqiptare e kohës duket se e ka vlerësuar kontributin tuaj në kinematografi…
Është e vërtetë, jam nderuar me shumë çmime, deri në titullin artisti i popullit. Çmimin e parë, urdhrin e Naim Frashërit, e kam marrë në vitin l967 për filmin “Oshëtimë në bregdet”. Kam marrë edhe çmime publike, jam nderuar si artisti i merituar dhe artisti i popullit.
Jeni vlerësuar, por nuk është se nuk e keni pësuar nga sistemi i kohës apo jo?
Ka sa të duash episode. Jam shkarkuar për liberalizëm edhe nga funksione administrative, siç ishte detyra e nëndrejtorit artistik të Kinostudios, për të mos folur pastaj për ndikimet e huaja. Kam shumë raste specifike që mund t’i ndaj me ju. Për shembull në 73-shin, filmi “Festa e madhe”, u akuzua për elemente të theksuara modernizmi. I gjithë sistemi ishte i përfshirë në luftën e klasave, ndaj edhe duhet analizuar me kujdes ajo kohë, sepse jo gjithçka nga ajo kohë duhet të mohohet, pasi kështu i bie të mohosh veten tënde. Nuk ishim vetëm ne, por çdo vend i Evropës Lindore. Ishin metoda të realizmit socialist këto. Filmi kalonte në shumë filtra, redaksi, këshilla, komisione, kolektiv krijues, madje duhet ta shihte edhe vetë Enver Hoxha, të paktën deri në vitin 1982, se më pas Enveri nuk shihte më filma. Shikimi po e linte dhe gjithçka ja kishte besuar Ramiz Alisë. Kështu ekzistonin të dyja, edhe censura, edhe autocensura. Edhe pse nuk kishte një zyrë të mirëfillte censurie, këtë rol e bënin të gjitha ato të mësipërmet.
Vinit nga jashtë… ishte e vështirë për t’u mësuar me këtë realitet?
Kur isha student asistova në një konferencë ku u ndalua vepra e dy regjisorëve të mëdhenj çekë. Iu mohua e drejta për të bërë filma, ama, pas rehabilitimit, po këto regjisorë bënë filma, që asokohe u nderuan me ‘Oscar’. Një lloj logjike ishte deri diku e pranuar:Unë jam shteti, të jap para për të bërë film, por s’mund të bësh film kundër meje. Por të paktën atyre ju dha një mundësi. Ndërsa këtu, në ngjarjet e vitit 1956, në Konferencën e Partisë së Tiranës, kur pati një revolt të studentëve, Viktor Stratoberdha, i mrekullueshmi i filmit “Skënderbeu”, u internua, u burgos dhe ashtu vdiq,i harruar, jo nga ne, njerëzit e profilit, por nga shoqëria, e cila nuk mundi ta nderonte siç duhej e siç meritonte.
Kur shënonin kulmin situatat ankthioze?
Në punë kam pasur shumë kënaqësi dhe shumë ankth. Shumë regjisorë fokusoheshin në një zhanër, në dramë, ose në komedi, në filma historikë e kështu me radhë, kurse unë i kam provuar të gjitha. Jam komentuar nga kritika për filmin “Kur zbardhi një ditë”, duke u akuzuar edhe për misticizëm. Finalja e Meços, rënia e tij, pas së cilës u shoqërua me një dritë, pati një lloj paralelizmi me vdekjen e Jezu Krishtit dhe për këtë arsye, ajo skenë u pre. Ishte Mantho Bala, zv.ministër atëherë.
Pastaj ishte filmi “Besa e kuqe”, me skenar të Vath Koreshit dhe Dhimitër Anagnostit. Ishte trajtuar një herë kjo temë në filmin “Heronjtë e vigut”, por asokohe filmi u ndalua jo për ideologji, por për dobësi artistike. Ramizi tha asokohe, të punohet edhe një herë dhe të gjithë nuk e merrnin përsipër, kështu që e mora unë. E punova me shumë dashuri dhe në pjesën kur Roza Anagnosti merr mesazhin e heronjve ku ishin lënë amanetet, momentet ishin shumë poetike, por në 11-të të natës erdhi urdhri për ta prerë këtë skenë dhe e gjitha kjo sepse Roza ishte vajza e një ish të përndjekuri politik dhe figura e saj nuk mund të lartësohej kaq shumë. Kina për shembull e kishte ndryshe. Personazhet e papëlqyer nuk dilnin të përshëndeteshin nga publiku në fund të filmit, ndërsa tek ne i hiqnin fare.
Po kështu edhe në filmin “Ballë për ballë”, ku i jemi lutur Xhelil Gjonit për të rimarrë në film Timo Fllokon, me kushtin që do t’i jepnim personazh negative. Në atë kohë Timo “përndiqej” prej xhaxhait dhe së shoqes dhe për ta marrë në film, duhet të interpretonte patjetër një figurë që përcillte dhimbje dhe trishtim. Për këtë arsye Timo nuk hyri kurrë në Pashaliman. Ne xhironim, ai rrinte në Vlorë dhe vinte vetëm në hyrje.
Edhe në komedi jam penalizuar, për shembull në finalen e “Çiftit të lumtur” kishte një puthje, por më rekomanduan të xhiroja edhe një pa puthje dhe në të vërtetë dubli i dytë u montua. E megjithatë filmi shqiptar, ashtu siç ishte ka shërbyer si dritare për Europën, për Kinën për shembull. Regjisori më i madh i tyre që xhiron kudo në botë thotë: Jam bërë kineast falë Shqipërisë, sepse ato filma kishin strukturën, poetikën… gjithçka, përveç konflikteve ideore që i viheshin veprës në kohë politike, ku fitonte gjithmonë e mira.
Jam i lumtur se sot të 300 filmat shqiptarë janë pasuri kombëtare se janë dëshmi e një epoke jo vetëm artistike, por edhe historike. Javës që vjen është “Java e filmit shqiptar në Romë”, ku do të shfaqen 7 filma të pas 90-ës, si “Vdekja e Kalit”, “Tirana viti 0″, “Kolonel Bunker”, “Trishtimi i zonjës Shnayder” sepse për fat të mirë filmin shqiptar të pas viteve ’90-të e shpëtoi cooproduksioni. Gjashtë prej këtyre filmave, përveç “Vdekja e kalit” janë bashkëprodhime. Ama, unë e di që kur të shkoj atje, nuk do më skuqet faqja para kolegëve të mi italianë, sepse ne nuk mbetëm një katund i vogël dhe një kinema provinciale.