PLATINI IDEON TURNEUN SUPER CHAMPIONS

Nga Dorjan
Shkruar ne 07 Pri 2012 ora 3:12pm

Mishel Platini ka vendosur të revolucionarizojë turnetë e klubeve në arenën ndërkombëtare dhe planifikon që nga viti 2016 të fillojë zhvillimi i një aktiviteti të vetëm që do të quhet Super Champions.

Ky aktivitet do të shkrijë së bashku Ligën e Kampioneve me Europa League, duke u dhënë mundësinë 64 skuadrave të marrin pjesë në fazën e grupeve dhe jo 32 siç ndodh aktualisht në Ligën e Kampioneve.

Kuptohet që kampionatet e mëdha do të vazhdojnë të jenë më të përfaqësuarat në këtë aktivitet, ku Spanja, Anglia, Gjermania dhe Italia do të kenë nga 6 ekipe pjesëmarrëse. Nëpërmjet formulës së re do të përfitojnë më shumë hapësirë dhe shikueshmëri skuadrat e vendeve më të vogla, si Rusia, Ukraina apo edhe shtete të tjera.

Sipas gazetës gjermane “Bild”, kjo është zgjidhja që ka propozuar Platini për të ulur dominimin shumëvjeçar të të njëjtave skuadra, sidomos atyre spanjolle, si dhe t’i japë fund interesit të pakët që gjeneron Europa League.

Platini kërkon mbështetës për idenë e tij dhe duket se mund t’i sigurojë ato falë rritjes së vendeve në fazën në grupe të këtij turneu, ku të ardhurat e vendeve të vogla do të rriten automatikisht dhe skuadra si APOEL apo Bazel mund të shihen më me vazhdimësi në fazën e eliminimit direkt të turneut.

Kjo strategji për të favorizuar vendet e vogla do të garantonte njëkohësisht edhe rizgjedhjen e tij në postin e presidentit të UEFA-s për shumë mandate, pasi vendet e vogla janë pikërisht ato që vendosin për fitoren e një kandidat, sepse kanë të drejtën e një vote, po aq sa Spanja, Gjermania apo Anglia.