Plazhi i Gjeneralit, kodra dhe amfiteatri që zbresin drejt bregut

Nga Dinejda
Shkruar ne 03 Maj 2012 ora 1:54pm

Dikur ky fshat njihej vetëm për historitë rrëqethëse që shkruante koha e regjimit komunist nën diktaturën e saj të burgut, por sot ky vend njihet edhe për ekzistencën e këtij plazhi të bukur e përrallor. Ai u bë i njohur nga pushuesit, vendas e të huaj, vetëm në dhjetë vitet e fundit.
Image hosted by servimg.com
Vetëm pak kilometra larg kryeqytetit, në një zonë turistike të gjirit të Durrësit, ndodhet plazhi i “Gjeneralit”. Pak veta mund të dinë për të, shumë të tjerët nuk dinë as nëse ekziston një i tillë. Ai ndodhet në periferi të qytetit të Kavajës, e pikërisht në fshatin Bardhor. Dikur ky fshat njihej vetëm për historitë rrëqethëse që shkruante koha e regjimit komunist nën diktaturën e saj të burgut, por sot ky vend njihet edhe për ekzistencën e këtij plazhi të bukur e përrallor. Ai u bë i njohur nga pushuesit, vendas e të huaj, vetëm në dhjetë vitet e fundit. Më parë askush nuk e dinte se fare pranë tyre shtrihej madhërishëm një perlë e tillë natyrore.

Një plazh i rrethuar me det dhe gjelbërim që mbushin kodrinat e ulëta të Bardhores. Pavarësisht se shumë i bukur, do të mbetej në kujtesën e kujtdo për pak kohë për pastërtinë e ujërave larg zonave të ndotura, dhe kodra të gjelbra si shkallë amfiteatri që zbresin drejt bregut. Dhe kjo deri sa të kalojë në një zonë tjetër që të të imponohej me bukuri të tjera…Po këtu në Bardhore do të ndeshësh diçka të veçantë që s’do të të shkulet mbase kurrë nga kujtesa: Është një plazh me emër ushtaraku “Gjeneral” dhe që në hyrje të kompleksit plazhor ka të vendosur një minë detare mjaft të madhe. Dhe në fund të plazhit, si pikë e mbarimit të distancës, është vendosur një bunker i prodhimeve të ushtrisë në vitet e bunkerizimit, 1975-1980.

Hyrja është në pjesën jugore të plazhit, i cili si gji ka një gjatësi prej 500 metrash dhe thellësi 50-60metra. I ngjashëm deri në një farë mase me plazhin e rërës së hedhur në Shëngjin. Në pjesën veriore të tij ndodhet një bunker ushtarak, pra e gjithë sipërfaqja duket se i përket një rajoni militar. Aq më shumë se në vitet e socializmit pak kilometra më lart, në kodra, përveç reparteve të shumta të ushtrisë, ndodheshin edhe forca policore për të mbajtur nën ruajtje burgun e Bardhores, i cili ndodhet tashmë i shkatërruar plotësisht dhe jashtë çdo funksioni. Një plazh i bukur dhe një muze në natyrë njëkohësisht.

Si lindi dhe pse mban këtë emër?!

Këdo do ta mundonte kërshëria se nga e mori emrin “Gjeneral” plazhi i Bardhores. E kisha dëgjuar edhe nga banorët, por për historikun e këtij emri qe më i saktë Shefqet Kërcelli, ish- komandant i Regjimentit bregdetar në këtë rajon gjatë viteve të izolimit. Ish- komandanti Kërcelli gjatë një prononcimi për “Agon” tha se “këtu vinte dhe pushonte një ushtarak i lartë fashist në kohën e pushtimit të vendit tonë nga Italia. Ai e kishte vend të preferuar edhe për shkak të ujërave të thella, largësisë nga zonat e banuara, dhe vendit ideal për peshkim me grep”.

Madje, si amator peshkimi, vendasit thonë se këtu vinte edhe “gjenerali” tjetër i skenës dhe ekranit shqiptar, aktori i madh durrsak Guliem Radoja. Por, “gjeneral” Guliemi vinte pa shpurë. Vetëm me biçikletë dhe pak kohë më vonë me një motor të vjetër…Për gjeneralin Italian, nga ku mori emër i gjithë plazhi, vendasit thonë se qe i thyer në moshë, madje ka disa zëra që thonë se është ndara nga jeta në këtë vend. Sidoqoftë, historia e emrit të plazhit, mina detare amerikane e vendosur në hyrje dhe bunkeri në dalje të tij, sikur të japin idenë e veçantisë dhe qetësisë. Po kështu edhe dy zemrat të skalitura në rërë sikur marrin tone më të larta për bukurinë e lirizmin pranë dallgëve të kaltra të plazhit “Gjeneral” të fshatit Bardhore.

Plazhi Gjeneral, kodra amfiteatri që zbresin drejt bregut
Mina

Mina e ndryshkur që ekziston vetëm si karakasë është me një diametër rreth 1.5 m dhe e prodhuar me ribatina, teknologji që i përket viteve të para luftës së II-të Botërore. Specialistët thonë se ajo i përket prodhimit amerikan dhe janë sjellë në Europë gjatë luftës së II-të. Në Adriatik ardhja e tyre mund të jetë bërë kryesisht për mbrojtjen e rajonit të Barit nga diapozitivi ushtarak gjerman në Mesdhe. Në këtë port ushtria Amerikane kishte sjellë një arsenal të madh me armë kimike për t’i patur në gatishmëri si kundërpërgjigje ndaj ndonjë goditjeje eventuale me armë kimike nga forcat e Raihut. Mina është e tipit të prodhimit MK6, të llojit mina me spirancë. Ato zhyteshin në thellësi të detit dhe kur mjetet lundruese këpusnin telat e zgjatur prej saj shpërthente. Në raste të veçanta mina të tilla hidhen dhe me parashuta. Ajo ishte tepër e fuqishme pasi mbante rreth 400 kg eksploziv të tipit RDX, por edhe me mbushje si T4 ose EXOGEN.

Sezoni turistik

Sa herë që Komuna e Syneit në Kavajë, nën mbrojtje të së cilës është edhe ky plazh, hap sezonin e saj turistik ngado vërshojnë të rinj e të reja jo vetëm të shkollave 9-vjeçare dhe të mesme të Kavajës, por edhe nga shkolla të ndryshme të qytetit të Durrësit. Rruga që të çon në këtë plazh është thuajse e përfunduar mungon vetëm një pjesë fare e vogël, të cilën bashkia e Kavajës, ka marrë iniciativën që ta shtroj këtë vit.

Aty gjithashtu nuk mungojnë as vizitorët vendas e të huaj të cilët pasi sodisin ambientet e mrekullueshme që ka ky peizazh i natyrës, marrin (me anë të fotografive), me vete edhe shijen e bukur që të lë ky ambient. Ata bëjnë fotografi edhe pranë bunkerit tashmë me kupolë të rrënuar, por ideja e fshehtësisë sikur ekziston ende në mjediset e plazhit. Në rërën pranë bunkerit një çift të rinjsh sikur kanë dashur të nënshkruajnë një marrëveshje dashurie dhe kanë gdhendur 2 zemra njëra prej të cilave i përket një vajze. Emri i personazhit tjetër mbetet i fshehtë, sikur kërkon t’i ngjaj edhe historisë që mbart ky bregdet i rrallë.

Ky plazh i bukur të ofron edhe gjëra të tjera interesante që s’i ndesh në komunat fqinje. Me vendim të veçantë në plazhin e Bardhores nuk jepen leje ndërtimi për banesa me gurë. Lejohen vetëm vila prej druri.