PLL: Policia të mos japë leje për zhvillimin e paradës gay

Nga Dinejda
Shkruar ne 15 Maj 2012 ora 6:25pm

TIRANË- Partia Lëvizja e Legalitetit kërkoi sot nga Policia e Shtetit që të mos japë leje publike për zhvillimin e paradës homoseksuale të 17 majit në Tiranë, sepse sipas saj, “manifestime të tilla cënojnë moralin e shoqërisë shqiptare”.

Gjatë një konference për shtyp, Kryetari i PLL-së, Ekrem Spahia tha se, “nga koha e hapjes së debatit për paradën e LGBT-ve në Tiranë e deri më sot, PLL ka konstatuar se shumica dërrmuese e shoqërisë shqiptare është kundër presionit të një grushti njerëzish të cilët po përpiqen për të përhapur fenomene të dëmshme për shoqërinë shqiptare e që bien ndesh me moralin tonë shoqëror por edhe më gjerë”. 

Sipas tij, “Para se të mendojmë për pushtetin apo shijen që mund të lemë në korridoret e ndonjë kancelarie, ne i qëndrojmë besnik bindjeve tona dhe interesave afatgjata të qytetarëve shqiptarë”, tha ai.

Spahia tha se PLL e mban këtë qëndrim jo thjesht se është parti konservatore, por edhe pse jemi të bindur se homoseksualizmi prodhon pasoja të rrezikshme për shoqërinë tonë. “Ne nuk mund të pranojmë që degjenerimi të na imponohet si emancipim dhe “të drejtat” e një grupi fare të vogël të cënojnë të drejtat e pjesës dërrmuese të shoqërisë”, tha ai.

“Duke qenë kategorikisht kundër homoseksualizmit si stil jetese, ne ndjejmë keqardhje për personat që vuajnë nga devijime seksuale. Duke qenë të bindur se këto janë sjellje të fituara dhe jo të lindura, është detyrë e institucioneve shtetërore që karshi tyre të ofrojnë ndihmë të kualifikuar farmakologjike dhe psikologjike. Gjithashtu, në raport me shoqërinë dhe “të drejtat” e tyre, besojmë se për ta është e mjaftueshme politika amerikane “Don’t ask, don’t tell” (Mos pyet, mos trego)”, tha Spahia.