Pogradec, çmimet e larta, pazari tani bëhet në Maqedoni.

Nga Dinejda
Shkruar ne 18 Maj 2012 ora 5:27pm

POGRADEC -Çmimet “e çmendura” në Shqipëri janë shoqëruar me një fenomen të ri i cili po shoqëron Pogradecin dhe Korçën prej shumë ditësh. Banorët e këtyre qyteteve e më gjerë kanë filluar të bëjnë pazarin në Maqedonisë. Strugë, Ohër, Resnjë e Manastir janë qytetet që shqiptarët kanë zgje-dhur për të blerë ushqimet apo edhe artikuj të tjerë.

Dogana e Qafë-Thanës, Tushemishtit dhe ajo e Goricës kanë filluar të kenë fluks në kalimin e kufirit. Nevzat Karaj nga Rrajca e Librazhdit pohoi për “Gazeta Shqiptare” se diferenca e çmimeve në vend me ato në Maqedoni janë si nata me ditën. “Vetëm po të llogaritësh ushqimet, kursehen shumë lekë. P.sh, një kg sheqer tek ne është 120 lekë kurse në Maqedoni vetëm 37 dinarë, e kthyer në kursin tonë, 80 lekë, pra 40 lekë më pak se këtu. Vaji, që e përdorim çdo ditë, këtu kushton 230 lekë ndërsa në Maqedoni e blen për 60 dinarë (130 lekë shqiptare). Po kështu, djathi në kuti 190 dinarë e barabartë me 400 lekë shqiptare, ndërsa në dyqanet tona ushqimore të njëjtën kuti me djathë e blen 600 lekë të reja!”, – përfundon banori i Librazhdit. Gjithashtu, diferenca të mëdha në çmime kanë edhe mielli, gjalpi, mishi, etj. Në doganën e Qafë-Thanës duket një grua tjetër e moshuar nga Pogradeci e cila ka në çantë 4 kg makarona të ndryshme të blera në Ohër. “Kemi filluar të mësojmë tregjet maqedonase. 

Te shumica, te parkingu i Ohrit i kam blerë makaronat vetëm për 190 dinarë”, – tregon e moshuara. Banorët që gjetëm në doganë na tregojnë edhe çmimet e produkteve të tjera si frutave, perimeve ku përsëri diferenca vazhdon të jetë shumë e lartë. Ata njëzëri pohojnë se të bësh pazarin e ushqimeve në Maqedoni të kushton më lirë duke u ankuar se tregtarët shqiptarë po na “rrjepin” lëkurën. Të indinjuar tregojnë që krizë ka gjithandej, por vetëm në Shqipëri abuzohen dhe rriten çmimet pa kriter. Në të njëjtën kohë, banorët e zonës edhe karburantin e marrin në shtetin fqinj pasi sipas pohimeve të tyre atje është rreth 40 lekë më lirë për litër. “Nuk kemi mundësi, por po të mundnim edhe shtëpitë do t’i zhvendosnim andej”, – kanë përfunduar qytetarët shqiptarë.