Policia e Shtetit: Ja masat e marrë gjatë sezonit turistik.

Nga Dinejda
Shkruar ne 07 Maj 2012 ora 11:13am

TIRANE- Policia e Shtetit nëpërmjet një deklarate për media bën me dije masat që ky institucion ka marrë për të sezonin turistik. Zëdhënësja Klejda Plagngarica njofton se këto masa janë ndërmarrë për garantimin e rendit dhe të sigurisë publike, por edhe për krijimin e lehtësirave të nevojshme për qytetarët e huaj që udhëtojnë drejt Shqipërisë për qëllime turistike. 

“Në kuadër të këtyre masave, shërbimet e policisë në të gjithë vendin janë porositur, që në rast konstatimi të kundravajtjeve administrative në fushën e qarkullimit rrugor të kryera nga shtetas të huaj, që udhëtojnë për qëllime turistike në vendin tonë, do t’i komunikojnë drejtuesit të mjetit shkeljen e kryer dhe do ta këshillojnë atë. Ky këshillim do të bëhet me qëllimin e tërheqjes së vëmendjes së drejtuesit të mjetit për respektimin e rregullave të qarkullimit rrugor, me synim rritjen e sigurisë në rrugë”, thuhet në njoftim.

Kundravajtjet e shtetasve të huaj, sipas Policisë së Shtetit do t’i dërgohet Përfaqësive Diplomatike dhe konsullore të akredituara në vendin tonë dhe Drejtorisë Konsullore në Ministrinë e Jashtme. Për shtetasit Kosovarë ky raport do t’i dërgohet Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimit Policor të Kosovës.
“Në ato raste kur shtetasit e huaj, që udhëtojnë drejt vendit tonë për qëllime turistike, do të përfshihen në incidente, ngjarje apo aksidente rrugore, ndaj tyre do të zbatohen kërkesat e parashikuara në Kodin Penal, Kodin e Procedurës Penale dhe Kodin Rrugor”, thuhet më tej në deklaratë

Gjithashtu Policia e Shtetit, për t’i ardhur në ndihmë qytetarëve, ka bërë të mundur verifikimin online të kundravajtjeve rrugore të kryera gjatë përdorimit të mjetit, të cilat janë akoma të palikujduara.