Pranga 3 shqiptarëve, trafikonin lëndë narkotike në Gjermani

Nga Dinejda
Shkruar ne 31 Maj 2012 ora 6:28pm

TIRANË- 3 shtetas shqiptarë janë arrestuar sot për llogari të drejtësisë gjermane, nën akuzën e trafikut ndërkombëtar të narkotikëve.

Në një konferencë për shtyp, zëdhënësja e Policisë së Shtetit, Klejda Plagarica bëri me dije se të arrestuarit janë: Devis Vasil Lushnjari, 36-vjec banues në Tiranë me detyrë përmbarues privat, Armando Agim Cakjaj 37-vjec, banues në Tiranë, dhe Orest Kristo Tabako 32-vjec banues në Lushnjë. 

Mësohet se me  date 10 mars të vitit 2010 nga Policia Gjermane është sekuestruar një ngarkesë prej rreth 232 kg marijuanë, në kamionin me targa TR0813T dhe TR1914S, si dhe është arrestuar shtetasi shqiptar Kletian Kola. Gjatë ecurisë së hetimit ka rezultuar se ky shtetas ka bashkëpunuar për trafikimin e kësaj lënde narkotike drejt Gjermanisë me 3 shtetasit e sipërcituar.

Arrestimi i tyre u bë i mundur nga Drejtoria Kundër Narkotikëve dhe Trafiqeve në Policinë e Shtetit në bashkëpunim me Prokurorinë për Krimet e Rënda, si dhe Autoritetet Doganore dhe Policinë Gjermane, të cilët finalizuan me sukses operacionin Ndërkombëtar ”Magnum-Al”.

Bazuar në materialet e grumbulluara nga strukturat e Policisë së Shtetit dhe të Prokurorisë, në kuadër të këtij procedimi penal, nga Gjykata e Krimeve të Rënda është vendosur masa e sigurisë arrest me burg ndaj tyre.