Predikues në terren të mallkuar

Nga Edmond Prifti
Shkruar ne 01 Maj 2011 ora 10:05am

Ndodhej në një terren të mallkuar. Femrat ishin një rrëfim i gjallë, ngjethës dhe pa kompromise, i një jete të jetuar në zgrip – i një poeme me kahe ekstreme, rreth dashurisë dhe dhimbjes. Vetë autori i romanit “Femrat”, Bukowski, do të thoshte: “Gjëja më solide është të ekzistosh thjesht për hesapin tënd, pa lëmoshën e politikanëve apo të Zotit”. Shkurt. Në qoftë se do hyje, duhet të mbaje me vete edhe “turpin e autorit”…

Ajo që po ndodhte ato çaste ishte diçka e vërtetë, aq e vërtetë sa mund ta prekja me dorë, ta ndieja në çdo pjesë të trupit tim dhe për më tepër me një femër njëzet vjet më të re se unë dhe jashtëzakonisht të bukur. S’bëra as dhjetë pompa dhe…veç kur ia derdha brenda. Lidia kërceu përpjetë. “Ma derdhe brenda, mor këlysh kurve!”… Jeta e këtij personazhi 50-vjeçar, Henri Kinaski, i përngjan autorit të këtij libri, Charles Bukowski. Një postier të dikurshëm, tejet mjeran, i cili tregoi aventurat e një jete plot ekstazë. Shpesh, po aq e mërzitshme sa edhe të vjellat e përditshme mes avujve të birrës dhe uiskit, injoruese, moskokëçarëse dhe po aq aventurore me femrat. Por ishte vetvetja. Të gjitha femrat që kishte njohur gjatë jetës ose kishin qenë kurva, ose ish-prostituta, ose të çmendura. “Femrat”, është pikërisht romani që mund të lexohet pa dhënë grahmën e fundit fitili i qiriut apo i llambave kineze jetë-shkurtra. Stili i tij i përngjan herë Henri Milerit, dhe herë Heminguejit, me atë ritmin frenetik të jetës, duke shpalosur haptazi marrëdhëniet komplekse me seksin e bukur.

Pikërisht ky roman, “Femrat”, iu dhurua lexuesve për herë të parë nga përkthyesi Virgjil Muçi, në vitin e mbrapshtë ´97, ndërsa një vit më pas për këtë roman, ai do të merrte “Pendën e argjendtë”, nga Ministria e Rinisë, Kulturës dhe Sporteve, i pari titull i akorduar për një “Autor Rrugaç” si Bukowski. Ka njerëz që jo vetëm poezitë, por edhe tregimet e një shkrimtari i kujtojnë si asgjë tjetër, veçse fluturimit të pëllumbave të bardhë dhe perëndimit të diellit. Ka auditorë të tillë që zgërdhihen pikërisht atëherë kur duhet të bëjnë të kundërtën. Por ai lëngun e portokallit e përziente me lëngun e jetës: alkoolin. Kishte vaginën e Liljanës së divorcuar dhe të çmendur me sytë si lavjerrës, ashtu si edhe atë të Lidias. Ai, përveç të tjerave, ishte një shkërdhyesmbrëmjesh hera-herës i mrekullueshëm dhe direkt. Ish postieri, duhet të ishte burri më i keq dhe shkrimtari më i madh. Lidia, ajo gjysmë e çmendura, kishte maninë e shtrydhjes së puçrrave të mëdha, të zeza dhe me bishta të verdhë e të trashë. Ajo ia shtrydhte atij në të gjitha kuptimet. Dy ligavecë. Ai – në timonin e një Mërkuri Komet ’62 dhe po i drejtohej fundit të jetës. Merrte veçse 65 dollarë në javë, ndërsa shkrimtarët e tjerë të paaftë 1000 jeshile. Kështu, mundohej t´ja dhiste vdekjes. Henri Kinaski sërish tapë dhe të vjella… udhëtime dhe femra… shtëpi shkërdhatash. Kishte përreth njerëz që nuk e donin dhe e vlerësonin. Të tjerë – si ai që shiste te qoshja libra pornografikë – e linin te dera gruan, siç ishte Valeria. Sërish femër. Lidia. Ajo dhe të tjera zuska si ajo, çmendnin të tjerët ashtu siç kishin çmendur dikur veten e tyre. Shpesh shkrimtarit i dukej vetja si qenia më e kotë dhe më e trishtë e kësaj bote. Kishte rënë në dashuri. Sërish shishe bire dhe uiski dhe femra të shkërdhyera nga të gjitha anët. Ato nuk i hante meraku se shkrimtari një ditë do të vdiste nga të tëra ndyrsillëqet e jetës, por fakti që do ngeleshin pa dashnor dhe pa dikë që do t’i tundte. Pijen s’e tradhtonte dhe nuk ia dridhte, atyre po… I dehuri dhe të çmendurat. Por dikush me siguri, do t’i tundte ato pas tij. Mos vallë ai i donte gjithë ato zuska ngaqë kishte frikë nga dashuria? Një pusullë lamtumire me kaligrafi të një të çmendure dhe një palë brekë me ngjyrë të kaltër pranë tyre. “Shih brekët e mia dhe bjeri me dorë kur të ma ndjesh nevojën!”. Kështu i dha “lamtumirën” herën e parë Lidia…

Parathënie zemre

Në vitin 1998 kur emri i Virgjilit u thirr si fitues i titullit “Penda e argjendtë”, do dëgjoheshin ca klithma prapa kurrizit të tij dhe shumë psherëtima. Fatos Baxhaku do të ishte i vetmi i cili realizoi asokohe një intervistë me të, por më tepër u ndal në fenomenin social, se sa në librin… A ishte ndikuar ndopak Virgjil Muçi, përkthyesi i këtij libri nga jeta e personazhit Henri Kinaski?! Virgjili, pas këtij romani nxori nga shtypi një libër me poezi erotike që pati jo pak debate, i titulluar “Këpucë tek”. Të gjithë filluan të shihnin te ai një stil të erotikës së çunakëve të Shqipërisë. Po çfarë ndodh me këtë lloj të veçantë të letërsisë shqipe – Erosin?! “Asaj i mungojnë frazat, shprehjet… liria”, thotë përkthyesi i veprës “Femrat”, i autorit Charles Bukowski, njëkohësisht presidenti i shtëpisë botuese “Korbi M&M”. Sipas Virgjil Muçit, letërsia shqipe, së paku, deri në daljen e romanit “Femrat” ishte paradoksalisht në të njëjtin moçal me atë të periudhës komuniste. “Tejet skematike. Ideologjikisht, vetëm kahe të pafundme. Fatkeqësisht, edhe sot shihet si mjet i propagandës ashtu si edhe dje… ndërsa sot, i asaj demokratike. Biologjikisht ende nuk janë profilizuar dhe mbajnë mbi supe dekoratat e dikurshme, si dikur ato të Artistit të Popullit – një titull i diktaturës… dhe aspak për krijimtarinë e tyre artistike”. Me pak fjalë, kurrë nuk mund të jesh “Hero i Punës Socialiste” dhe të jesh i djathtë në demokraci. Përkthimi i kësaj vepre do t´i kushtonte rreth dy vite nga jeta e tij, asokohe kur Virgjil Muçi punonte pranë Fondacionit SORROS. Një ndjekës i “shkollës Noliane”, ashtu si ai dhe deri te Petro Zheji, Muçi do të shqipëronte përkthimet me anën e përshtatjes në gjuhën shqipe. Të tjerët e kanë konsideruar këtë teori si një formulë të gabuar. Dhe ndërsa flet me Virgjil Muçin të vjen ndërmend se si shkrimtari i madh, Milan Kundera, do t´i kërkonte llogari një përkthyesi pas një takimi me të në Paris, ku vërejti se ky i fundit bënte gabime të shumta në gjuhën frënge. Dhe përgjigja e tij ishte: “I përkthej me zemër”, duke shpëtuar nga një skandal që mund të merrte përmasa të jashtëzakonshme për shkak të së të drejtës së autorit.

Kur Virgjili u njoh me Femrat

Bukowsk-in nuk e njihte dikur dhe as nuk e njohu ndonjëherë personalisht. Në vitin 1993 Virgjil Muçi ishte punonjës i Fondacionit SORROS, kur një miku i tij amerikan i sjell librin “Woman”, të cilin ai preferoi ta përkthente më vonë nën konotacionin “Femrat”. Ndoshta për një arsye apo një tjetër, përkthyesi mendoi se termi “gratë” do të merrte një kuptim tjetër në gjuhën shqipe, pasi ato janë të martuara. “Seksual dhe estetik si term i përdorur”, shprehet Muçi. “Të përktheje në vitin 1993 ishte kuturisje në shtigje të palëvruara. Duke iu kërkuar ndjesë lexuesve të revistës ONE për mosmodestinë time, hapa një fushë të re, në atë që konsiderohej zhargon rruge apo i rrugaçëve. Më duhet të shqipëroja fjalët e pista…”. Por a do haste vështirësi përkthyesi gjatë punës së tij dy-vjeçare në këto terma të quajtura “rrugaçllëqe”? “Sot dëgjon tekste këngësh dhe s´të bën përshtypje. Ishte një terren i mallkuar dhe në qoftë se hyje aty do të duhej të mbaje me vete edhe turpin e autorit. Për dy vite e ca punova me tekstin. Duhet të bëhesha i paskrupullt, duke pasur gjithmonë në trurin tim mendime se vija nga shkolla e vjetër…”, shprehet Muçi. Prej vitesh ai nuk përdorte më shprehje të ndyra, por në tavolina mes miqsh i duhej t´i përdorte. Shqipja nuk i ngelej mangut as frëngjishtes dhe as anglishtes, por edhe vetë sinonimeve të përdorura nga Charles Bukowski. Përdorte dy tekste paralelisht, ashtu si edhe Dhimitër Pasko apo Vedat Kokona, duke bërë kontrollin e impaseve, kontrasenseve e shumë të tjerave.

Përshtypjet pas botimit

Ishte koha e lulëzimit të kioskës të quajtur Bar West. Ishin ditët e para plot ankth të daljes së librit nga shtëpia botuese. Një zë i fortë i Bujar Lakos e thërret nga mbrapa dhe pa e zgjatur i jep dorën duke e uruar: “Kam lexuar librin brenda natës dhe dy ditë më pas e rilexova”. Kujtoi se kjo ishte veçse një shaka, ndërsa sot Virgjili nuk e di se si duhet t´i biesh Tiranës vërdallë për të gjetur një kopje të librit apo edhe vetë Biblioteka Kombëtare që i ka të shpërndara tre kopjet e vetme, kur kanë kaluar shumë vite pas botimit. Shtëpia Botuese e detyruar nga kërkesat kaloi tirazhin e 10.000 kopjeve. “Shpesh më binte rasti që shikoja çupëlina dhe skuqesha kur mendoja se ato në orët e ardhshme do të lexonin Bukowskin… ai që realizoi Revolucion Seksual të Amerikës së viteve ´70…”, rikujton Virgjili, ndërsa ngacmon me duar disa prej librave të shumtë që ndodhen në tryezën e tij të punës. Një zile telefoni. Gjithçka e zezë përreth në këtë dhomëz të mbushur me ngjyra dhe rafte të zinj, që thyhet nga kontrastet e kopertinave ngjyrë vishnjeje. Gjithçka e prish vetëm ajo dera ngjyrë kafe tejet kërcitëse që duhej ngritur sipër nga doreza. Ndryshe, dhjetëra koka njerëzish të katit të dytë të Bibliotekës Kombëtare do t´i avullonin mendimet. Askush nuk duhet shqetësonte askënd. Meditime. Rifreskim. Dhe sërish Bukowski. “Ai është një roman ideologjik, një ç´mitifikues dhe pa cene i Amerikës së pas luftës”, vijon mendimin. “Hapi Kutinë e Pandorës së gjuhës shqipe dhe regjistrin e asaj që mund të thuhet e ndyrë dhe e pisët. Në letërsi nuk ka skrupuj të krijuar në mënyrë artificiale”. Por kënaqësia e tij nuk mbaroi me kaq. Shtëpia e tij Botuese nxori në treg një tjetër roman të suksesshëm shumë pak kohë më vonë, i autorit Aurel Plasari “10 ditë që nuk tronditën botën” – një roman plot erotizëm. U hap kështu shtegu i Venusit për lexuesit shqiptarë dhe letërsinë shqipe. Përpara se ta shfletoni atë, bëni kujdes! Motoja e autorit, iu këshillon të mos përfundoni si ai. “Ishte goxha burrë dhe u katandis në hiç, për hir të një femre”.

Fundi i një prej tyre…

U zgjova nga zilja e telefonit. “Alo”? “Henri Kinaski?”

“Po”

“I adhuroj librat e tu. Për mendimin tim, nuk ka shkrimtar më të mirë në botë se ty.”

Nga zëri dukej që ishte e re dhe seksi.

“Ç´është e vërteta, kam shkruar ndonjë gjë të mirë”.

“E di, e di. Janë të vërteta të gjitha ato historitë që ke pasur me gjithë ato femra?”

“Po”.

“E di si është puna, edhe unë jam shkrimtare. Banoj në Los Anxhelos dhe do të kisha dëshirë të të njihja. A mund të vij dhe të lexoj poezitë që kam shkruar”?.

“Po unë nuk jam as botues dhe as redaktor”.

“E di. Jam 19 vjeç. Dhe kam thjesht dëshirë të vij e të takoj, si thua?”

“Sonte nuk mundem”.

“Oh, kur të duash ti, s´më prish ndonjë punë”.

“Jo, jo është punë që s´bëhet”.

“Je me tërë mend Henri Kinaski, shkrimtari?”

“Sigurisht që unë jam”.

“Jam shumë e lezetshme”.

“As që e vë në dyshim”.

“Më quajnë Roshel”

“Lamtumirë Roshel”.

Dhe e mbylla telefonin. Për herë të parë në jetën time i kisha bërë ballë tundimit. Shkova në kuzhinë dhe hapa një kuti me vitamina E, e mbusha grushtin me hape, 400 njësi secila dhe i rrëkëlleva njëherësh, të shoqëruara me një gotë Perrier.

Bukowski dhe Shtypi i Zogut të Zi

Charles Bukowski (Heinrich Karl Bukowski) lindi në Andernah të Gjermanisë në gusht të vitit 1920, nga një ushtar amerikan dhe nënë gjermane (Katharina Fett). Në moshën tre vjeçare, familja e tij u shpërngul në Los Anxhelos të Amerikës, ku praktikisht Bukowski shkroi gjithë jetën e vet, deri në çastin e vdekjes, në mars të vitit 1994 nga pneumonia. Përgjatë karrierës më se tridhjetë vjeçare, shkrimtari botoi 32 libra me poezi, pesë libra me tregime, katër romane, si dhe skenarin e filmit “Pijetari”. Influencat i pati nga autorët Louis-Ferdinand Céline, John Fante, Anton Chekhov, Franz Kafka, Knut Hamsun, Ernest Hemingway, Robinson Jeffers apo Fyodor Dostoyevsky. Në qoftë se në Evropë romanet i sollën famën, në Amerikë librat e tij me tregime dhe poezi i dhuruan suksesin si dhe famën e “shkrimtarit të mallkuar”. Në shtetin e ëndrrave ai thirrej nga prindërit “Henry”, ndërsa mbiemri i tij polak i origjinës, alternoi nga Bukovski në Bukcowski. Pas vitit 1926 kur familja e tij ishte transferuar në Amerikë i ati filloi të abuzonte verbalisht dhe fizikisht mbi Henrin. Detajet e kësaj jete u përshkruan më vonë nga Bukowski në novelën e tij Ham on Rye (Proshuta prej thekre). Përgjatë kësaj periudhe ai u mbyll në vetvete dhe pati një rast ekstrem të puçrrave të fytyrës. Pas kryerjes së Shkollës së Mesme të Los Anxhelosit, Bukowski kreu Kolegjin e Shtetit për dy vite, duke ndjekur kurset e artit, gazetarisë dhe literaturës. Në moshën 24 vjeçare, Bukowski boton një libër me histori të shkurtër dhe më pas “20 tanket nga Kasseldown”, nga e cila u zhgënjye dhe nuk botoi më për afro një dekade. Përgjatë kësaj kohe fillon edhe jeta e tij e dhomave me qira tejet të lirë, punësime të rastësishme, ndërsa në vitin 1950 gjen punë si postier. Pas tre vitesh e lë këtë punë. Në 1955 shtrohet në spital me një gjendje të rëndë të ulçrës, e cila do të bë hej më pas fatale. Pas daljes, ai filloi të shkruante poezi, ndërsa në 1957 Bukowski u martua me poeten dhe shkrimtaren Barbara Frye, por u divorcua dy vite më pas. Pas divorcit Bukowski filloi të pinte dhe njëkohësisht të shkruante poezi. Në vitet ’60 ai u rikthye në zyrën postare, ku vijoi të punonte për më se një dekadë. Do të vijonte një karrierë e gjatë për të kur nënshkroi në 1969, me shtëpinë botuese Black Sparrow Press (Shtypi i Zogut të Zi). Bukowski dhe Linda Lee Beighle u martuan në vitin 1985. Ai i referohej asaj “Sara” në romanin Femrat (Woman) dhe Hollywood. Mbi tw gjitha Femrat e Henri Kinaskit i përkisnin një anti-heroi; një alkooliku mizantrop i cili harbon nga puna në punë dhe nga femrat te femrat. Ai ishte njw karakter autobiografik ashtu si edhe Bukowski. Përkthyesi i tij, Virgjil Muçi është shprehur për të “Bukowski, është një produkt i një shoqërie pa cak, krejt kaotike, ashtu si edhe ne. Erdhi si një cunam kulturor. Kur unë përktheja, mendoja letërsinë shqipe, aq të varfër, të ndryshme dhe të censuruar që të jepte idenë e një pacienti frojdjan, që realisht krijon maniakë seksualë dhe përbindësha. Me atë të voglën e tij ai ndihmoi emancipimin, më afër minierave, dëshirave, pasionit…duke na mësuar se, seksi nuk është kurrë i shëmtuar”.