Premiera e F1 pozitive për Hamilton, fiton “Pole Position”

Nga Dorjan
Shkruar ne 17 Mar 2012 ora 7:37pm

Luis Hemilton ka filluar në mënyrën më të mirë të mundshme luftën për titullin kampion duke renditur MekLarenin e tij në vendin e parë në vijën e nisjes së garës hapëse të sezonit të Formula 1 në Australi. Piloti britanik ka dhuruar kohën më të mirë gjatë provave zyrtare, duke lënë pas shokun e skuadrës, Xhenson Baton, duke konfirmuar se MekLaren do të jetë forcë kryesore në luftën për titull këtë sezon.

Vendi i tretë i ka shkuar surprizës së provave, Romein Grosjean me makinën Lotus, një rezultat i papritur edhe për këtë skuadër, ndërsa Mikael Shumaker me Mercedes ka arritur të marrë vendin e katërt në vijën e nisjes.

Skuadra Red Bull, e cila shihet si favorite edhe këtë sezon, ka arritur të zaptojë vetëm vijën e tretë të nisjes, ku Mark Ueber, ka arritur më në fund të mposhtë shokun e tij të skuadrës, kampionin e botës në fuqi, Sebastian Vetel, duke i rrëmbyer vendin e pestë.

Një fillim shumë të keq të sezonit kanë bërë makinat Ferrari, të cilat kanë konfirmuar problemet e pritshme para kësaj gare të parë. Fernando Alonso është renditur vetëm në vendin e 12-të pasi ka dalë nga pista gjatë turnit të dytë të kualifikimeve. Më keq ka dalë Felipe Masa, i cili ka zhvilluar xhiro të plota por nuk arrinte të shfaqej konkurrues dhe do të niset nga vendi i 16-të në garë.