Prezantohet projekti i rijetëzimit të pesë xhamive

Nga Dinejda
Shkruar ne 28 Maj 2012 ora 6:14pm

TIRANË- Projekti i pesë xhamive të shpallura monumente kulture, në Shqipëri që do të restaurohen nga Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Zhvillim “TIKA”, u prezantuan paraditen e sotme në xhaminë e Kalasë së Prezës.

Xhamitë e para të përzgjedhura për t’iu nënshtruar restaurimit janë: Xhamia në Kalanë e Prezës, Xhamia në Pazarin e Krujës, Xhamia e Nazireshesë në Elbasan, Xhamia e Plumbit në Berat dhe Xhamia e Iljaz Bej Mirahorit në Korçë. Këto objekte kulti i përkasin shekullit të 15 dhe të 16-të. Kosto totale e realizimit të 5 projekteve është rreth 4 milion euro ndërkohë që ky renditet si ndër projektet më të rëndësishëm që “TIKA” ka realizuar në Shqipëri. 

Ministri i Ministrisë së Turizmit, Kultrës, Rinisë dhe Sporteve, Aldo Bumçi tha sot, gjatë prezantimit të projekteve, se restaurimi i 5 xhamive është vetëm faza e parë e projektit pasi në bashkëpunim më TIKA-n është rënë dakord edhe për një fazë të dytë e cila do të përfshijë monumente të tjera kulturore. “Preza është shembull i qartë i vënies së trashëgimisë kulturorë në funksion të turizmit”, tha Bumçi duke e cilësuar Kalanë e Prezës si një nga monumentet e para ku është aplikuar proçesi i rijetëzimit.

Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim “TIKA” operon në Shqipëri që prej vitit 1992, ndërkohë që zyrtarisht zyra e koordinimit në Tiranë është hapur në vitin 1996. Ndihma e TIKA-s është shtrirë në turizëm, kulturë, media etj.