Prizreni nën logon e 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë

Nga Dorjan
Shkruar ne 13 Maj 2012 ora 3:04pm

Prishtinë -Përvjetori i 134-të i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe 12 qershori dita e çlirimit të Prizrenit, do të festohen nën logon e jubileut të 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë.

Njoftimi është dhënë në faqen zyrtare të komunës së Prizrenit, qytetit historik, më të madhin në jug të Kosovës. Në njoftim bëhet e ditur se kryetari i komunës së Prizrenit, Ramadan Muja, priti dje në takim ambasadorin e Republikës së Shqipërisë në Kosovë, Islam Lauka.

Sipas njoftimit, ambasadori Lauka u interesua për axhendën e aktiviteteve të planifikuara nga ana e komunës së Prizrenit me rastin e shënimit të festave të qershorit 2012 dhe shprehu gatishmërinë për pjesëmarrje personalisht në emër të shtetit shqiptar.

Kryetari i komunës, Ramadan Muja, falënderoi ambasadorin për kujdesin e treguar për rëndësinë e festave të qershorit dhe u dakordua që më 10 qershor ambasadori në kuadër të akademisë solemne në përvjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit të mbajë një fjalë rasti.