Procesverbali i plotë, Gushi: E vrava arkëtaren se më la çelësat mbi banak

Nga Dorjan
Shkruar ne 02 Pri 2012 ora 5:17pm

“Te Xhamlliku, hera e parë që grabita të martën, qëlloi ditë tersi”

Gushi: Arkëtaren e vrava se vonoi, s’më dha paratë.

“Familja më mohoi, pasi u divorcova nga gruaja”

Dëshmia zyrtare e Viktor Gushit në polici: Dashuroja parukieren, jetova në furgon përballë floktores së saj.

Vrasjen e 1997-s në Patos s‘e bëra unë, ndaj ika në Greqi.

“Studioja me muaj filialet e bankave ku do grabisja, largohesha qetësisht rrugicave ku nuk më ndiqte dot policia. Leonora Kaloçin e vrava sepse më vonoi, tha hape vetë arkën e parave”. Njeriu që i pohon këto fjalë është Viktor Gushi, në dëshminë zyrtare që ka dhënë në polici pas arrestimit me akuzat e 16 grabitjeve, dy vrasjeve e tri plagosjeve me armë zjarri. Pas arrestimit në rrugën “Don Bosko” ku edhe u regjistrua një dëshmi paraprake e tij, Viktor Gushi është marrë në pyetje në Drejtorinë e Policisë së Tiranës.

Dëshmia e tij, e cila hedh dritë edhe mbi grabitje të tjera në banka, zbardhet sot nga gazeta “Panorama”. Rrëfimi i Viktor Gushit, njeriut me një profil të ndërlikuar kriminal, zbardh detaje nga jeta e tij e mëparshme, që nga mohimi i akuzës për vrasje në Patos në vitin 1997, arratisja në Greqi, arrestimi për drogë atje e deri te kthimi në Shqipëri, ndarja përfundimtare me familjen, jetesa përballë floktores ku gjendej femra që dashuronte dhe në fund seriali i përgjakshëm i grabitjeve.
Pyetje: Ku ke lindur?
Në Patos. Në Dukas të Patosit. Ndërsa me origjinë jam vlleh.
Pyetje: Atje je rritur?
Po deri në vitin 1989.
Pyetje: Nga sa veta përbëhet familja jote?
Nga shtatë veta përbëhej. Babai, Kozmai, ka vdekur. Unë isha më i vogli nga fëmijët. Kam edhe dy vëllezër e dy motra, po nuk e di se ku janë. Kam dëgjuar se jetojnë në Greqi, sepse në Patos nuk janë më.
Pyetje: Me çfarë merreshin prindërit e tu?
Babai ka punuar deri vonë në Uzinën Mekanike në Patos. Ndërsa nëna pa punë.
Pyetje: Je i martuar, ke fëmijë?
Kam qenë i martuar, po jam ndarë nga fundi i vitit 1996. Fëmijë nuk kam.
Pyetje: Pse u ndave nga gruaja?
Probleme familjare, nuk shkonim mirë. Ziheshim dhe për këtë arsye u ndava, pak muaj pasi isha martuar me të.
Pyetje: Kur je larguar nga Patosi?
Nga Patosi kam ikur herët, që në vitin 1989. Kam qenë 22 vjeç kur vendosa të largohem nga Shqipëria.
Pyetje: Po si u largove?
Fillimisht shkova në Ersekë. Atje kisha një shok, të vetmin shok që kam pasur. Kisha bërë ushtrinë në Ersekë dhe me atë shokun jam njohur në kohën kur bëja ushtrinë. Nga Erseka pastaj, u arratisa në Greqi.
Pyetje: Ku qëndrove në Greqi?
Fillimisht kam qëndruar në Kostur. Aty kam ndenjur 3 ditë. Pastaj shkova në Athinë. Në Athinë kam qëndruar deri në vitin 1992.
Pyetje: Me çfarë merreshe atje?
Në Athinë kam bërë punë të ndryshme. Çfarë të më dilte. Derisa u ktheva në Shqipëri.
Pyetje: Kur u ktheve në Shqipëri?
Në vitin 1992 erdha këtu dhe shkova menjëherë në Patos. Aty fillova punë si përgjegjës në një bilardo. Kam punuar disa vite aty, gati 4 vjet. Pastaj u martova në vitin 1996 dhe u ndava pas disa muajsh.
Pyetje: Pas vitit 1996 nuk punove më?
Jo nuk punova, u largova prapë. Ika prapë në Greqi nga fillimi i vitit 1997.
Pyetje: Po pse u larguat?
Ika sepse fillova të kem probleme me familjen pas ndarjes nga gruaja. Ata filluan të dyshonin edhe për disa gjëra të këqija, sikur i kisha bërë unë. Ziheshim përditë. Disa herë kam fjetur jashtë. Kështu që ika.
Pyetje: Për çfarë gjërash të këqija e ke fjalën, për vrasjen?
Jo, jo. Unë nuk kam bërë vrasje atje. Po edhe ata, të afërmit e mi, kështu si ju dyshonin. Ishte vrarë dikush aty, po nuk e kam vrarë unë atë. Pse do ta mohoja po ta kisha vrarë? Do e tregoja edhe atë. Po ata nuk më besonin, kishin frikë se do i fusja në hasmëri me ata vlonjatët dhe unë ika në Greqi.
Pyetje: Në Greqi fillove prapë ndonjë punë?
Jo ndonjë punë stabël. Herën e dytë në Greqi më arrestuan, bëra dhe burg.
Pyetje: Pse të arrestuan?
Më kapën me drogë. Më kanë arrestuar brenda në shtëpinë ku isha. Aty kisha disa kilogramë hashash, disa gramë kokainë dhe heroinë. Po nuk ishin të miat.
Pyetje: Të kujt ishin?
Ishin të disa djemve që merreshin me këtë punë. Ata m’i kishin lënë mua që t’i mbaja në shtëpi. Kur donin të shisnin ndonjë gjë, vinin dhe m’i merrnin.
Pyetje: Sa vjet të dënuan?
Në fakt, ata donin të më dënonin 15 vjet. Pasi më kishin mbajtur gati më shumë se dy vjet pa më nxjerrë në gjyq. Por nga këto përfitova disa lehtësira dhe më bënë ulje dënimi. U dënova përfundimisht me 5 vjet burg.
Pyetje: Çfarë bërë pasi dole nga burgu?
Vendosa të kthehem prapë në Shqipëri. Shkova fillimisht në Patos. Atje nuk gjeta asnjë nga ata të familjes sime. Mora vesh që kishin ikur edhe ata në Greqi. Po nuk kam komunikuar më me ta dhe as tani nuk e di se ku janë.
Pyetje: Në Patos qëndrove më pas?
Jo, vetëm disa ditë. Erdha në Tiranë pastaj, nga fillimi i vitit 2005.
Pyetje: Po në Tiranë ku qëndrove?
Fillimisht nuk kisha ku të qëndroja. Kam jetuar disa muaj në një furgon të prishur, që ishte parkuar diku në një rrugë në Porcelan. Aty kam qëndruar gjatë. Po qëndroja aty, sepse ishte një parukeri përballë dhe aty ishte një vajzë që më pëlqente shumë. Rrija dhe shikoja atë.
Pyetje: Sa kohë ke qëndruar aty?
Kam qëndruar disa muaj. Pastaj shkova në Patos dhe shita shtëpinë atje. U ktheva prapë në Tiranë dhe mora një shtëpi me qira.
Pyetje: Fillove ndonjë punë në Tiranë?
Po, fillova një punë në Kombinat, në një vend ku prodhoheshin lavapjate.
Pyetje: Sa punove aty?
Nuk punova shumë gjatë, sepse pronari filloi të dyshonte se mos unë i vidhja. Ai dyshonte se unë shisja 3 lavapjate, ndërsa atij i deklaroja të shitura vetëm dy. Për këtë arsye më hoqi nga puna edhe më denoncoi për vjedhje. Por asnjëherë nuk u provua që unë kisha vjedhur.
Pyetje: Ndonjë krim tjetër ke kryer veç grabitjeve?
Po. Kam përplasur me makinë një rom në Kombinat. Filloi të më shante. Ai ishte me motor, unë me makinë. E përplasa. Me sa mora vesh më vonë, ai kishte vdekur.
Pyetje: Kur fillove të kryeje grabitje?
Në vitin 2008 kam bërë grabitjen e parë.
Pyetje: Çfarë grabite?
Kam grabitur “Raiffeisen Bank” te Zogu i Zi. Ka qenë data 20 qershor 2008 dhe ishte ditë e premte.
Pyetje: Si e bërë grabitjen?
Vetëm, si gjithmonë. Pasi e kisha studiuar për të gjitha kamerat, rrugët dhe gjithçka. Kisha rreth një muaj që vëzhgoja atë zonë. Ishte mesditë, nuk kishte vajtur akoma ora 2:00. Tek një tunel, që unë e kisha parë dhe kisha kaluar aty me qindra herë vendosa maskën. Kisha një pistoletë “Zastava” atëherë dhe hyra brenda. Shkova te arka dhe i thashë arkëtares që të më jepte lekët. Ajo u soll shumë mirë. Nuk bëri fjalë fare. Më futi lekët te qesja që i kisha vënë mbi banak dhe nuk pata nevojë fare t’i bërtisja apo ta qëlloja. Ajo u soll shumë mirë. Gjithçka zgjati më pak se 3 minuta, ashtu siç e kisha llogaritur unë. Se po të zgjaste më shumë, e dija që vinte policia. Dhe pasi mora lekët, mund të kenë qenë diçka më shumë se 3 milionë lekë të vjetër, u largova.
Pyetje: Si u largove?
Nga rruga që kisha studiuar. Është një rrugë e ngushtë. Një tip tuneli me shkallë, ju duhet ta dini. Aty kam ecur avash-avash, që të mos bija në sy. Asnjëherë nuk nxitoja për t’u larguar. Kisha hequr edhe maskën dhe ika nga aty. Në atë rrugë që ika unë, as motori nuk kalonte, jo më makina e policisë. Kështu që isha i sigurt që nuk do të më kapte.
Pyetje: Po pas grabitjes çfarë bërë?
Ika në shtëpi. Në atë kohë isha me shtëpi diku mbrapa pallatit të sportit “Asllan Rusi”. Çova paratë që kisha vjedhur, i lashë aty dhe shkova diku të shihja televizor. Doja të shihja çfarë po jepej në lajme.
Pyetje: Ku i pe lajmet?
Në një lokal aty afër shtëpisë. Kam qëndruar disa orë aty duke parë televizor. U qetësova, sepse pashë që në lajmë thuhej se policia kishte arrestuar autorin e grabitjes së bankës.
Pyetje: Kur e bërë grabitjen tjetër?
E bëra pak vonë, kishin kaluar disa muaj nga grabitja e parë. Më 21 nëntor 2008 grabita prapë një “Raiffeisen Bank” te rruga “4 Dëshmorët”. Ishte ditë e premte edhe atë ditë.
Pyetje: Pse vetëm ditën e premte?
Po e kisha ditë me fat të premten. Isha fiksuar që të premteve më ecte mbarë dhe e kisha zgjedhur si ditë.
Pyetje: Po na rezulton që disa grabitje të tjera nuk i ke kryer të premten?
Po, e di. Gjashtë prej grabitjeve i kam kryer ditë jave dhe i mbaj mend.
Pyetje: Cilat?
Të parën që nuk e kam kryer ditë të premte, por ditë e mërkurë, nuk më eci mirë fare. Tentova të vidhja një arkë poste, ku paguheshin faturat tek Shkolla e Baletit. Aty arkëtarja u soll keq dhe unë e qëllova. Ka qenë data 7 korrik 2010. Pastaj më vonë e mora vesh që ajo nuk kishte vdekur. Ndërsa më 19 korrik 2010, që ka qenë fillim jave, ditë e hënë, kam grabitur një arkë ku paguheshin faturat e dritave dhe të ujit të stadiumi “Dinamo”. Edhe aty nuk më shkoi mirë. Jo se u soll njeri keq me mua, ishte një djalë i ri, po nuk kishte shumë lekë aty. Të njëjtën arkë e kam vjedhur edhe më 13 dhjetor dhe prapë ishte ditë e hënë, te stadiumi “Dinamo”. Ndërsa një ditë të enjte ka qenë data 30 shtator, kam grabitur prapë një arkë që paguheshin faturat e ujit dhe të dritave te Shkolla e Baletit. Ditë e hënë ka qenë edhe këtë vit, më 30 janar kur grabita “Raiffeisen Bank” te Rruga e Dibrës, te Selvia. Aty kam marrë jo shumë lekë, rreth 2 milionë të vjetër. Ndërsa “NBG Bank” te Xhamlliku, që ishte edhe e fundit, tentova ta grabis ditë të martë. Aty u zbulova, ndodhi që vrava arkëtaren, plagosa dhe policin. Ishte hera e parë që unë kryeja grabitje të martën dhe e marta është vërtet ters, më zbuluat aty.
Pyetje: Keq shkoi edhe tentativa e grabitjes së argjendarisë, ku vratë Rrapo Sinanajn…
Ajo nuk shkoi keq për mua. Unë vërtet nuk arrita të grabis asgjë se argjendari u soll keq, po ju nuk më kapët. Shkoi keq për atë, për argjendarin. Për mua ishte shumë mirë, se ju arrestuat dikë tjetër që më ngjante dhe unë përfitova nga kjo.
Pyetje: Si ndodhi ngjarja te argjendaria, na e shpjego pak…
Edhe ajo si të tjerat. Kisha një muaj e disa ditë që kaloja aty, e kisha parë me vëmendje. Kamera nuk kishte dhe argjendari nuk ishte shumë i ri, ishte disi në moshë. Mendova se do e kisha shumë të lehtë, sepse nuk besoja se ai do të sillej keq. Kisha parë me imtësi edhe ambientin brenda argjendarisë. E dija që aty kishte një banjë, kishte disa sirtarë që ai mbyllte paratë me çelës dhe bizhuteritë e floririt. Atë natë ishte e premte, data 21 tetor 2010, ishte errësuar dhe mendova se ishte momenti i përshtatshëm. Kisha ndër mend të merrja vetëm varëset, unazat e ato bizhuteri që ishin të banaku, sepse e dija që pjesa tjetër ishte mbyllur me çelës dhe nuk doja të humbisja kohë. I thashë më fut floririn në qese shpejt dhe mos fol. Ai filloi të bërtiste. “Mos fol”, i bërtita dhe i drejtova pistoletën. Ai po fliste prapë dhe u përkul të shtypte butonin e alarmit. I thashë mos lëviz dhe e qëllova një herë. Ai prapë bërtiste dhe u çua nga kolltuku ku ishte ulur dhe u fut në një cep. Unë prapë i bërtisja të mos fliste dhe i qëllova edhe herën e dytë. Ai, edhe pse ishte plagosur e ishte shtrirë në tokë, vazhdonte të bërtiste. Kisha frikë se do më dëgjonin nga farmacia që ishte afër dhe kohë nuk kisha shumë, kështu që e lashë, nuk vodha gjë. Po kur dola, i qëllova edhe një herë nga jashtë dhe pastaj u largova. Po në fakt, plani im nuk ishte që ta vrisja. Kisha ndër mend ta merrja me forcë dhe ta fusja në banjën që ishte aty. Pastaj ta mbyllja brenda dhe të kryeja vjedhjen. Por ai po fliste dhe…
Pyetje: Si u largove nga vendi i ngjarjes?
Si gjithmonë, me hap normal.
Pyetje: Nga cili drejtim ike?
Në drejtim nga Stacioni i Trenit. Tek kryqëzimi i parë, para se të shkoja te treni, u futa djathtas, policia ishte duke shkuar aty dhe unë i pashë. Por u largova nga rruga që kisha studiuar nëpër një lagje, që më pas del te shinat e trenit. Erdha në shtëpi, këtu ku isha tani, te “Don Bosko”.
Pyetje: Ti nuk e realizove grabitjen, mbete pa lekë. Si veproje në raste të tilla?
Ose duke luajtur bixhoz, skedina, kompjuter, ose bëja vjedhjen e radhës. Pasi nuk grabita dot argjendarinë, grabita dy javë më pas një pikë “Western Union” te stadiumi “Dinamo”. Nuk mora shumë aty, rreth 600 euro më duket. Po më mjaftuan për disa ditë, se kapja edhe ndonjë loto ose fitoja në Apex. Dhe ato ditë më ka ecur mirë në lojërat e fatit. Nuk kam grabitur më shumë se për dy muaj. Po gjatë kësaj kohe nuk kisha ndenjur kot. Kisha studiuar bankën e radhës që do të grabisja.
Pyetje: Cilën bankë? Kur?
Filialin e “Raiffeisen Bank” te Rruga e Dibrës, te Selvia, më 30 janar të këtij viti.
Pyetje: Po aty 2 milionë lekë të vjetër more?
Po, pak a shumë aq, 2 milionë. Ngaqë nuk më mjaftuan, llogarita të bëja grabitjen e radhës.
Pyetje: Cilën grabitje?
“NBG Bank” te Xhamlliku, edhe pse aty dështova përfundimisht.
Pyetje: Na e shpjego si ndodhi ngjarja te Xhamlliku.
Atë bankën aty unë e kisha studiuar me detaje. Kisha tre muaj që rrija aty përballë, te lulishtja, te sheshi. I dija edhe rojet që ishin ndërruar aty. Kanë ndryshuar 3 policë gjatë kohës që studioja bankën. Polici i parë rrinte më shumë jashtë se brenda. I dyti rrinte edhe brenda, edhe jashtë. Ky i fundit nuk kishte shumë që kishte filluar punë aty dhe rrinte më shumë brenda. Të tre ishin të armatosur. Po këtë të fundit e kisha parë me vëmendje që ishte i armatosur rëndë. Kishte edhe armë, edhe shkop. Kisha studiuar edhe rrugën në pjesën e pasme të pallatit ku ishte banka, që ta dija nga duhej të largohesha. Aty kishte dy tunele. Njërin e përdora për të nisur grabitjen dhe tjetrin për t’u larguar. Aty e dija shumë mirë që policia nuk kishte si të më kapte. Dhe ashtu bëra. Hyra nga një tunel dhe fillimisht qëllova rojën, pastaj…
Pyetje: Pse e qëllove nga jashtë policin për herë të parë?
Po ju thashë pra, ishte i armatosur rëndë dhe thashë ta neutralizoj një herë atë, pastaj të futesha i qetë për të grabitur.
Pyetje: Nuk doje ta vrisje rojën?
Jo, vetëm ta neutralizoja. Se e dija që ishte i armatosur dhe mbase do më qëllonte.
Pyetje: Pastaj hyre brenda…
Po, pastaj hyra brenda dhe shkova te arka. I thashë arkëtares që të hapte arkën shpejt. Ajo me sa duket u tremb nga pistoleta dhe më la çelësat mbi banak. “Hape vetë arkën”, më tha. Po ku kisha kohë unë ta hapja vetë arkën, unë e kisha kohën e llogaritur, vetëm 3 minuta kohë kisha. Mos fol i thashë, po më jep paratë. Ndërkohë ktheva kokën pas dhe pashë që roja po lëvizte. I qëllova dhe një herë rojës dhe, kur u ktheva nga arkëtarja, pashë që ajo ishte përkulur poshtë banakut. Mendova se po shtypte butonin e alarmit dhe jam ngritur në gishtat e këmbëve, jam përkulur sipër banakut dhe me dorën e zgjatur i kam qëlluar me pistoletë. Ajo lëvizi prapë dhe unë i qëllova edhe për herë të dytë. Pastaj ishte shumë vonë dhe, po të rrija, e dija që do më kapte policia. Lashë edhe qesen aty dhe dola nga banka.
Pyetje: Ti i kishe studiuar kamerat e sigurisë. Pse e hoqe maskën?
I kisha studiuar, por më kishte shpëtuar ajo kamera që më kishte filmuar aty te rrugica. Aty kisha gabuar. Se te kamerat që i dija se ku ishin, nuk e kisha hequr maskën, e mbaja akoma. Por kur mendova se i kisha kaluar të gjitha kamerat, e hoqa maskën, edhe për të mos rënë në sy të njerëzve dhe fillova të ecja me qetësi. Po ja që paska qenë edhe një kamera që më paska kapur, që më kishte shpëtuar dhe unë s’e kisha parë.
Pyetje: Pra, t’i pranon të gjitha këto ngjarje dhe thua se i ke bërë të gjitha vetëm?
Po, po të gjitha vetëm.
Pyetje: Nuk ke asnjë shok?
Asnjë.
Pyetje: Po pse i vrisje njerëzit, kur qëllimi ishte vetëm vjedhja?
Po unë nuk doja të vrisja njeri. Po ata silleshin keq dhe unë i qëlloja.
Pyetje: Në çfarë kuptimi silleshin keq?
Po ju thashë edhe më lart. Më ofendonin, reagonin, lëviznin për të shtypur butonin, bërtisnin. Ky ishte reagimi i keq.
Pyetje: Po ditën e arrestimit u soll njeri keq me ty?
Po u sollën ata katër policët që më ngritën me forcë nga tavolina. Kushdo që sillej keq unë e vrisja, po për ata s’e dija që ishin policë…
Pyetje: Pse nuk reagove aty, ti ishe edhe i armatosur?
Po ta dija që ishin policë, do t’i vrisja. Po të ishin me uniformë. Normale që po. Po nuk ma mori mendja që ishin policë, pasi ishin civilë.
Pyetje: Po cilët mendove se ishin që të kapën ashtu? Ti vetë the që nuk bëjë sherre me njeri…
Po ku ta di unë? Mendova, mbase më kanë ngatërruar. Vetëm kur i thanë atij të lokalit që ishin policë, e kuptova. Po atëherë ma kishin hequr pistoletën nga brezi.
Pyetje: Po pistoletën ku e ke marrë?
E kam blerë te rruga “Bardhyl”, 600 mijë lekë.
Pyetje: E mban mend personin që ta ka shitur?
Jo, nuk e mbaj mend dhe nuk e njoh. Kam rastisur në loto. Ka rënë muhabeti dhe e kam blerë.
Pyetje: Çfarë i the ti, që doje armë?
Po, po lozja poker dhe ra muhabeti, i thashë.
Pyetje: Ke vepruar ndonjëherë pa armë?
Jo. Kisha një “Zastava Mini Blow” më përpara. Nuk po gjeja më fishekë për atë dhe bleva këtë që kisha tani, “TT”. Pasi bleva këtë tjetrën, e hodha atë.
Pyetje: Ku e hodhe “Zastavën”?
Në Lanë e kam hedhur. Tek ura e vogël te ish-Ekspozita.
Pyetje: Sa kohë ke që e ke hedhur?
Kam rreth një vit e gjysmë.
Pyetje: Ku e ke blerë “Zastavën”?
Ia kam blerë një kosovari aty te Zogu i Zi, 250 mijë lekë.

Pendesa në gjykatë

Viktor Gushi ne gjykate

Gjykata e Tiranës vendosi ndaj Viktor Gushit masën e sigurisë arrest me burg pa afat pas kërkesës së Prokurorisë. Avokatja kryesisht e 44-vjeçarit nga Patosi ishte dakord me këtë masë ndaj klientit të saj. Gjatë seancës për caktimin e masës së sigurisë, i akuzuari për dy vrasje dhe tri plagosje, ka shprehur pendesë. Ai ka thënë se nuk ka dashur të vrasë njeri dhe ka shtuar se të shtënat me armë dhe marrja e jetës së dy personave ka qenë diçka që ka ndodhur si pasojë e rrethanave të momentit. Gjatë pohimeve në Gjykatën e Tiranës, Viktor Gushi pohoi se kishte grabitur për një jetë më të mirë. Ai tha se i pranon akuzat dhe u qëndron deklarimeve të dhëna në Drejtorinë e Policisë së Tiranës pas arrestimit tri ditë më parë

Hetimi

Prokuroria e Tiranës, e cila ka hapur dosjen penale ndaj shtetasit Viktor Gushi, deklaron se do të kryejë ndaj tij një ekspertizë mendore dhe po ashtu një test për përdorim të lëndëve narkotike. Nga mënyra si ka vepruar dhe nga sjellja e tij, 44-vjeçari sipas hetuesve krijon idenë e një personi që ndikohet nga substanca të caktuara. Për këtë arsye, grupi i hetimit ka vendosur t’i marrë të dyshuarit mostrat e nevojshme nga gjaku dhe urina, për kryerjen e analizave të përdorimit të lëndëve narkotike. Po kështu, një komision mjekësor do të ngrihet me qëllim ekzaminimin e gjendjes mendore të 44-vjeçarit nga Patosi. Këto verifikime bëhen për efekt procedural.

Akuzat
Viktor Gushi akuzohet për vrasjen e shtetasit Rrapo Sinanaj më 31 tetor 2011 dhe vrasjen e shtetases Leonora Kaloçi, më 27 mars 2012. Po kështu, Prokuroria ka ngritur akuzë për plagosje në tri raste ndaj shtetasit 44-vjeçar Viktor Gushi. Ai akuzohet ndërkohë edhe për 16 grabitje me armë. Një numër i konsiderueshëm vjedhjesh me armë zjarri në Tiranë dhe Fier janë duke u verifikuar e duke u ballafaquar me armët dhe shenjat e gishtave të shtetasit të arrestuar për krimet e rënda të ndodhura në kryeqytet. Një sërë krimesh janë pranuar edhe nga vetë i pandehuri gjatë deklarimeve të tij, të dhëna për grupin hetimor pas arrestimit në rrugën “Don Bosko” në Tiranë.

Provat u gjetën në banesë, s‘ka filmime
E vetmja ngjarje në të cilën Viktor Gushi ka lënë imazhe filmike të regjistruara ka qenë ajo që ka ndodhur në zonën e Xhamllikut në Tiranë, pasi ka vrarë shtetasen Leonora Kaloçi në filialin e NBG-së. Teksa largohej në pjesën e pasme të bllokut të ndërtesave, duke menduar se kishte dalë nga rrezja e shikimit të kamerave, 44-vjeçari ka hequr maskën nga koka. Në këtë moment ai është identifikuar nga një kamera e një biznesi privat në zonë. Ai segment prej 3-4 sekondash i ka kushtuar shumë Viktor Gushit, teksa planifikonte grabitjen, atij i kishte shpëtuar kjo kamera. Në të gjitha ngjarjet e tjera të kryera prej tij, 44-vjeçari nuk ka lënë pas filmime me imazhin e tij, ndonëse si prova për këto akuza shërben arma, maska, kapelja dhe veshjet e përdorura.

Seriali, Gushi përballet shpejt me gjykatën
I akuzuari për 16 grabitje deri tani, Viktor Gushi, mund të përballet brenda një kohe të shkurtër me gjykatën për veprat penale që i atribuohen. Kjo pasi të gjitha dosjet “pa autor” të grabitjeve që ai ka kryer që nga viti 2008 e në vazhdim, nisur nga deklarimet e tij pranuese mund të rihapen. Burimet nga hetimi thanë se një numër i vogël veprimesh hetimore duhen kryer në mënyrë që të konsiderohet e verifikuar autorësia e krimit në kushtet kur 44-vjeçari pranon grabitjet. Sipas burimeve nga organi i akuzës, në rast se nuk zbulohen vepra të tjera penale për aktivitetin e të dyshuarit nga Patosi, dosja penale mund të përfundojë në gjykatë brenda një kohe të shkurtër. Me akuzat që janë ngritur ndaj tij, Viktor Gushi rrezikon burg të përjetshëm nëse shpallet fajtor.

Bllokohen paratë e supergrabitësit

Prokuroria, kërkesë bankave për të ngrirë llogaritë e Viktor Gushit, identifikohet një depozitë.

Vodhi 15 milionë lekë të rinj, shpenzoi mbi 80 për qind të tyre.

Prokuroria e Tiranës

Llogaritë bankare në emër të Viktor Gushit do të bllokohen. Lajmi është bërë i ditur nga burime të Prokurorisë, të cilat thanë se një nga veprimet e para hetimore të kryera, ka qenë shkresa drejtuar bankave për identifikimin e depozitave në emër të 44-vjeçarit nga Patosi.  Deri tani, bazuar edhe në të dhënat e Policisë, është mësuar se Viktor Gushi kishte një llogari bankare në një bankë të nivelit të dytë në Tiranë, ku shpeshherë, zakonisht pas grabitjeve, hidhte shuma parash. Kjo llogari mësohet se është identifikuar me anë të provave që janë gjetur në banesën me qira në rrugën “Don Bosko”, ku u bë edhe arrestimi i të dyshuarit. Ndërkohë, për efekt procedural, Prokuroria u ka nisur shkresë të gjitha bankave për të identifikuar llogaritë në emër të 44-vjeçarit, të cilat më pas me anë të një kërkese në gjykatë do të bllokohen. Gjatë deklaratës për median një ditë pas arrestimit të Viktor Gushit, zyrtarët e Policisë së Tiranës thanë se i dyshuari kishte 2-3 llogari bankare në të cilat herë pas here hidhte shuma parash. Burimet e Prokurorisë thonë se duke qenë se 44-vjeçari nuk ka pasur punë të ligjshme dhe në kushtet kur ai pranon se aktiviteti i tij i vetëm ka qenë grabitja, të gjitha shumat në emër të tij mund të bllokohen sipas ligjit. “Për sa kohë që personi akuzohet se ka kryer aktivitet kriminal fitimprurës, depozitat në emër të tij mund të bllokohen”, thanë burimet nga Prokuroria. Sipas tyre, fati i shumave financiare në fjalë do të vendoset në fund të procesit nga gjykata. Nga burimet e grupit hetimor është hartuar edhe një bilanc i të gjitha grabitjeve të kryera nga shtetasit Viktor Gushi, ku është arritur në përfundimin se shuma totale që ai mund të ketë grabitur është rreth 15 milionë lekë të rinj. Dyshohet se pjesa më e konsiderueshme e këtyre shumave është shpenzuar në loto dhe në kazino nga i akuzuari, ndërsa besohet se të depozituar në bankë ai ka më pak se 20 për qind nga kjo shumë. Fiksimi i 44-vjeçarit pas basteve sportive dhe lojës në kazino e makina pokeri është pohuar nga vetë i arrestuari, por edhe nga pronari i pikës së basteve pranë banesës në rrugën “Don Bosko”, ku ndodhi edhe arrestimi. Zyrtarët e Policisë kanë thënë se Viktor Gushi frekuentonte vazhdimisht kazinotë dhe pikat e basteve ku luante shuma të konsiderueshme.