Pronat e Skerdilajd Konomi, si u falsifikuan dokumentet

Nga Dorjan
Shkruar ne 16 Mar 2012 ora 10:15pm

TIRANË- Zbardhet dosja e prokurorisë ndaj Qemal Mullës, njeriut që falsifikoi dokumentet e pronësisë, që kishte fituar me gjyq familja e gjykatësit Skerdilajd Konomi, i cili u ekzekutua gjatë shpërthimit të eksplozivit në makinën e tij në zemër të qytetit të Vlorës.

Në dosje thuhet se, hetimet nisën pas kallëzimit të nga Ravik Mima, pasardhës i Miltiadh Shallvarit, familje nga e cila rridhte dhe gjykatësi i ndjerë, janë konstatuar falsifikimet e dokumenteve të pronësisë.

Përfaqësuesi ligjor i familjes Toptani i ka përdorur dokumentet e falsifikuara në proceset gjyqësore për të fituar qindra hektarët e tokës, që në fakt me vendim gjykate i ishin kthyer pasardhësve të trashëgimlënësit Miltiadh Shallvari. Për këtë çështje, prokuroria i ka nisur hetimet para vrasjes së gjyqtarit.

EKZEKUTIMI I GJYQTARIT
Skerdilajd Konomi, gjykatës i rrethit gjyqësor Vlorë, u ekzekutua gjatë një shpërthimi eksplozivi teksa udhëtonte me makinën e tij, në zemër të qytetit bregdetar. Edhe pse kanë kaluar shtatë muaj nga ngjarja tragjike, Prokuroria e Krimeve të Rënda ende nuk ka ndonjë të dyshuar për ekzekutimin mafioz të gjykatësit të ri.