PROVIMI I SHTETIT, RRITET TARIFA PËR MBETËSIT

Nga Dorjan
Shkruar ne 10 Pri 2012 ora 3:12pm

Sesioni i dytë i Provimit të Shtetit për licencën e profesioneve të rregulluara do të jetë nga datat 2 deri më 22 maj. Testimit do të kenë mundësi t’i nënshtrohen edhe ata kandidatë, të cilët herën e parë rezultuan mbetës. Nga sa bën me dije Agjencia Kombëtare e Provimeve, për këtë kategori tarifa e provimit do të jetë me e lartë. “Kush jep provimin për herë të parë, do të paguajë 10 000 lekë. Ndërsa kandidatët që rifuten në testim, do të paguajnë 12.500 lekë”, thonë përfaqësuesit e AKP. Të gjithë studentët e diplomuar gjatë 2010-2011 në Mjekësi, Stomatologji, Fizioterapi, Mami apo dhe në degë që lidhen me inxhinieritë, dhe që listohen te profesionet e rregulluara, do t’i nënshtrohen testit për ushtrimin e profesionit. Pas kryerjes së testimit në muajin janar, rezultoi se niveli i tyre ishte shumë  i dobët. Pjesa më e madhe e kandidatëve arritën të merrnin me vështirësi  më shumë se 50% të pikëve për të rezultuar kalues. Jo mirë u paraqitën edhe infermierët, mjekët apo stomatologët e rinj. Nga sa bëhet me dije nga specialistët e AKP, testi do të jetë me tri nivele vështirësie dhe mjafton të marrësh 50% të pikëve për t’u cilësuar kalues. Provimi do të zgjasë 60 minuta dhe do të përmbajë 50 pyetje. Kandidatët duhet të bëjnë kujdes që ditën e provimit të kenë me vete kartë identiteti, mandat arkëtimi të pagesës, të shoqëruar me faturën e AKP-së, të publikuar në faqen zyrtare. Provimi i Shtetit do të jepet deri në 5 herë. Në rast se studentët e diplomuar nuk do t’i nënshtrohen Provimit të Shtetit, edhe pse ata kanë një diplomë, nuk do të kenë mundësi që të ushtrojnë profesionin e tyre. Kjo pasi, me miratimin e ligjit për profesionet e rregulluara, është domosdoshmëri dhënia e këtij provimi.

Tarifat
10.000 lekë
për herë të parë

12.500
lekë për herë të dytë

Vlerësimi

50 pikë e lart kalues

Nën 50 pikë jo kalues