Pse shqiptarët zgjodhën Myslim Pashen, Personazhi i Vitit 2010

Nga Reporter
Shkruar ne 19 Apr 2011 ora 11:43am

Është Myslim Pasha Personazhi i Vitit 2010, ish-drejtori i Institutit të Topografisë Ushtarake të Shqipërisë, koloneli ne pension, që dëshmoi një akt atdhedashurie të fortë në mbrojtjen me ngulm të kufijve detarë të Shqiperisë, duke dalë kundra marrëveshjes për ndarjen e ujrave detare me Greqinë.

Një njeri që në mënyrën më demokratike, përmes një oponence të paqtë në media, pa luftë dhe pa shkrehur asnjë armë, arriti të shpëtoje një pjesë të detit të Shqipërisë. Një zgjedhje e publikut, që për herë të parë në historikun e sondazhit të faqes së internetit të Top Channel, vendos në krye një personazh që nuk është politikan, çka dëshmon vlerësimin për njerëz që jo domosdoshmërisht kanë në dorë pushtetin, por që përpiqen me sa munden të ndikojnë pozitivisht për vendin dhe për fatet e tij.

Politikës, por jo asaj tradicionale, i takon vendi i dytë, i fituar nga lideri i “Vetëvendosjes” Albin Kurti. Në fakt, i politikes ndryshe, duke konsideruar faktin që Kurti, ndonese jo gjithmonë brenda rregullave dhe institucioneve, ka dalë me forcë kundra politikës së vjetër, nëse mund ta quajmë kështu, dhe politikanëve tradicionalë që shpesh herë me veprimet e tyre janë kthyer në objekt polemikash dhe kundërshtish. Një votë e fortë e publikut kundër, që jep me shumë se një sinjal dhe shumë vlerësime se çfarë mendojnë vërtetë njerëzit. I votuar për dy vite radhazi si personazh i vitit, kryetari i opozites shqiptare, Edi Rama këtë vit zbret në vendin e tretë.

“Rezultatet e votimit të këtij viti, ndryshe nga vitet e shkuara, tregojnë një zhvendosje të vëmendjes së qytetareve nga politika tek persona që kanë dhënë kontribut në fusha të tjera të jetës, siç është fituesi Myslim Pasha i cili ngriti zërin kundër një padrejtësie të madhe që mund t’i bëhej shqiptarëve. Po ashtu në vendet e para figurojnë edhe emra te tjerë që nuk i përkasin politikës, si Julian Assange, themeluesi i Wikileaks apo aktori Nik Xhelilaj, ndërkohë që dy politikanët kryesor në vend, renditen në vendin e tretë dhe të gjashtë” – vëren webmasteri i Top Channel, Igli Gjelishti.

Në vend të katërt eurodeputetja Tanja Fajon, e cila dha nje kontribut të rëndësishem në liberalizimin e vizave me BE-në. Julian Assange, thelemuesi i Wikileaks, njeriu që publikoi një pjesë të të fshehtave të diplomacisë amerikane, në të pestin. Një vleresim i një personazhi të huaj që sërish tregon tendencen për t’iu rebeluar pushtetit të njerezve me pushtet. Ne vend të gjashtë kryeministri Berisha. Në të shtatin aktori Nik Xhelilaj. Vendi i tete dhe i nëntë shkon për sportin, përkatesisht Lorik Canën dhe Vioresin Sinanin. Në vend të dhjetë Shkelqim Cani, ish guvernatori i Bankes se Shqiperise, i cili parashikoi përpara në kohë se edhe Shqipëria do të preket nga efektet e krizës globale ekonomike.