Punësimi në Itali, bum aplikimesh në Elbasan

Nga Dorjan
Shkruar ne 03 Pri 2012 ora 4:20pm

Punësimi sezonal në Itali ka marrë vëmendjen e shumë të interesuarve për të përfituar nga kjo mundësi. Drejtoria Rajonale e Punësimit bën të ditur se për këtë periudhë vëmendja është përqendruar në realizimin e një projekti të përbashkët punësimi sezonal në shtetin fqinjë, Itali, bazuar në një marrëveshje të firmosur pak kohë më parë nga Ministria e Punës, Çështjeve Sociale e Shanseve të Barabarta dhe autoriteteve italiane.

Sipas specialistit të sportelit të migracionit në zyrën e punës në Elbasan, Bledar Disha, interesi i aplikantëve ka qenë tepër i madh. Gjatë këtyre ditëve në Elbasan kanë aplikuar 65 persona dhe kanë tërhequr formularët mbi 80 të tjerë. Projekti parashikon punësime në sektorë të tillë si në ndërtim, hoteleri e turizëm, bujqësi etj.  Deri më 10 prill është faza e plotësimit të formularëve dhe pas kësaj periudhe do të vijë edhe faza e marrjes në test e aplikantëve, zhvillimi i kurseve përkatëse dhe në muajt maj-qershor mendohet që të niset kontigjenti i parë.

Sipas të dhënave, rezulton se aplikantët janë të interesuar për degë të tilla si ndërtimi, shërbime komunitare, shëndetësi, hoteleri por edhe në bujqësi. Ata shprehen se kjo është një mundësi e mirë punësimi. Por numër më të madh punësimesh në këtë periudhë konstatohet në sektorët brenda vendit siç janë tregtia, ndërtimi, sipërmarrjet private etj.