PUSHTIMI PLASTIK I SHQIPËRISË

Nga Dorjan
Shkruar ne 08 Apr 2012 ora 2:04pm

EDMOND TUPJA

Si sot një javë më parë, po në këtë rubrikë ngrija problemin e ndotjes plastike të vendit tonë, veçanërisht në plazhet jo larg grykëderdhjes së lumit Ishëm. Disa ditë më pas, dy të rinj mbyteshin në këtë lumë nën vëllimin e përbindshëm të sendeve plastike – shishe, kuti, kova, bidonë, pantofla e sandale të shqyera, copa tubash e qese të të gjitha llojeve, ngjyrave e përmasave – që gëlonin tinëzisht kërcënueshëm atje! Pardje, në lajmet e orës 20:00, pashë në TVSH se si zëvendësministri i Pushtetit Vendor dhe prefekti i Tiranës kishin mbledhur kryetarët e komunave të këtij qarku lidhur me masat tejet urgjente që duhen marrë për mbledhjen dhe sistemimin e plehrave të ndryshme që popullsia e qarkut në fjalë vjell çdo ditë duke tejngopur lumenjtë e luginat në veçanti (pa përmendur ndotjen e neveritshme nga guroret, lavatriçet e furrat e gëlqeres, të cilat po e brejnë si lebër apo tumor i rrezikshëm peizazhin e braktisur shqiptar).
Gjithsesi, qëllimi i mirë i këtij tubimi nuk ma heq nga mendja një frikë që uroj me gjithë shpirt të jetë e pathemeltë. Frikën se një ditë Shqipëria ime do të gdhihet e pushtuar kryekëput nga tërë ato batalione, regjimente, divizione, armata e korparmata përbindëshash plastikë, një pjesë të të cilave e pashë të shtunën e kaluar me sytë mi të kishin pushtuar pa u ndier plazhet e kepit të Rodonit. Madje, po guxoj të them se zbuluesit dhe spiunët e këtij pushtuesi ndodhen tashmë midis nesh. Si midis nesh? – mund të pyesin me shumë të drejtë lexuesit e ndershëm e të shqetësuar të kësaj rubrike. Thjesht fare: Po u përgjigjem duke u drejtuar pyetjen e mëposhtme: A nuk ju zë veshi natën, kur sapo keni rënë të flini pas një dite të lodhshme, një si kërcitje të lehtë me të cilën jeni mësuar dhe a nuk i thoni bashkëshortes apo bashkëshortit të trembur që të mos shqetësohet sepse janë bidonët apo shishet plastike të ujit që kërcasin herë pas here? Nga ana tjetër, kur keni pikasur ndonjë shishe plastike në ndonjë qoshe që nuk bie në sy, diku pranë Presidencës së Republikës, pranë Kuvendit, Kryeministrisë, Radiotelevizionit Shqiptar, Prokurorisë së Përgjithshme e ndonjë tjetër institucioni të rëndësishëm shqiptar, a nuk i keni bërë vetes ndonjëherë pyetjen se çfarë bën ajo dreq shisheje atje, sidomos me të rënë nata? Po shishet plastike me ujë të nëpunësve e të rojeve në shërbim të këtyre strukturave të rëndësishme shtetërore, ç’bëjnë pasi janë hedhur në koshat e plehrave brenda territoreve të tyre?
Sigurisht, të parët tanë ilirë dhe pasardhësit e tyre shqiptarë u ndeshën heroikisht me lloj-lloj pushtuesish dhe, ndonëse më të paktë në numër, luftuan dhe e bënë Shqipërinë që gëzojmë sot. Veçse, në këtë kohë mutacionesh gjenetike kush na siguron se midis nesh nuk po shumohet specia homo plasticus, d.m.th. humanoidë që, në dukje, nuk dallohen fare nga specia homo albanicus, pra, nga ne (që jemi prej mishi, gjaku e kocke), por që përbrenda janë prej…, po, po, prej lënde plastike që nga kockat deri te mishi. Këta të fundit janë tashmë të pranishëm, mendoj unë. Cilët janë këta? Me shumë gjasë pikërisht ata që i hedhin sendet plastike si farë për të mbirë kudo në Shqipëri! U betohem lexuesve të rubrikës sime se ka për të ardhur një ditë që në forcat tona të armatosura, gjysma e trupave dhe e kuadrove do të jenë të tillë, pra, homo plasticus, që ata do të kryejnë ndonjë puç, do të marrin pushtetin dhe do të na plastifikojnë të gjithëve. Atëherë do të kemi një President/Presidente Republike palsticus, një Kryeministër/Kryeministre palsticus, një kryetar/kryetare Kuvendi plasticus etj., etj., madje deri në shtratin bashkëshortor, ku burri dhe/ose gruaja do të jenë plasticus dhe do të lindin, ta pret mendja, fëmijë plasticus. Atëherë, në këto kushte, bashkësia ndërkombëtare do të na fusë në karantinë për një kohë të gjatë dhe shqiptarët homo plasticus do të luftojnë gjatë për jetë a vdekje me ata homo albanicus, të dyja palët të barabarta në numër dhe, rrjedhimisht, me shumë gjasë, të gjithë do të vriten me njëri-tjetrin; kështu, për herë të parë në historinë e vet, Shqipëria do të pushojë së ekzistuari dhe do të quhet Plastikland!