Qeveria përgatit evakuimin me helikopter të Ristanit

Nga Reporter
Shkruar ne 24 Maj 2011 ora 12:22pm

Policia e Shtetit ka një plan sekret për evakuimin e kryetarit të KQZ-së dhe personelit mbështetës, nga godina e Pallatit të Kongreseve, ku janë të vendosura zyrat dhe administrata e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. “Shekulli” ka dokumentin që provon se një plan i tillë është përgatitur nga Policia e Shtetit dhe është parashikuar të realizohet nga forcat e repartit elitë të forcave speciale të Policisë së Shtetit, RENEA.

Planëzimi dhe kryerja e tij është urdhëruar nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, me 20 maj. Urdhri mban numrin 492, dhe është protokolluar pikërisht në këtë datë në disa nga drejtoritë në varësi të Drejtorisë së Policisë së Shtetit, si Drejtoria e Forcave të Lëvizjes Operacionale dhe Operacioneve Speciale, Drejtoria e Policisë Rrugore, Drejtoria e Policisë së Qarkut të Tiranës, Drejtoria e Policisë së Rendit dhe Sigurisë.

Urdhri i Burgajt, mban titullin “Përgatitja e planit të operacionit për evakuimin e personelit të KQZ-së”.
“Urdhëroj: Drejtuesit e drejtorisë së forcave lëvizëse operacionale dhe të repartit special RENEA, të marrin të gjitha masat për kryerjen e studimit të plotë të ambienteve të jashtme dhe të brendshme ku është vendosur KQZ dhe mbi bazën e këtij studimi të përgatitet plani i operacionit “Për evakuimin e personelit të KQZ-së”, – thotë në urdhrin e tij të datës 20 maj, kreu i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj.

Në urdhër kërkohet që më së pari “të njihet kryetari i KQZ-së me planin operacional të evakuimit” dhe më tej sqaron se duhet të përcaktohen edhe mjetet e transportit që duhet të përdoren. Në këtë pikë thuhet: “në rrugë tokësore dhe ajrore”, – duke përcaktuar kështu edhe përdorimin e helikopterëve. Në shumë raste, RENEA përdor evakuimet me litar e madje këto të fundit janë më se të zakonshme për njësinë elitë.

Në urdhër nuk lihen pa përmendur edhe detajet se cili do të jetë personeli që do të kryejë operacionin e deri te drejtuesit dhe zëvendësit e drejtimit të operacionit në planin përkatës.

Drejtori Burgaj flet në këtë urdhër edhe për “armatimin dhe pajisjet speciale që do të përdoren, rrugët e lëvizjes gjatë afrimit dhe largimit, mjetet e komunikimit dhe kodet që do të përdoren…”. Po në këtë pikë, kreu i Policisë së Shtetit iu ka kërkuar strukturave në varësi të tij, edhe përcaktimin e vendit ku duhet të akomodohet personeli i KQZ-së, pas evakuimit. Në pikat 2, 3, 4 kreu i Policisë urdhëron departamentet dhe drejtoritë e tjera që “të marrin masat në mbështetje të operacionit”, si drejtorinë e Policisë Rrugore, të Drejtorisë së Tiranës etj.

Ish-Kreu i Gardës: Ky urdhër djeg të gjitha etapat e vendimmarrjes në situatë emergjencash

Arjan Rugji, ish- drejtues i lartë i Policisë së Shtetit dhe të Gardës së Republikës, e ka quajtur dje për “Shekullin”, urdhrin e para disa ditëve të drejtorit të Përgjithshëm të Policisë si antiligjor të pabazuar dhe tërësisht jashtë kompetencave të tij.

Sipas Rugjit, Drejtori i përgjithshëm i Policisë ka nxjerrë një urdhër kundër të gjithë kompetencave që atij i lejon dhe i adreson ligji. Rugji, në një intervistë të shkurtër, ka dhënë argumentet e tij duke kundërshtuar urdhrin e Burgajt, si dhe duke e cilësuar atë deri edhe antiligjor.

Z. Rugji, si ish-drejtues i Policisë dhe i Gardës së Republikës, si e cilësoni urdhrin e kreut të Policisë, për evakuimin e personelit të KQZ-së?

Urdhri bazohet në ligjin “Për Emergjencat Civile”, por në të kundërt nga mënyra se si është formuluar të jep idenë se urdhri është formuluar dhe dhënë për një kohë kur në fuqi duhet të jetë një vendim që shpall gjendjen emergjencës, apo gjendjen e jashtëzakonshme. Për më keq, plani operacional të jep idenë e një evakuimi në kohë lufte.

Aktualisht nuk ka asnjë vendim të qeverisë, apo ligj të parlamentit, për shpalljen e gjendjes së jashtë zakonshme, të emergjencës civile e aq më pak të gjendje së luftës.
Përpara se të dal tek kjo mund të them se gjatë këtyre ditëve ka pasur angazhim të RENEA-s, në një tubim apo protestë si dhe atyre të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë, çka bie ndesh me misionin e tyre dhe veçanërisht të RENEA-s që nuk ka mision garantimin e Rendit Publik, por vetëm zgjidhjen e situatave me elementë të armatosur dhe terroristë.

Misioni i RENEA-s, është e cilësuar edhe në emrin e saj, që do të thotë se është Repart i Neutralizimit të Elementëve të Armatosur. Për se duhet që RENEA të ndërhyjë në një operacion, ku nuk ka persona dhe njerëz të armatosur e aq më pak të ndërhyjë për të evakuuar njerëz nga institucione të ndryshme shtetërore?

Ju thoni se nuk ka gjendje të jashtëzakonshme, për një plan të tillë. Duhet të ketë një situatë për një operacion të tillë?

Sigurisht. Po të lexoni, edhe urdhri i kreut të Policisë ka bazë ligjore kryesore Ligjin e Emergjencave Civile. Në këtë rast mungon një ligj apo një vendim së paku, për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme. Në rastin konkret nuk është kompetencë e Policisë të kryejë veprime të tilla dhe të shpallë dhe të cilësojë gjendje të jashtëzakonshme apo të zakonshme. Më parë duhet të ketë veprime nga institucione të tjera që duhet të kryejnë detyrën e tyre dhe më pas në fund në se ka një rrezik real, vendos policia, nëse duhet të ndërhyjë apo jo.

Ky urdhër jo vetëm që shkel në mënyrë të hapur ligjin, por është dhe tërësisht i pabazuar. Mund të them se ai djeg të gjitha etapat e vendimmarrjes në situatë emergjencash.

Drejtori i Përgjithshëm argumenton se jashtë godinës së KQZ-së ka pasur njerëz që protestojnë…

Po nuk është Drejtori i Përgjithshëm i Policisë që vlerëson, nëse ka një gjendje të jashtëzakonshme apo jo, pasi është jashtë kompetencës së tij. Nëse ka një tubim jashtë zyrave të KQZ-së, ai ka forcat e policisë që kryejnë detyrën. Ai nuk mund të bëjë shpallje të gjendjeve të tilla, pasi nuk ka tagër ligjor. Ky lloj evakuimi, është një planifikim, siç ju thashë i parashikuar për një situatë lufte.

Ai plan aty përdoret për evakuimin, e personaliteteve të larta shtetërore, si kryeministri, zv.kryeministri, Kryetari i Parlamentit, Presidenti i Republikës, Prokurori i Përgjithshëm. As kryetari i KQZ-së, as ndonjë person nga personeli i KQZ-së, nuk gëzon atribute të tilla.

Po nëse kërkohet futja e Gardës?

Nëse mund të jetë përllogaritur, apo kërkohet ndërhyrja e Gardës së Republikës, mund të them që shkeljet ligjore janë akoma më të rënda dhe më flagrante. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, është hequr me ligj nga lista e institucioneve, të cilat duhet të ruhen nga Garda e Republikës. Madje, edhe kryetari i KQZ-së, nënkryetari, apo anëtarët KQZ-së, nuk mbrohen nga Garda e Republikës, pasi edhe ata janë përjashtuar me ligjin e fundit të Gardës.

Vetëm nëse ka ndonjë rrezik për sigurinë kombëtare, duhet të mobilizohen të gjitha strukturat shtetërore për realizimin e një evakuimi, që parashikon mbrojtjen e institucioneve apo personaliteteve të larta shtetërore. Në rastin konkret, nga mënyra se si është organizuar ky plan operacional, të le përshtypjen e një rrëmbimi të anëtarëve të KQZ-së, se sa evakuim i tyre për faktin se iu rrezikohet jeta.

Nga: Dashamir Biçaku