Raporti, Ministria e Drejtësisë: Ina Rama shkel Kushtetutën

Nga Dorjan
Shkruar ne 20 Mar 2012 ora 4:12pm

TIRANE – Ministria e Drejtësisë pas një inspektimi të hollësishëm akuzon Prokurorinë e Përgjithshme se ka shkelur Kushtetutën dhe ligjin në rastin e hetimit të çështjeve nga ana e prokurorëve të cilët nuk kanë respektuar afatet ligjore. 

Sipas raportit të kësaj ministri i cili i është dërguar anëtarëve të komisionit parlamentar të ligjeve, thuhet tekstualisht se: “Qëndrimi zyrtar i Ministrisë së Drejtësisë është se qëndrimi i Prokurorisë së Përgjithshme përbën pengesë të ushtrimit të mekanizmave kushtetues dhe ligjorë të kontrollit të pushteteve dhe organeve kushtetuese. Prokurori i Përgjithshëm në 3 raste ka kundërshtuar kontrollin e Ministrisë së Drejtësisë me argumentin se janë në kapërcim të kompetencave të parashikuara në nenin 56 të ligjit për prokurorinë. Në 10 raste kontrolli, Prokurorit të Përgjithshëm i është rekomanduar nisja e procedimit disiplinor për 59 prokurorë”.

Në raport thuhet se, nëpërmjet 16 kontrolleve të ushtruara është inspektuar veprimtaria e 12 prokurorive të shkallës së parë dhe të apelit. Konkretisht, rrethet gjyqësore të Dibrës, Elbasanit, Korçës, Kukësit, Kurbinit, Pogradecit, Shkodrës, Tiranë, Vlorë dhe Shkalla e Parë për Krimet e Rënda dhe 2 Prokurori Apeli në Durrës dhe Tiranë.
Gjithsej janë kontrolluar 653 procedime penale nga të cilat 121 në shkallën e parë dhe 532 procedime në apel. Inspektimet e zhvilluara kanë në periudhën e raportimit kanë mbuluar procedime penale të viteve 2005 deri në 2011. Nga 121 procedime penale të kontrolluara në shkallën e parë janë konstatuar me shkelje 49 procedime që i atribuohen 59 prokurorëve. Në 2 rastet e tjera u identifikuan shkelje të ligjit nga 6 prokurorë për të cilët kishin kaluar afati 3-vjeçar i parashikimit të përgjegjësive disiplinore. Nga 532 procedime penale të kontrolluara në apel janë konstatuar me shkelje 28 procedime që i atribuohen 13 prokurorëve. Sipas raportit të Ministrisë së Drejtësisë, ky tregues në apel është i limituar vetëm për politikën e dënimit sepse kontrolli u ushtrua me këtë objekt.
Në relacionin e Ministrisë së Drejtësisë bëhet e ditur se hetimet paraprake janë zgjatur përtej afateve ligjore të parashikuara në kodin e procedurës penale për 11 çështje. Në disa raste vendimet për zgjatjen e hetimeve paraprake përpilohen formalisht duke mos treguar në mënyrë të plotë shkakun e kompleksitetit të çështjeve apo pamundësive objektive për përfundimin e veprimeve hetimore paraqitjen identike në tekst me ndryshim vetëm të datës së nxjerrjes së tyre. Më tej thuhet në reapcion se shkeljet e afatit hetimor dhe zvarritja e hetimeve deformojnë në praktikë procesin e rregullt ligjor të mbrojtur nga nenet 28, 31 dhe 42 të Kushtetutës si dhe neni 6 i KEDNJ-së.

Sipas raportit, ato dëmtojnë rëndë përfundimin e procesit penal brenda një afati të arsyeshëm dhe duke sjellë pasoja edhe në të drejtën efektive të mbrojtjes në një proces penal. Shkelja e të drejtave themelore të subjekteve të procedimit penal është konstatuar në 16 çështje. Këto çështje janë konstatuar se kryhen nga prokurorët në çdo fazë të procedimit penal, në hetimet paraprake, në gjykimin dhe në ekzekutimin e vendimeve penale. Dërgimi administrativ i vonuar në gjykatë i çështjes penale pa shkaqe të dokumentuara ka vetëm një përfundim: Vonesa përdoret për të harruar në publik ngjarjen e ndodhur. Sipas raportit në këtë rast drejtësia e vonuar është drejtësi e mohuar.