Roberto Saviano: Në Shqipëri blihen votat

Nga Reporter
Shkruar ne 01 Mar 2011 ora 1:44pm

Shqipëria është një nga ato vende, ku libri “Gomorra” është shitur shumë. Jam i bindur që pasioni i lexuesit shqiptar, për shkrimet e mia vjen pikërisht nga kjo, nga fakti që nuk e ndjejnë historinë e librit, si histori të largët nga realiteti i tyre, por si një rrëfim për ta, si një rrëfim që e ndihmon qytetarin shqiptar për të kuptuar më mirë kohën, vendin dhe të tashmen e vet”.

Rudina Xhunga: Ritakohemi dy vjet, pas intervistës së parë. Çfarë reagimesh keni pasur nga shqiptarët?

Roberto Saviano: Shumë të zemëruar, kurse ndonjëri solidar. Shumë shqiptarë të diasporës, shqiptarët që jetojnë në Shtetet e Bashkuara, në Kanada, në Gjermani, në Itali, më kanë shkruar: Më në fund dikush që tregon fytyrën e errët të dinamikave shqiptare. Kurse ata të zemëruarit mendonin se e kisha tepruar në tonët, në analizat, kisha dhënë një imazh të keq të Shqipërisë dhe të Kosovës. Ndërsa unë kam përshtypjen se jam treguar i përmbajtur në krahasim me ato që lexoj në dokumentet e policive të ndryshme ndërkombëtare.

R.XH: Keni një tjetër lidhje me shqiptarët tani…

R.S: Po, po, një lidhje shumë të ngushtë. Madje më pëlqen të shoh që shqiptarët, duke parë televizionin italian, komentojnë sa herë që përmend Shqipërinë, në një revistë televizive apo në një emision. Është interesante, sepse unë jam i bindur se të kuptosh mafien italianë do të thotë të kuptosh mafien shqiptare. Dhe ky kontinuitet kulturor midis Italisë dhe Shqipërisë mund të krijojë një rezistencë kulturore. Ashtu siç ekziston një kulturë antimafie italiane, ekziston edhe një kulturë antimafie shqiptare.

R.XH: Sipas jush, problemi ynë është me imazhin, apo me besimin se nuk kemi mafie?

R.S: Unë mendoj se është sidomos një element që lidhet me imazhin. Edhe ky është një problem italian. I ngjajmë njëri-tjetrit edhe në këtë. Dua të them se të rrëfesh mbi mafien, do të thotë të mos i nënshtrohesh mafies. T’i bësh ballë mafies, do të thotë të tregosh se je një vend i shëndetshëm. Ndërsa kur, përkundrazi, ndodh të jesh mosbesues kundrejt argumentit të mafies, ke frikë se kjo mund të të ndotë imazhin, kjo është si të heshtësh para një krimi dhe nuk është aspak rezistencë ndaj mafies. Më duhet të them se qeveria italiane, vetë Berluskoni e përkufizoi “Gomorra”-n, librin tim, një vepër që e mbështet mafien, sepse sipas tij, në çastin kur flet për të, je duke e mbështetur. Ja, kjo logjikë është e rrezikshme, do të thosha, madje që përputhet me logjikën mafioze, (omerta) është hapi i parë për të mos vepruar kundër organizatave kriminale. Të flasësh për mafien nuk do të thotë aspak të përbaltësh. Përkundrazi, do të thotë të kërkosh të ndryshosh tokën tënde.

R.XH: Disa prej gazetave më të rëndësishme në Shqipëri kanë pyetje për ju. “Gazeta shqiptare” pyet për blerjen e votave, duke iu referuar një shkrimi tuajin, botuar në këtë gazetë, për Kamorran dhe votat.

R.S: E qartë. Madje, le të themi se Italia, Shqipëria, Maqedonia, Greqia, Algjeria dhe Egjipti, janë vende që kanë një sistem klientelist të kontrollit të votës, të ngjashëm. Në Shqipëri blihen vota. Në Greqi blihen vota. Në Egjipt, në Turqi, blihen vota. Nuk shkëmbehen vota. Duket një dallim i padëmshëm, e përkundrazi është i thellë. Të shkëmbesh vota do të thotë, unë të jap një punë dhe ti në këmbim më voto. Edhe ky është një mekanizëm që e komprometon demokracinë, sepse puna do të duhej të ishte e garantuar pavarësisht nga rreshtimi yt politik, por e shtyn dhe e shtrëngon organizatën politike të gjejë mënyrën për t’i futur njerëzit në punë. Ndërsa të blesh votën do të thotë se ti për pesëdhjetë euro, apo shumë më pak, jep një votë. Për një pazar të paguar, ushqimet p.sh, ose faturat e energjisë elektrike, ujit, telefonit, të paguara. Kështu që, edhe partia, kryebashkiaku, deputeti, as nuk duhet të punojë për të ndërtuar mundësinë e punës. I mjafton të ketë pak kapital. Në Itali ekzistojnë vendet në parlament me pagesë. Domethënë, me 60 mijë euro blen një vend në parlament në një fshat të vogël. Sipas meje, në Shqipëri është punuar pak në këtë drejtim. Domethënë, shteti nuk ka punuar pothuajse fare, pak më shumë gazetarët. Njësoj edhe në Egjipt, Libi, Turqi. Në këto vende punohet shumë pak mbi votat e shkëmbimit. Janë demokraci me kapital mafioz, në masën që kur mafiet japin para’ në dorë, mund të blejnë feta të stërmëdha vote. Dhe mund të blejnë edhe njerëz që nuk kanë aspak të njëjtin mendim me politikanin që po votojnë. Shpesh ndodh që liderë politikë të shkojnë në këto territore, mendoj në hinterlandin e Shqipërisë për shembull, dhe gjejnë miratim të gjerë, por pastaj fiton gjithnjë qeveria. Sepse të njëjtët njerëz që mbase duartrokasin një lider, nuk mund ta votojnë, ngaqë ai lider nuk u ka dhënë aq para’ sa duheshin. Ndërsa lideri fitues i ofron një punë për një të afërm, ose i jep një licencë për të hapur një dyqan. Sado që ne mund ta bindim dikë të votojë, nëse pastaj vjen dikush që e blen atë votë, ç’demokraci ështëë!

R.XH: Një pyetje tjetër vjen nga gazeta “Tirana Observer”, që ka të bëjë me mafian dhe investimet e huaja në Shqipëri.

R.S: Sigurisht, po. Atëherë, e kuptoj që është komplekse. Të dhënat janë të vërtetueshme në të gjitha hetimet, të cilat gazetarët shqiptarë mund t’ia kërkojnë drejtorisë kombëtare antimafie që ka të bëjë me Shqipërinë nga vitet ’90 deri sot. Nëse ti dëshiron të hapësh një fabrikë në Shqipëri dhe je italian, francez apo serb duhet t’i drejtohesh dikujt. Në përgjithësi ky dikush është një ndërmjetës mafioz që ndërmjetëson midis politikës lokale dhe politikës qendrore. Domethënë, unë dua në bregdetin shqiptar të hap diçka. Duhet të paguaj një ndërmjetës që të më sigurojë autorizimin politik, pra burokratik, dhe autorizimin mafioz. Nëse e bën pa këtë ndërmjetës kohët janë të pafundme, telashet janë të pafundme, burokracia ndalet, dhe mafiet vijnë e trokasin. Por më çudit që rezulton e re për ju shqiptarët, sepse kjo ndodh ngahera…

R.XH: Ku ndodh, si, me kë?

R.S: Është çmenduri! Do të të mjaftonte të pyesje çfarëdolloj sipërmarrësi që nuk ka frikë të flasë. Çfarëdolloj sipërmarrësi! Me një fjalë, nëse unë nesër shtirem si sipërmarrës dhe dua të hap një veprimtari në Shqipëri, është e natyrshme që do të vijnë të m’i kërkojnë paratë. Vijnë të më kërkojnë paratë familjet e Tiranës që vendosin për çdo kokrrizë që lëviz nga vendi në Shqipëri. Vijnë të m’i kërkojnë familjet e Prishtinës, nëse shkoj në Kosovë. Vijnë të m’i kërkojnë në Nju Jork, nëse jam shqiptar dhe shkoj të investoj në Nju Jork, sepse natyrisht edhe atje janë familjet.…

R.XH: Cilat janë familjet?

R.S: Është e çuditshme, sepse kujtoja se ishte e vërtetuar tashmë në kulturën shqiptare që familjet mafioze shqiptare kanë për fat të keq një rol shtypës të popullit shqiptar. Është një hetim që u krye në 2009-ën, që ka të bëjë me Ndranghetën e Kozencës, një hetim që flet për një aleancë midis Ndrangetës dhe mafies shqiptare dhe që e kanë administruar prokuroritë kalabreze. Ky hetim tregon se si shqiptarët dhe kalabrezët kanë formuar një strukturë të vetme kriminale. Shqiptarët japin dhjetë kilogramë heroinë në këmbim të pesë kilogramëve kokainë dhe investojnë në çdo sektor: kamionë, ndërmarrje ndërtimi, veshjet e rrugëve, riciklimin e mbeturinave, hotele… Prandaj habitem se si është e mundur që shqiptarët nuk i dinë të gjitha këtoë! Është e vërtetë që pjesa më e madhe e hetimeve janë italiane, dhe janë italianë sepse tashmë shqiptarët para së gjithash flasin italisht, përdorin kodin mafioz italian, përzihen me familjet italianë dhe sot maqedonasi konsiderohet i huaj, marokeni konsiderohet i huaj, shqiptari konsiderohet italian. Për herë të parë Kamorra, për shembull, ka anëtarë shqiptarë, të cilët nuk i konsideron të huaj. Shqiptari di të bëjë mafie. Italiani mafioz ka besim te shqiptari mafioz, sepse është i lidhur me gjakun, të afërmin, sepse ka një marrëdhënie me femrën identike me atë që ka një italian. Për shembull, nuk kanë besim te mafiozët rusë. Nuk kanë besim te serbët; bëhen tapë, janë shumë të lidhur me një kodin e tyre të pakuptueshëm për një mafioz italian. Hetimi që përmenda ka nisur në ’91-shin. Ishte ndërkaq një hetim tjetër në ’91-shin. Mjafton të hysh në Google dhe të shkruash Ndrangheta Albania, Camorra Albania, Sacra Corona Albani, dalin të gjitha hetimet që kanë bërë prokuroritë italianë. Tani pyes veten se si mund të mendohet që mafia shqiptare është e fuqishme në Itali dhe jo në Shqipërië! Dhe duke mos folur për këtë në këto vite, ka krijuar një heshtje që atyre u leverdis. Nëse shkon te FBI-ja në Nju Jork, ka policë me origjinë shqiptare që punojnë vetëm mbi mafien shqiptare aty. Prandaj çuditem sa herë që më mbërrijnë e-mail-e të djemve apo vajzave shqiptare që më shkruajnë në Facebook dhe më thonë: Si është e mundur që këto histori nuk i dëgjoj ose i dëgjoj pak këtuë Edhe unë e pyes veten, nuk e di se si është e mundur.

R.XH: Një pyetje tjetër vjen nga Gazeta “Shqip”, në lidhje me biznesin e çimentos…

R.S: Për këtë, për shembull, unë nuk kam të dhëna të reja, në kuptimin se nuk më duket se prokuroritë shqiptare kanë bërë hetime të mëdha mbi ciklin e çimentos tani për tani. Ndoshta po hetojnë. Është e natyrshme, mafia shqiptare investon gjithçka në çimento. Duhet betonizuar gjithë hinterlandi shqiptar, gjithë jugu, është e afërt ardhja e emigrantëve në Shqipëri. Cikli i çimentos është në dorën e tyre. Për shumë arsye. Para së gjithash, është një biznes shumë i madh, kështu që mund të fitosh shumë. Eshtë një biznes i thjeshtë, i kontrollueshëm në kuptimin që betonieren e një konkurrentit tënd e ndalon, siç bëhet edhe në Itali. Vjen betonierja e dikujt që ka fituar një sipërmarrje, e ndalon, e urdhëron ta fikë çimenton, çimentoja thahet. Kështu humbasin kamionin, betonieren dhe punën. Në atë pikë thonë, mirë, sipërmarrjen e ke fituar ti. Kështu që është edhe diçka e kontrollueshme për organizatën në krahasim me veprimtari të tjera jomateriale. Dhe pastaj, gjëja tjetër jo e dorës së dytë, kërkon shumë forcë pune, që do të thotë kontroll politik, kontroll territorial, miratim në territor, riciklim (domethënë ato apartamente i blen ti, pastaj i riciklon, pastaj i shet përsëri). Është e natyrshme që sot, qendra e biznesit në Shqipëri është çimentoja.

R.XH: Kush është pas biznesit të çimentos, sipas jush?

R.S: Unë kam ndjesinë, flas thjesht nga ndjesia që kam sepse nuk kam të dhëna, se me çimenton kanë të bëjnë mafiozët shqiptarë, jo italianët. Sepse, nëse do të duhej të kishin të bënin mafiozët italianë, ose më mirë, mbase italianët kanë dhënë shtytjen fillestare, do të thotë se italianët po komandojnë tashmë në territorin shqiptar, dhe këtë nuk e besoj. Në Malin e Zi dhe në Shqipëri, italianët kanë qenë gjithnjë mysafirë. Investitorë shumë të mëdhenj, por mafiet e këtyre vendeve nuk e lejojnë kontrollin territorial, siç ndodh për shembull në Gjermani. Italianët kontrollojnë territorin gjerman, por nuk e kontrollojnë territorin shqiptar. Investojnë, jetojnë atje, por nuk e kontrollojnë.

R.XH: Atëherë, kush e kontrollon territorin shqiptar?

R.S: Mafiet shqiptare! Mafiet shqiptare kontrollojnë Shqipërinë, Kosovën dhe Veriun e Maqedonisë, atje ku ka shqiptarë kërkojnë të futen, ndër të tjera duke e shtypur popullsinë shqiptare. Një gjë shumë e bukur që më kanë thënë në Gjermani ishte se për shembull, kur mafia kosovare u orvat në Gjermani të merrte pushtetin nëpërmjet riciklimit të lavanderive, të kontrollonte krahun e punës, të kontrollonte udhëtimet, domethënë ushqimet, paratë, veshjet që kosovarët dërgojnë në Kosovë, kur u rrek mafia kosovare, pjesa e ndershme e komunitetit kosovar iu kundërvu dhe kjo merret gjithnjë si shembull për të thënë se kur pjesa e shëndetshme bashkohet, nuk ka shpresë për kriminalitetin. Sipas meje sot të reagosh keq, kur dikush tregon për mafien shqiptare, do të thotë t’i japësh një dorë mafies shqiptare, në vend që të bashkosh pjesën më të madhe të vendit, që natyrisht është e shëndetshme, kundër mafias.

R.XH: Gazeta “Shekulli” pyet për plehrat, dhe ligjin që ka lehtësuar taksat doganore për to në Shqipëri, miratuar disa javë më parë.

R.S: Po, jam në dijeni të kësaj uljeje të taksave doganore dhe është një problem. Nuk e di sesa ndikim ka në këtë kriminaliteti i organizuar dhe se sa dinakëria politike. Atje ku ka shumë hapësirë, ka shumë biznes për mbeturinat. Dhe kështu që këshilla që do t’i jepja publikut shqiptar, është: Kujdes! Çdo minierë do t’ju shndërrohet në një vendshkarkim mbeturinash, çdo fabrikë e braktisur do t’ju shndërrohet në një magazinë plehrash. Italia po sheh, (dhe jo vetëm Italia mafioze), po sheh në hapësirën shqiptare një biznes për mbeturinat. Sa më shumë dëshirë ka për të bërë biznës nga ana e shqiptarëve, aq më eksponencial është rreziku gjeografik, biologjik, natyror për Shqipërinë. Kështu që ky operacion, nëse nuk kontrollohet, pas pesë vjetësh në do të takohemi përsëri dhe do të themi se si vallë periferitë e qyteteve shqiptare, fshatrat shqiptare janë plot me mbeturina toksike, mbeturina italianë, mbeturina ballkanike. Pra, bëni shumë kujdes! Cikli i mbeturinave, nëse është i qartë, i kontrolluar në çdo kalim të tijin, mund të shndërrohet në një biznës për kombin shqiptar. Por nëse nuk është i kontrolluar, rrezikon të bëhet një gropë që duhet mbushur me mbeturina legale. Kështu që, bëni kujdes me këtë që po ndodh!

R.XH: Të bëjmë kujdes nga Italia?

R.S: Po sigurisht! Çështja e mbeturina në Itali është natyrisht para syve të të gjithëve për shkak të skandalit napoletan, që tregon paaftësinë e një vendi për të arritur të organizojë një cikël të mbeturinave, sepse ai kaos sjell tonelata parash. Skandali i mbeturinave në Napoli ka prodhuar aq para’për Kampanian sa janë të barabarta me dy buxhete vjetore të shtetit, domethënë paratë që një shtet vendos për të qeverisur një vit atë vend, u shpenzuan vetëm për Napolin. Kështu që kjo donte të thoshte se sa më shumë nuk e zgjidh, aq më mirë është, për mafien, e aq më keq për qytetarët. Prandaj them, kujdes! Ky është hapi i parë për të bërë që të ndodhë në Shqipëri, jo thjesht ajo që po ndodh në Napoli, por për ta mbushur pjesën që nuk shihet, fshatrat, guroret, minierat e braktisura, për t’i mbushur të gjitha këto me plehra dhe për t’i sjellë fitime atij që ndërmjetëson në këto transporte.

R.XH: Po vazhdoni të hetoni për mafien shqiptare?

R.S: Po, për mua nuk është më një mafie e huaj. Unë kur merrem me mafien shqiptare, merrem me mafien e tokës sime, ashtu siç merrem me mafien nigerianë. Kastel Volturno, që është një territor afër shtëpisë sime, është në dorë të mafies nigerianë. Kështu që unë merrem me mafien nigerianë ashtu siç merrem me mafien e vendit tim, të kulturës sime, madje të mungesës sime të qytetërimit, të mungesës së qytetërimit që sundon tokën time, lëndon tokën time. Mafia shqiptare nuk ka më asgjë të largët. Mafia shqiptare flet italisht, ndjek logjikat italianë, është tërësisht e brendshme në organizatën italianë. Jam i bindur se, ose i jepet fund me këtë heshtje para krimeve, që e ka pak kultura shqiptare, intelektuale, domethënë të ndjerit i lënduar, i fyer kur të flasin për këto gjëra. Për të marrë një shembull praktik: gazetat shqiptare, revistat televizive shqiptare duhet t’i hapin të përditshmet e tyre me lajmin e hetimeve që ndodhin në Itali, kur aty ka shqiptarë të përfshirë, sepse të lejon të kuptosh më shumë. Kur Prokuroria e Kozencës tregon se Ndrangheta dhe mafia shqiptare janë strukturuar tashmë në një organizatë të vetme, ky lajm që duhet të hapë revistat televizive, s’ekziston. Vetëm shkruhet sikur lajmi ka të bëjë me pesë gangsterë të izoluar. Jo, jo, jo, nuk mund të mendohet kështu. Edhe për shembull, që femrat shqiptare në krahasim me dhjetë-pesëmbëdhjetë vjet më parë, janë më pak të pranishme në tregun e prostitucionit, kjo ndodh ngaqë kanë ardhur rumunët dhe organizatat shqiptare janë bërë më të pasura. Kështu që organizatat shqiptare, nëse munden, e shmangin të qëndrojnë në kuadrin e prostitucionit dhe qëndrojnë në kuadrin e narkotrafikëve. Shqiptarët, për shembull, sot e administrojnë prostitucionin, më shumë sesa nxjerrin në rrugë shqiptaret, siç ndodhte deri dje. Dhe meqë për fat të keq ka ende prostituta shqiptare, janë sidoqoftë të organizatave më të brishta, sipas këndvështrimit tim. Sot është në dorë të rumunëve. Shpesh rumunët komandohen nga shqiptarët. Tani, po e përsëris, të gjitha këto unë i quaj të ditura, sepse është përditshmëria e punës sime. Kështu që kur më mbërrijnë e-mail-e të tipit: “Po si është e mundurë! Për cilin vend e ke fjalënë! Ky nuk është vendi që njoh unë! Unë jetoj këtu!”, – unë çuditem.

R.XH: I përgjigjeni e-mail-eve?

R.S: Nganjëherë po, nganjëherë jo. Përpiqem t’u përgjigjem nëpërmjet hetimeve dhe burimeve të mia.

R.XH: Mafia dhe politika shqiptare…

R.S: Ja, në këtë për shembull, është e natyrshme që ka shumë pak hetime. Nuk është se italianët mund të flasin apo të bëjnë hetime mbi qeverinë shqiptare. Por kontaktet janë jashtëzakonisht të shumta. Më kujtohet Lelo Amato. Lelo Amatoja ishte një drejtues i kartelit të Sekondiljanos, në Napoli. Dy herë ka qenë i përzier me shqiptarët. Ai konsiderohet një perandor i vogël, në Spanjë dhe në Shqipëri. Sot është në burg në Itali. Ai u përzie dy herë me shqiptarët. Herën e parë trafikonte hashash, madje me djalin e një ambasadori, unë e përmend te “Gomorra”, me djalin e një ambasadori shqiptar në Itali. Ky djalë e ndihmonte të trafikonte, po flasim për fundin e viteve ’90, të trafikonte hashash midis Italisë dhe Shqipërisë. Herën e dytë, madje u hap një hetim që bashkonte kartelet shqiptare, kartelet puljeze dhe kartelet napoletane. Dhe ai në Shqipëri shkonte vazhdimisht, duke blerë toka, duke blerë magazinë, duke administruar kamionë. Ja, prandaj them që me siguri politika shqiptare ka kontakte… nuk mund të mos flasë me mafien. Nuk mund të mendohet! Nuk mund të mendohet! Kodet e Kanunit, që të kuptohemi, janë shumë magjepsëse për intelektualin italian që studion këto gjëra, por në fakt për mafien është diçka tjetër.
Kanunin e shoh shumë të pranishëm në qëndrimin e mafiozit shqiptar. Si dhe të një mafiozi italian. Kur arrestuan një bos të Ndranghetës, Rabiton, ishte vonë, ishte natën vonë, dhe i dhanë një panine. Një bos nuk mund të hajë ushqim të ofruar nga një polic, nga një gjykatës, sepse për jugorin në përgjithësi, të hash do të thotë të ndash. Në fakt, kur unë duhet të mbaj distancë kundrejt teje, them: “Po se mos kemi ngrënë në të njëjtën pjatë! Po pse?! Mos kam ngrënë ndonjëherë bukë me tyë!”, njësoj sikur të hash bukë të jetë një mënyrë intimiteti. Por ky plak filloi të kishte uri, kishte frikë nga ndonjë rënie tensioni, kështu që duhej të hante. E merr këtë panine, çohet në këmbë, po flasim për një burrë 80-vjeçar, kthehet me fytyrë nga muri dhe ha. Në mënyrë që askush prej të pranishmëve të mos mund të thoshte: “Hëngri bashkë me ne”. Tani nuk donte të thoshte asgjë, apo joë Ai ishte një bos që u arrestua, burgim të përjetshëm, nuk do të pendohej, ç’kuptim kishte të hante ashtu në tryezë. Këto simbole janë themelore, sepse krijojnë disiplinë. Të respektosh, kur është e rëndësishme, disa çaste, domethënë disa rituale, disa rrugë, është e rëndësishme në kodin e mafias. Kjo i krijon siguri italianit që trafikon me një mafioz shqiptar.
Edhe në çështjen politike, në muajt e ardhshëm, nëse qeveria shqiptare do ta lejojë dhe nuk do ta persekutojë Prokurorinë, jam i bindur që do të dalin shumë gjëra. Do të dalin shumë gjëra, sepse pushteti shqiptar, të cilin unë e studioj që këtej, pushteti i mafieve shqiptare është eksponencial. Nuk është se nga intervista e fundit kam parë ndonjë ndryshim. Përkundrazi, kam parë prokurorë guximtarë të izoluar, gazetarë të guximshëm të izoluar, policë guximtarë që shmangen, por një det me korrupsion…

R.XH: Ju po e ndiqni atë që po ndodh në Shqipëri, kriza, protestat, të vrarët?

R.S: Po. Po, pashë shumë dhe më bëri shumë përshtypje. Mendoj se është një moment i vështirë që do të çojë në një ripërtëritje. Dhe jam i bindur, demokracia shqiptare nuk do të mundë dot kurrë të mbërrijë në pjekuri, pa u çliruar më në fund nga spektri i mallkuar i komunistëve, nuk do të mundë dot kurrë të mbërrijë në pjekuri nëse nuk përballon dhe nuk ndalon problemin mafioz. E njëjta gjë ndodh në Malin e Zi, që të kuptohemi. Është një situatë shumë e ndryshme, por totalitarizmi komunist ka një vazhdimësi te mafiet: monopoli, frika nga kontrolli, nga dhuna dhe nga balta. Kështu që po u referohesha dokumenteve të shërbimeve të fshehta shqiptare që nuk janë më të sekretuara. Nuk e di, me siguri duhet të ketë ndonjë kërkues që po i studion dokumentet e Sigurimit, por i ftoj vëzhguesit shqiptarë t’i studiojnë ato dokumente, sepse vërtetojnë zyrtarisht marrëdhëniet midis Kamorrës dhe shtetit shqiptar, para rënies së regjimit komunist. Përkon, të paktën nga këto dokumente, me fundin e marrëdhënieve midis Kinës dhe Shqipërisë. Shqipëria përjetoi një krizë shumë të ndërlikuar dhe udhëheqës të shtetit shqiptar të regjimit komunist takuan drejtues të Kamorrës napoletane, në veçanti Paskuale Galason dhe Mikele Xaxan, të cilët e pranuan karkesën e Shqipërisë për të shitur armë, armë që Kamorra ua shet palestinezëve, irlandezëve, të gjitha karteleve kriminale që duan. Armë shqiptare të shitura nga Kamorra. Në këmbim, Shqipëria u ofron mbështetje në rrugët ujore për kontrabandën e cigareve, mikpritje të të fshehurve, pra anëtarëve të Kamorrës, dhe meqë po flasim për regjimin komunist, nuk mund t’u ofronte tregun e lirë, sepse nuk ekzistonte tregu. Por kur regjimi ra, ata i kishin ndërkaq të gjitha pikat e referimit atje, sepse ata gjeneralë, ata ambasadorë, ata funksionarë komunistë që pastaj u bënë demokratë, dhe në atë pikë u dhanë lejet për të hapur fabrikat, mundësinë për të investuar në banka. Kamorra asokohe u jepte shqiptarëve edhe shkopinj gome për policinë, bombat gazlotsjellëse, gjithë këto gjëra. Është e shkruajtur në ato dokumente. Sepse Shqipëria në kohen e regjimi komunist, instrumentet e shtypjes sovjetikëve nuk ua kërkonin dhe kinezët nuk ua jepnin. Dhe ua jepte Kamorra. Kjo është e rëndësishme të kujtohet: sepse shqiptarët që kanë vuajtur në ato vite shtypjen e regjimit komunist, kjo shtypje ushtrohej me prangat dhe armët që Kamorra i jepte regjimit, gjithnjë nëse këto dokumente janë të vërteta. Dhe sidomos, edhe një element tjetër është se borgjezia shqiptare që po kuptonte që regjimi po binte, filloi të strukturohet falë marrëdhënieve me kriminalitetin e organizuar, që i jepte valutë të huaj. Kështu që në këtë rast, sinjalizohet në dokumentet e shërbimeve të fshehta, se valuta që Kamorra u jepte shqiptarëve ishte valutë spanjolle. Meqë Kamorra napoletanë ishte e fortë në Spanjë, nuk jepnin lireta, por jepnin para’ spanjolle. Para’ spanjolle që këta i vinin mënjanë që të mund t’u qaseshin tregjeve që kishin rëndësi për të blerë nga makinat te rrobat, nga informacionet te kokaina, sepse monedha shqiptare natyrisht që nuk vlente fare në rrafshin ndërkombëtar. Tani fakti që e gjithë kjo nuk është një debat i vazhdueshëm në Shqipëri, tregon se ka një dobësi, dhe kjo dobësi është e rrezikshme. Nuk jam unë ai që po ju tregoj një vend që nuk ekziston. Unë kam frikë se ka shumë shqiptarë që e shikojnë vendin e tyre në mënyrë dritëshkurtër. Vendi që ata kujtojnë se ekziston, nuk ekziston.

R.XH: Në Tiranë po flitet për demokracinë, në një kohë kur dipomatë të huaj, madje edhe italianë, flasin për stabilitet.

R.S: Sigurisht, kjo është një shenjë pozitive. Edhe revoltat ishin një shenjë pozitive. Njerëzit kuptojnë se demokraci do të thotë lumturi, përmirësim i mirëqenies fizike, intelektuale. Kështu që nuk është diçka abstrakte, të cilën mund ta shkëmbesh shumë mirë me pak siguri. Diplomatët natyrisht flasin për stabilitet, sepse kanë nevojë për një aleancë me qeverinë shqiptare. Të tregosh lidhjet që qeveria shqiptare ka me organizatat kriminale është edhe një mënyrë për t’i mësuar qeverive të huaja, ç’marrëdhënie të mbajnë, me kë të mbajnë marrëdhënie. P.sh, politika e jashtme italianë e viteve të fundit është katastrofike: marrëdhënie me Libinë, marrëdhënie me Bjellorusinë, marrëdhënie me Putinin, domethënë, gjithçka që është larg demokracive, i pëlqen Berluskonit. Mund të duket si një batutë, por atij i leverdis, sepse është unaza e dobët e Europës. Gjermania, vështirë se do ta priste Gedafin me nderimet me të cilat pritet në Itali. Berluskoni e di këtë, dhe kështu që i shfrytëzon marrëdhëniet e këqija të këtyre shteteve me shtetet e tjera europiane për të pasur marrëdhënie të privilegjuara ai vetë. Shqipëria bën pjesë në këtë dinamikë. Por mendoj se i kanë orët të numëruara, që të dyja qeveritë.
Sepse popullsia, kam ndjesinë, ose është thjesht një shpresë, njerëzit nuk pranojnë më, nuk e ndjekin më linjën qeveritare, po e kuptojnë gjithnjë e më shumë se çfarë është bërë. Qeverive iu mbeten besnikët. Besnikët janë të pamposhtur. Çfarëdolloj gjëje të bëjë shefi, ata do ta ndjekin pas deri në fund. Por ata nuk ngrenë peshë, ose më mirë mund të kenë rëndësi në këtë fazë, por në Shqipëri ka një ajër të ri.

R.XH: Më pëlqen slogani juaj: “Nëse jo tani, kur?”