Rona Nishliu, mbi 200 mijë klikime për “Suus”

Nga Dorjan
Shkruar ne 25 Maj 2012 ora 3:25pm

Performanca e Shqipërisë ishte shpërthyese. Rona Nishliu duhet të ketë disa mushkëri. Ishte e pabesueshme që ajo mundi t’i mbajë ato nota për aq kohë të gjatë”. Kështu shkruan për Ronën një gazetare irlandeze që ka ndjekur Festivalin Europian të këngës. Ajo vijon më tej vlerësimin e saj me këto fjalë: “Reagimi i publikut kur ajo arriti në notat më të larta, i tha të gjitha. Unë nuk isha shumë e sigurt për veshjen e saj, po ajo vajzë ka talent. Nëse nuk do të jetë në treshen e parë do të shokohesha”. Përveç vlerësimit profesional që e kemi përcjellë deri më tani, komentet pozitive nuk kanë munguar as nga publiku i thjeshtë. “Rona, je më e mira. “BBC”, “Die Press Austria”, “Corriere della Sera” të kanë klasifikuar si këngëtaren më të mirë e me këngën më të mirë. Je krahasuar me Aretha Franklin, Chaka Khan, Bjork. Këndimi yt është kaq kuptimplotë dhe plot emocione, sa nuk mund të krahasohet me muzikën komerciale që ata sjellin. Do votoj për ty”, -shkruhet në uebsajtin e esctoday.com.
Por, në disa raste janë harruar dhe etnitë e inatet mes tyre. Veçojmë një djalosh serb, i cili pasi shpreh ngushëllime për tragjedinë e Himarës, shkruan se Rona ka qenë shumë e fortë që mundi të këndojë pas kësaj. “Më vjen keq që nuk mund të votoj për të, sepse Serbia nuk është në këtë gjysmë finale, e ky është një rregull idiot”. Mendimet se ajo duhet të jetë në treshen e parë i gjejmë të shprehura në disa vende.
Mbyllet ueb-faqja ku ajo ishte favorite
Ueb-faqja në të cilën këngëtarja Rona Nishliu qe favorite në votimet online është mbyllur. Deri në një moment Rona udhëhiqte me 37.6 për qind të votave, ku kishte marrë më shumë se 500 vota. Nuk dihen arsyet e mbylljes së faqes dhe kush e ka hapur anketën. Votimi ishte lançuar parmbrëmë në faqen “eurovisionstar.com”, e ku ndiqej nga Suedia, një këngë që konsiderohet favorit sivjet, me 10.5 për qind të votave. Vendet e tjera pas Shqipërisë dhe Suedisë janë: Greqia, Bosnja dhe Hercegovina, Serbia dhe Turqia. Rona përfaqëson Shqipërinë me këngën “Suus” në edicionin e sivjetshëm të Eurovizion 2012. Votimi mund të bëhej në këtë adresë: http://www.eurovisionstar.com/5-which-country-will-win-the-2012-esc-vote-now.
Vlerësime
Rona Nishliu me zërin e saj ka tërhequr vëmendjen e të pranishmëve, me këngën “Suus”. Pas paraqitjes fenomenale të saj, të nesërmen shumë media ndërkombëtare kanë vërshuar me komente të ndryshme për Ronën. Ata e kanë mbështetur këngëtaren kosovare që përfaqëson Shqipërinë, duke dhënë kritika të mira për paraqitjen e saj. Gazeta italiane “Corriere della Sera”, në edicionin online të saj e krahason këngëtaren shqiptare nga Kosova për potencialin e saj vokal me mbretëreshën e muzikës “soul” Aretha Franklin apo mbretëreshën e muzikës “funk”, Chaka Khan. “Rona, mbretëresha e Shqipërisë”, shkruan kjo gazetë, duke shtuar më pas disa detaje nga ky festival, që çuditërisht në këto kohë krize financiare globale është më i kushtueshmi në historinë e festivaleve europiane të muzikës. Ndërsa televizioni spanjoll TVE ndalet edhe më gjerësisht, duke dhënë një biografi të këngëtares kosovare Rona Nishliu. “Rona Nishliu është këngëtarja e parë nga Kosova që përfaqëson Shqipërinë në Eurovizion. Ajo paraqitet me këngën “Suus”, një baladë me vështirësi të mëdha vokale.
E lindur më 1986 në Mitrovicë, Rona, kur ishte vetëm 18 vjeç ishte një super yll në vendin e saj, duke marrë pjesë në programin për talentet e reja “Ethet e së premtes mbrëma”, një nga programet më të popullarizuara televizive, ku me zërin e saj befasoi jo vetëm publikun, por edhe jurinë”, shkruan TVE, duke përmendur gjithashtu krahasimin që po i bëhet asaj me këngëtaret shumë të njohura, Aretha Franklin dhe Chaka Khan. TVE në këtë shkrim paraqiti edhe tekstin komplet të kësaj kënge.
Klikimet në youtube
Nga ana tjetër, klikime të shumta ka pasur kënga menjëherë pas performimit në festival. Që paraqitja e saj ka pasur një ndikim të madh e tregojnë edhe klikimet, që deri në orët e vona të natës kishin tejkaluar më shumë se 70 000 të tilla, ndërsa edhe me “pëlqimet” në Facebook kënga e Ronës tashmë i ka kaluar 1 milion. Duhet shtuar se, në fillim shumë skeptikë kishin thënë se kënga nuk do të shkojë tutje për shkak se në Eurovizion nuk ka këngë të nivelit të lartë artistik.
Kinezja
Që “Suus” ka lënë mbresa jo vetëm te shqiptarët por edhe te publiku ndërkombëtar, e tregon edhe një vajzë kineze me banim në Finlandë, e cila ka postuar veten duke kënduar në youtube. Interpretimi i saj po ashtu po bën bujë nëpër Evropë, për shkak se kinezja me nënshtetësi finlandeze këndon në gjuhën shqipe.