Rrëfimi: Autobusi, defekt para një jave në Sarandë.

Nga Dinejda
Shkruar ne 23 Maj 2012 ora 5:31pm

TIRANE-Fakte të reja dalin në dritë 48 orë pas aksidentit tragjik, ku humbën jetën 13 studentet e universitetit “Aleksandër Xhuvani” të Elbasanit. Referuar dëshmive të shoqeve të viktimave, të cilat vetëm një javë më parë kishin qenë në Sarandë për të njëjtën ekspeditë, me të njëjtin autobus dhe me të njëjtin shofer, mësohet se gjatë atij udhëtimi, autobusi ka pasur probleme të shumta teknike. Gjithnjë sipas studenteve të Histori-Gjeografisë, të cilat ishin pjesë e kësaj ekspedite, shoferi ka ndaluar për 30 minuta për të rregulluar një defekt në mjet, e më pas janë nisur sërish për udhëtim. Ky fakt, përforcon akoma më shumë pistën e problemeve teknike të autobusit, të cilat më pas kanë sjellë dhe ngjarjen tragjike. 

Ndërkaq, njëra prej shoqeve të Denisa Guzit, e cila jetonte në të njëjtin kat me të në konviktin e Qytetit Studenti, tregon momentet e fundit kur kishte kontaktuar me Guzin, si dhe shpjegon me hollësi incidentin e ndodhur një javë më parë, gjatë ekspeditës së studentëve të Histori-Gjeografisë.
Ju keni jetuar disa vite me Denisën në të njëjtin kat dhe keni pasur shumë miqësi me të. A mund të na thoni si ishte ajo si vajzë?
Denisa ishte një prej vajzave më të mira. Ishte vajzë shumë e qetë dhe nuk konfliktohej me asnjë. Ishte një studente e mirë dhe shumë e dhënë pas letërsisë.
A mund të na thoni si e ka pritur lajmin që do nisej për në ekspeditë në Sarandë?
Ishte shumë e lumtur për ekspeditën dhe mezi e priste. Kishte dy javë që përgatitej për atë udhëtim, por rezultoi që ishte udhëtimi i fundit i jetës së saj.
Ju, si e morët vesh lajmin për aksidentin tragjik?
Ishin të afërmit e mi që më telefonuan, pasi kishin dëgjuar për aksidentin, dhe aty pastaj u përhap menjëherë lajmi në të gjithë konviktin. Pati nga ata studentë që nuk pushonin së qari, madje një vajze i ra të fikët dhe një djalë u dërgua në spital, pasi kishte të dashurën e tij në atë autobus, por që fatmirësisht ka shpëtuar, por është në spital e plagosur.
Kur e morët vesh që njëra prej viktimave ishte Denisa?
Në fillim po shikonim emrat e studenteve që ishin plagosur dhe më vonë kur pamë që emri i saj nuk ishte gjëkundi nisëm të shqetësoheshim, derisa doli më pas zyrtarisht që kishte ndërruar jetë.
A keni komunikuar me ndonjërën nga vajzat që ka qenë e plagosur apo ka qenë në autobusin tjetër, në lidhje me shkaqet e ngjarjes?
Kemi folur me Artën, e cila është në Spitalin e Himarës dhe është mirë. Gjithashtu kemi folur dhe me disa shoqe që kanë qenë në autobusin tjetër, por me ato ishte e pamundur të flisje dhe të të jepnin shpjegime, pasi ishin shumë të tronditura. Për sa u përket shkaqeve, autobusi që u rrëzua ka pasur probleme që një javë më parë.
Si ka pasur probleme?
Një javë më parë ishim ne studentët e Histori-Gjeografisë që shkuam me ekspeditë në Sarandë dhe në Pogradec, ishte i njëjti autobus dhe i njëjti shofer. Gjatë rrugës, autobusi kishte probleme të shumta dhe kur kemi zbritur kemi falenderuar Zotin që mbërritëm gjallë. Madje, shoferi ka ndaluar gjatë rrugës më shumë se 30 minuta për të rregulluar një defekt, e më pas u nisëm sërish. Autobusi humbte kontrollin herë pas here. Për momentin nuk i dhamë shumë rëndësi, pasi thamë shyqyr që shpëtuam, por tani, pas ngjarjes që ndodhi dje (të hënën), jam e bindur që autobusi nuk ishte në gjendje të mirë dhe kjo mund të ketë qenë arsyeja e aksidentit.