RUDI VATA SHKARKOHET NGA POSTI I TRAJNERIT TË VLLAZNISË PAS AKUZAVE TË RËNDA

Nga Dorjan
Shkruar ne 09 Pri 2012 ora 2:37pm

Rudi Vata, shkarkohet zyrtarish nga posti i trajnerit të klubit shkodran të Vllaznisë. Shkarkimi i tij vjen pas deklaratave të Vatës në emisionin “Ora sport debat”. Ndërkohë në lidhje me deklaratat e tij ka reaguar edhe KF “Vllaznia” e cila i cilëson deklaratën e Vatës si aspak profesionale dhe etike e cila tenton të dëmtojë e imazhit e klubit.

“Kjo është një deklaratë e përgatitur në kushtet e një dëshpërimi të thellë në dështimin e tij si trajner i KF Vllaznia sh.a. dhe të objektivave që kishte si trajner. KF Vllaznia sh.a. hedh poshtë me përbuzje të gjitha shpifjet e z. Vata, të cilat nuk kane asnjë bazë vërtetësie” thuhet në deklaratë.

Sipas klubit, janë përmbushur të gjitha detyrimet ligjore në lidhje me procedurat financiare, juridike dhe organizative ndërsa thekson se çdo aspekt financiar dhe kontraktual është lehtësisht i verifikueshëm.

Gjithashtu, KF “Vllaznia” thekson se trajnerit Rudi Vata, i është lënë dore e lirë vendimmarrje në drejtimin e skuadrës, në përzgjedhjen e stafit të tij dhe të lojtarëve duke i plotësuar maksimalisht kushtet optimale të punës dhe kërkesat e realizueshme.

“Z. Vata ka gëzuar realisht dhe publikisht mbështetje dhe besim të plotë në çdo vendimmarrje të tij nga të gjitha nivelet e Klubit. Në asnjë moment dhe në asnjë rrethanë nuk është punuar për të cënuar punën e tij. Në të gjitha rastet kur kemi konstatuar probleme gjykimi jo profesional nga ana e gjyqtareve në ndeshjet e Vllaznisë, është reaguar zyrtarisht në mënyrë institucionale përmes ankesave depozituar në Federatë dhe takimeve me drejtuesit më të lartë të FSHF-së” thuhet më tej në deklaratë.

KF Vllaznia sh.a. i ka këruar Rudi Vatës të tërheqë menjëherë publikisht shpifjet e bëra në drejtim të Klubit dhe drejtuesve të tij pasi në të kundërt ai do të përballet me drejtësinë për shpifjet publike dhe cënim të imazhit të KF Vllaznia sh.a. dhe personalitetit moral e publik të drejtuesve të klubit.

Vata deklaroi më parë se drejtuesit e klubit i kishin ofruar një fond për gjyqtarët, në mënyrë që këta të blieshin për të fituar ndeshjet.