Sahati i Kalasë së Prezës pritet të kthehet nga Austria

Nga Dinejda
Shkruar ne 06 Qer 2012 ora 5:21pm

TIRANE-Sahati i famshëm i Kalasë së Prezës pritet të rikthehet nga Austria, aty ku ndodhet prej vitesh, në kuadër të 100-vjetorit të Pavarësisë.

Drejtori i Drejtorisë Rajonale të Monumenteve të Kulturës, Arbër Kadia tha se, pas vizitës së fundit të ministrit të Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Aldo Bumçi kanë filluar procedurat për kthimin e saj në vend.

“Sahati origjinal do t’i japë një shkëlqim Kalasë së Prezës, do ta identifikojë atë më shumë dhe do të jetë një pikë e rëndësishme turistike”, tha Kadia. 

Sipas tij, Kalaja e Prezës, një ndër 9 kalatë e rëndësishme rreth kryeqytetit, është një ndër shembujt më të mirë të rivitalizimit të kalave. “Kalaja e Prezës është shembulli më i hershëm dhe më i suksesshëm i rivitalizimit. Ajo ofron shërbime që turistët të kthehen më shumë se 1 herë”, tha Arbër Kadija.

Drejtori i Drejtorisë Rajonale të Monumenteve të Kulturës, Arbër Kadia shtoi se, Kalaja e Prezës vitet e fundit është shndërruar në një ndër pikat më të vizitueshme në Tiranë, falë infrastrukturës. “Vetëm falë infrastrukturës numri i turistëve ka patur 20-30% rritje në Kalanë e Petrelës apo të Lezhës, ndërkohë që në Prezë numri i turistëve shkon deri në 60% më shumë”, tha Kadia për ATSH-në.

Xhamia në Kalanë e Prezës është përzgjedhur për t’u restauruar nga Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA), ndërkohë që rikthimi i sahatit pritet të jetë një vlerë e shtuar për vizitorët.

Kalaja e Prezës ndodhet sipër fshatit me të njëjtin emër, në kreshtën e kodrës. Kjo është një kështjellë e vogël e cila ka nisur të ndërtohet në shek. XIV dhe ka përfunduar në fillim të shek. XV nga ana e familjes feudale të zonës, Topiajve. Kalaja është shpallur monument kulture. Në qoshet e saj, kalaja ka katër kulla rrethore. Kulla e sahatit është ngritur rreth viteve 1800 – 1850. Ajo shquhet për pozicionin mjaft të bukur, duke kontrolluar fushën e Tiranës.