Sarandë, galeria e artit hap dyert pas një mungese 20-vjeçare

Nga Dinejda
Shkruar ne 31 Maj 2012 ora 5:33pm

SARANDË- Kanë kaluar mbi dy javë nga dita kur Galeria “Saranda Art”, pas një mungese 20-vjeçare, çeli dyert, bashkë me portat e sezonit të ri veror.
Drejtuesi i Galerisë, Lefter Çeko, thotë se “interesi ka qenë i lartë për ta vizituar këtë stacion të turizmit kulturor, që krijuesit i kanë shtuar Sarandës këtë verë”.

Sipas Çekos, Galeria, ku janë ekspozuar 72 punime në pikturë e skulpturë, në material bronxi, dru e qelq, është vizituar nga turistë të huaj, të cilët kanë vlerësuar punimet e ekspozuara në disa teknika e gjini. 

Kjo është shprehur edhe në përshtypjet që ata kanë lënë në librin e Galerisë dhe në mjaft raste, ata kanë dashur të bëjnë të tyret punimet më të pëlqyera në këtë Galeri, ku mjaft prej tyre, që mbajnë firmën e pesë autorëve sarandiotë; Niko Godrolit, Odise Papës, Vasil Kaçit, Spiro Shtukës e Lefter Çekos, janë paraqitur në konkurse ndërkombëtare në SHBA, Gjermani, Itali e Greqi.

Çeko thotë se interesi ka qenë i lartë si për punimet në vaj e akuarel, edhe ato të gjinive të tjera të artit si, punimet në gur apo dru, portretet e ndryshme, apo profilet që ngjallin kërshëri për të pasionuarit.

Galeria “Saranda Art”, në qytetin bregdetar në jug të vendit, ka nisur të bëhet stacion i frekuentuar për të pasionuarit e pikturës dhe skulpturës, si dhe t’i shtohet vendeve të vizitueshme, që përmbajnë guidat turistike, si një vlerë e mirëfilltë e turizmit kulturor që ofron sot Saranda.