SEKUESTRO TRAGETIT, 200 PASAGJERË BLLOKOHEN NË BRINDISI

Nga Dorjan
Shkruar ne 27 Mar 2012 ora 6:31pm

Rreth 200 pasagjerë , kryesisht shqiptarë vazhdojnë të jenë të bllokuar që prej mbrëmjes së djeshme në portin e Brindisit, pas sekuestros që i është vënë tragetit “Ionian Spirit” nga autoriteti portual, për shkak të një borxhi të papaguar.

Sipas “Corriere della Sera” kjo situatë pritet të marrë fund rreth mbrëmjen e sotme, ku pasagjerët mund të udhëtojnë drejt Vlorës me një traget tjetër.

Trageti me 200 pasagjerë, mes tyre gra dhe fëmijë duhet të ishte nisur nga Brindisi për në portin e Vlorës, që mbrëmjen e djeshme rreth orës 23:00. Të gjithë pasagjerët janë detyruar të kalojnë natën në bordin e një trageti tjetër, “Red Star 1” , në pritje të zhbllokimit të situatës.

Pak para nisjes së “Ionian Spirit” është njoftuar se Gjykata e Brindizit, me kërkesë të Autoritetit Portual, ka urdhëruar konfiskimin e tragetit “Ionian Spirit”, anije që lidh Brindizin me portin e Vlorës. Kjo mase ka ardhur pas mospagimit të shumës që kompanitë duhet t’i paguajnë Entit portual në mënyrë që të marrin një shërbim cilësor dhe me efikasitet.