Sëmundjet e veshkave, 175 raste të reja në vit kanë nevojë për dializën

Nga Dinejda
Shkruar ne 31 Maj 2012 ora 5:55pm

TIRANË- Ministria e Shëndetësisë ka rritur numrin e të sëmurëve që trajtohen me dializë në vite, ndërkohë që nga studimet e bëra janë 50- 60 persona për një milion banorë në vit që humbasin plotësisht funksionin e veshkës, pra rreth 175 raste të reja në vit kanë nevojë të trajtohen nëpërmjet dializës.
Sipas të dhënave nga MSH, nga 120 të sëmurë me dializë që trajtoheshin në vitin 2005, aktualisht trajtohen rreth 500 të sëmurë, përfshirë dhe ofrimin e këtij shërbimi, duke kontraktuar me qendra dialize jopublike.

Mjekimi zëvëndësues i funksionit të veshkave, ku hyjnë dializa, dializa peritoneale dhe transplanti i veshkës, edhe pse konsiderohet jetëshpëtues, rezulton të jetë një nga procedurat mjekësore problematike dhe nga më të shtrenjtat. Zgjidhja sa më mirë dhe racionale e mjekimit zëvëndësues të veshkave është një proces kompleks. 

Për këtë, MSH po punon për zbatimin e një programi afatgjatë. Pjesë e programit, sipas MSH, janë evidentimi i shpeshtësisë së kësaj patollogjie, shtrirja gjeografike në të gjithë vendin, parandalimi i sëmundjeve që çojnë në prishjen e funksionit të veshkës, duke pakësuar kështu rastet e reja, realizimin e mjekimit me dializë, apo nëpërmjet transplantit renal, si dhe bashkëpunimin profesional me qendrat e zhvilluara europiane për kualifikimin e personelit që ofron këtë shërbim.