Sequi: Mbrojtja e të drejtave të njeriut kriter për integrimin e Shqipërisë

Nga Dorjan
Shkruar ne 03 Pri 2012 ora 2:00pm

TIRANE- Institucioni i Avokatit të Popullit firmosi sot një marrëveshje bashkëpunimi me organizatat e Shoqërisë Civile për mbrojtjen e të drejtave të njeriut si kriter themelor për integrimin e vendit në BE.

Kreu i Delegacionit të Bashkimit Evropian, Ettore Sequi, u shpreh se respektimi i të drejtave të njeriut përbën një ndër kriteret kyce për antarësimin e vendit në Bashkimin Europian. Ai tha më tej se nënshkrimi i kësaj marrëveshje kërkon të respektohen të drejtat politike, civile, kulturore dhe të grupeve të veçanta në nevojë.

“Përmbushja e kritereve politike që Kopenhageni ka përcaktuar për Shqipërinë është një detyrë për Shqipërinë. Kriteri 11 dhe 12 kanë të bëjnë me mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe parandalimin e keqtrajtmit. Prandaj mendojmë se një përfshirje e zyrës së Avokatit të Popullit dhe shoqërisë civile do të japë një ndihmë në parandalimin e rasteve të diskriminimit të të drejtave të njeriut. Besojmë se roli i fortë i shoqërisë civile dhe zyrës së AP është parakusht i procesit të integrimit sepse mbrojtja e të drejtave të njeriut janë thelbësore për vlerat europiane”, tha ambasadori Sequi.

Ndërsa Avokati i Popullit, Igli Totozani u shpreh se, “Asnjë ndryshim thelbësor nuk mund të bëjmë në jetët e njerëzve, nëse nuk bashkëpunojmë. Sfida jonë në fushën e të Drejtave të Njeriut në Shqipëri është e shumëfishtë”.

Nënshkrimi i Marrëveshjeve është hapi i parë në drejtim të krijimit të një Komisioni Kombëtar për të Drejtat e Njeriut me funksione këshillimore pranë Avokatit të Popullit.