Serbët i vënë syrin bazës së Bisht-Pallës

Nga Dorjan
Shkruar ne 23 Mar 2012 ora 3:07pm

DURRËS -Pas heqjes dorë nga projektet në Gjirin e Lalësit për shkak të situatës së agravuar mes banorëve të zonës dhe shtetit, biznesmenët serbë i kanë vënë syrin Bisht- Pallës. Bëhet fjalë për territorin tokësor dhe detar të bazës detare që ndodhet në këtë vend. Fillimisht, u fol për një subjekt austriak i cili kishte një projekt në këtë zonë ushtarake. Por gjatë ditëve të fundit sipas banorëve të zonës ka dalë në skenë edhe një subjekt serb, që synon gjithashtu t’a shtjerë në dorë këtë territor të Durrësit në mënyrë që të ndërtojë një kompleks turistik. Ndërkohë, institucionet vendore në Durrës si dhe komuna që e ka në juridiksion këtë territor deklarojnë se nuk kanë dijeni për një projekt të tillë, aq më tepër kur bëhet fjalë për një bazë ushtarake. 
BAZA
Baza Ushtarake e Bisht-Pallës shikohet si një vend ideal për ndërtimin e një resorti turistik. Një territor i gjelbëruar i mbrojtur nga korrentet e erës dhe rrymat detare, me një shtrirje 18 ha ka tërhequr lakminë e investitorëve të huaj dhe vendas. Fillimisht, pak vjet më parë, u fol se baza do të pushonte së funksionuari dhe territori i saj do të shërbente për të kompensuar ish-pronarët e Durrësit, të cilëve ju kanë mbetur letrat në dorë. Por, ky variant ra si opsion dhe për disa kohë idetë për tjetërsimin e bazës ranë në qetësi. Por, më pas u fol se baza do t’i jepej një subjekti austriak, i cili do të ndërtonte një kompleks turistik. Këtë fakt e patën pranuar edhe drejtues të flotës detare ushtarake. Por, disa ditë më parë bazës ja ka vënë syrin një subjekt serb po për të njëjtin qëllim, ndërtimin e një resorti turistik. Me sa duket serbët nuk dëshirojnë që të largohen duar thatë nga rajoni i Durrësit. Fillimisht ata patën vënë në shënjestër zonën bregdetare të fshatit Hamallaj. Por, pas përplasjeve mes banorëve të fshatit me institucionet e shtetit, të cilat kulmuan me një përleshje të egër me forcat e policisë dhe këmbënguljes së tyre për të mos lëshuar terren, serbët hoqën dorë nga plani i tyre. Të pyetur lidhur me problemin Bisht-Pallës, përfaqësues të Institucioneve në Durrës deklaruan se nuk kanë dijeni për këtë problem aq më tepër kur bëhet fjalë për një bazë detare ushtarake. Rruga për dhënien e një territori ushtarak për qëllime biznesi fillimisht nis me tjetërsimin e tij në terren civil e më pas kalohet në aktin e kalimit në tokë truall. Më pas kalohet në dhënien e saj për qëllime biznesi. Por, për të përshkuar këtë rrugë duhet edhe vula e NATOS, bëjnë të ditur ushtarakë të marinës në Durrës.