Sezoni turistik, ja objektet që janë kthyer në banja publike

Nga Dinejda
Shkruar ne 15 Maj 2012 ora 7:07pm

DURRES - Edhe pse ka disa vjet që disa mjedise dhe objekte të dala jashtë përdorimit ndotin mjedisin, duke u bërë shqetësim për banorët rrotull tyre, ende nuk është marrë asnjë masë për eliminimin e tyre. Këto objekte nuk ndodhen në periferi, por në zona turistike, si dhe në qendër të qytetit të Durrësit. Ato janë transformuar në pika ku njerëz të pandërgjegjshëm kanë depozituar mbeturina e të tjerë i shfrytëzojnë si banja publike. Organet e shëndetësisë dhe pushteti vendor nuk kanë vënë dorë, edhe pse banorët kanë kohë që e kanë ngritur zërin. 
OBJEKTET
Ish-muzeu arkeologjik i Durrësit, i cili ndodhet pranë shëtitores buzë detit, ka kohë që është transformuar në një banjë publike apo në një strehë për përdoruesit e lëndëve narkotike, si dhe për prostitutat dhe homot e rrugës. Kush kalon aty pranë e ndjen duhmën e rëndë që del që andej. Një ish-banesë dykatëshe gjysmë e shembur që ndodhet rrëzë një pallati 11-katësh pranë Gjykatës së Shkallës së Parë në Durrës është transformuar gjithashtu në një pikë kritike, e cila ndot një zonë që rrihet dendur nga kalimtarët. Edhe pse gjendet pranë pallatit të Drejtësisë, askush nuk merr masa për largimin e dhjetëra tonelatave mbeturina intertesh që janë depozituar në këtë ndërtesë. Territori, i cili gjendet pas Drejtorisë së Përgjithshme të Hekurudhave e që shtrihet përgjatë rrethimit të portit, është një tjetër zonë kritike ku mbeturinat janë shtresëzuar. Kjo është zona që prezanton qytetin e Durrësit te turistët e huaj. Në bashkinë e Durrësit kanë dijeni të plotë për situatën në këto zona, por edhe ky sezon i ri turistik i gjen përsëri në një gjendje kritike. Sipas bashkiakëve, 2 objektet e para janë pronë private dhe u takon pronarëve që të venë dorë në to. “Ndërsa territori pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Hekurudhave ka kohë që është kërkuar për të ndërtuar një rrugë, si dhe për t’iu nënshtruar sistemimeve, por ajo nuk është dhënë nga DPH-ja, pasi mbi të gjenden disa metra lineare shina”, – kanë sqaruar bashkiakët. Ndërkohë, problem ndotjeje përbën edhe ish-pishina dimërore; territori mbi të cilin ajo gjendet i është dhënë pronarit. Banorët vazhdimisht kërkojnë ndryshimin e gjendjes, por deri tani nuk është bërë asgjë. ar.ko.