SHEFI I KRIMEVE MANIPULON DOSJEN, MERR 3000 EURO PËR LIRIMIN

Nga Dorjan
Shkruar ne 17 Apr 2012 ora 1:52pm

Task-Forca e prokurorisë së Tiranës, në bashkëpunim me Shërbimin e Kontrollit të Brendshëm të Policisë së Shtetit, kanë prangosur ish-shefin e krimeve të Komisariatit nr.1, të dyshuarin Fatos Goxho për akuzën e “korrupsionit pasivë të personave që ushtrojnë funksione publike”. Lajmi konfirmohet nga burimet zyrtare pranë institucionit të akuzës dhe Drejtorisë së Policisë, të cilët saktësuan se arrestimi i Goxhos u bë me vendim të Gjykatës së Shkallës së Parë në Tiranë. Paraditen e djeshme, me kërkesë të prokurorit Ndini Tavani, gjyqtari Sokol Tona caktoi në mungesë masën e sigurisë “arrest me burg” për ish-shefin e krimeve Goxho.

Ky vendim u ekzekutua nga agjentët e Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm (SHKB-së) të Policisë së Shtetit, vetëm pak orë pasi ishte firmosur dhe zbardhur nga gjyqtari Tona. Sipas këtij vendimi, mësohet se ish-shefi i krimeve Goxho, që pak ditë më parë ishte transferuar në komisariatin e Policisë në Përmet me detyrën e shefit të krimeve. Sipas vendimit të gjyqtarit Tona, i dyshuari Goxho, në fundjanarin e këtij viti ka liruar nga qelia shtetasin Ramazan Alla, kundrejt shumës 3 mijë euro. “Nga hetimet e kryera ka rezultuar se në fundjanarin e këtij viti, efektivët e Policisë së Komisariatit nr.1 kanë ndaluar shtetasin Ramazan Alla se mbante në brez një pistoletë pa leje.

Pas gjetjes dhe sekuestrimit të kësaj arme me cilësinë e provës materiale, policia e ka shoqëruar të dyshuarin Alla në ambientet e Komisariatit nr.1. Ish-shefi i krimeve Goxho me ndërhyrjen e djalit të të shoqëruarit ka vendosur lirimin e Allës”, – thuhet nga të dhënat e policisë. Sipas këtyre burimeve, i dyshuari Goxho për lirimin e Allës, kishte marrë nga i biri i të shoqëruarit shumën prej 3 mijë euro. Me marrjen e kësaj shume, Goxho kishte urdhëruar lirimin e Allës dhe delegimin e dosjes në prokurori për vazhdimin e hetimit në gjendje të lirë. Ky veprim i ish-shefit të krimeve kishte rënë në sy të agjentëve të SHKB-së, të cilët kishin kërkuar ndihmë nga Task-forca e Prokurorisë së Tiranës për hetimin e çështjes dhe grumbullimin e provave materiale.

Në përfundim të hetimit katër mujor, prokurori Tavani me ndihmën e agjentëve të SHKB-së kishte arritur të siguronte disa prova materiale, si përgjime, vëzhgime ambientale dhe prova të tjera shkresore, se i dyshuari Goxho për lirimin e shtetasit Ramazan Alla ka marrë një shumë prej 3 mijë euro. Por, ajo që mbetët për tu hetuar në ditët në vazhdim nga ana e prokurorisë, janë dyshimet e ngritura se i dyshuari Goxho, për lirimin e Allës nga ambientet e Komisariatit nr.1, ka marrë disa telefonata nga zyrtarë të lartë të Ministrisë së Brendshme, të cilët i kanë kërkuar lirimin e të dyshuarit për “armëmbajtje pa leje”. Ky i fundit, tashmë është dërguar për gjykim në Gjykatën e Shkallës së Parë në Tiranë, ku do të përgjigjet për akuzën e “armëmbajtjes pa leje”. Seanca e parë gjyqësore ndaj Allës është parashikuar të mbahet me datë 24 prill 2012 ora 9:30 minuta nga gjyqtarja Ardiana Bera.