SHERR PËR TË DASHURIN, KATËR GJIMNAZISTE PLAGOSIN SHOQEN

Nga Dorjan
Shkruar ne 14 Apr 2012 ora 3:28pm

Konflikti filloi në lokalin pranë shkollës, pas “flirtit” mes të rinjve.

Tiranë, 15-vjeçarja në spital nga xhelozia e shoqes.

Një vajzë 15-vjeçare, nxënëse e vitit të dytë në shkollën e Gjuhëve të Huaja në Tiranë, përfundoi në spital, me plagë në kokë e në fytyrë, pasi është rrahur nga katër vajza të së njëjtës shkollë. Ngjarja ka ndodhur pasditen e së enjtes, para një lokali pranë shkollës së Gjuhëve të Huaja te Rruga e Elbasanit. Sipas Policisë, motivi i ngjarjes ka qenë xhelozia e njërës prej vajzave autore për “afeksionin” e të dashurit të saj me 15-vjeçaren tashmë të plagosur. Sipas Policisë, vajza e dëmtuar nga ngjarja është nxënësja e vitit të dytë, Xhensika P., banuese në Sauk të Tiranës, e cila pasi ka marrë mjekimin në spital, ka bërë edhe denoncimin e ngjarjes në Komisariatin Nr. 1 dhe më pas është transportuar për të vazhduar mjekimin në shtëpi. Autoret e sulmit, sipas Policisë, janë katër nxënëset e vitit të tretë të së njëjtës shkollë me të dëmtuarën: Stefani M., e cila është bërë edhe sebepi i sherrit, Sara H., Laureta D. dhe Suela K., të katërta 17-vjeçare dhe shoqe të së njëjtës klasë. Menjëherë pas kallëzimit të bërë nga e dëmtuara, në praninë edhe të prindërve të saj, policia ka shoqëruar edhe autoret e dyshuara të ngjarjes, të cilat kanë dhënë sqarimet e tyre në Komisariatin Nr. 1 të Policisë. Hetuesit thanë se ka nisur procedim penal me akuzën “dëmtime të tjera me dashje”, kryer në bashkëpunim dhe ka referuar materialet në prokurori për katër gjimnazistet.
KONFLIKTI
Rreth orës 15:00 të ditës së enjte, Xhensika P., 15 vjeçe, ka qenë duke pirë kafe në një lokal pranë shkollës së Gjuhëve të Huaja, ku ajo studion, bashkë me një shoqen e saj. Ajo kishte mbaruar mësimin dhe bashkë me një shoqe, që banonte pranë shtëpisë së saj, po prisnin autobusin e Saukut që të niseshin për në shtëpi. Në të njëjtin lokal, në tavolinën përballë tyre, ishin ulur katër vajzat e vitit të tretë: Stefani M., Sara H., Laureta D. dhe Suela K., 17-vjeçare. Në tavolinë, bashkë me to, ndodheshin edhe dy djem, njëri prej të cilëve ishte i dashuri i Stefanisë. Gjatë kohës që po qëndronin në kafe, vajza që ndodhej bashkë me të dashurin, Stefania, ka nisur t’i flasë me zë të lartë së dëmtuarës Xhensika, e cila ndodhej përballë saj dhe djalit. Më pas ajo është ngritur nga tavolina dhe i është afruar Xhensikës, duke i kërkuar shpjegime se përse po shikonte të dashurin e saj që e kishte në krah. Sipas dëshmisë së 15-vjeçares, mësohet se kjo i është përgjigjur mjaft qetë, duke i thënë që nuk e kishte mendjen dhe nuk po e shikonte të dashurin e saj, madje as atë vetë. Por në debat e sipër, situata mes vajzave është nxehur dhe Stefania i ka kërkuar Xhensikës që të dilnin jashtë nga lokali. Pas tyre kanë dalë një nga një edhe tri shoqet e Stefanisë, që ndodheshin në tavolinë me të. Fillimisht e dëmtuara ka vijuar konfliktin vetëm me vajzën që po i kërkonte llogari, por më pas në mes janë futur edhe tri vajzat e tjera. Pas fyerjeve ndaj 15-vjeçares, vajza ka tentuar të largohet duke i shtyrë me duar dhe në këtë moment të katërta i janë sulur duke e goditur me shpulla e grushte dhe në një moment e kanë përplasur në tokë. Nga goditjet me grushte, Xhensikës i është nxirë syri i majtë, ndërsa ka edhe disa plagë në kokë, që janë shkaktuar nga përplasja në murin anësor të lokalit e më pas në tokë.

Konflikti tjetër
Jo më larg se dy javë më parë, një tjetër adoleshent ka mbetur i plagosur pas një konflikti të rëndë pranë konviktit të Gjuhëve të Huaja në Tiranë. Sherri ka nisur fillimisht mes dy studentëve, pasi njëri ngacmoi partneren e tjetrit. Më pas shoqëritë respektive janë përfshirë në përleshje dhe njëri prej të rinjve përfundoi i plagosur rëndë në spital.