Sherri për pronat, humb jetën 63-vjeçari, pësoi atak kardiak.

Nga Dinejda
Shkruar ne 28 Maj 2012 ora 6:16pm

PEQIN – Sherri për pronat me fqinjët e tij i ka kushtuar jetën një 63-vjeçari në fshatin Pekisht të Peqinit. Shtetasi Jaho Ferhati ka humbur jetën si pasojë e një ataku kardiak, pasi nuk ka mundur të përballojë tronditjen e shkaktuar nga sherri dhe plagosjen e anëtarëve të familjes së tij.

Burime nga policia bënë të ditur se “ngjarja ka ndodhur mëngjesin e së hënës, në fshatin Pekisht, në komunën Pajovë, të Peqinit, ku një sherr banal për motive pronësie, i nisur prej kohësh, ka degjeneruar në dhunë fizike mes dy familjeve.” 

Sipas burimeve, pas një konflikti 37-vjeçari Lutfi Çullhaj ka plagosur me mjete të forta tre fqinjët e tij, anëtarë të familjes Ferhati, të cilët ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Por kjo ngjarje ka rezultuar fatale për kryefamiljarin e familjes Ferhati, i cili për shkak të shokut të krijuar nga ngjarja, ka gjetur vdekjen në banesën e tij.

Pas ekspertimit të bërë në trupin e pajetë të shtetasit Jaho Ferhati, grupi hetimor në vendngjarje nuk ka konstatuar shenja dhune apo dëmtime të tjera dhe vdekja e tij mendohet se mund të ketë ardhur pas një ataku kardiak.

Policia ka vënë në pranga 37-vjeçarin Çullhaj, ndërsa po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.