Shfrytëzoi për prostitucion një femër, ekstradohet nga Italia shqiptari

Nga Dinejda
Shkruar ne 06 Qer 2012 ora 11:39am

TIRANE-Një shtetas shqiptar u ekstradua mbrëmë nga Milano(Itali) në Tiranë në sajë të bashkëpunimit të Zyrës Qendrore Kombëtare Interpol Tirana me Interpolin italian.

Burime zyrtare nga Policia e Shtetit bënë të ditur sot se 45 vjeçari Gjovalin Doku u shpall në kërkim ndërkombëtar para shtatë vjetësh pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Lezhë e kishte dënuar me 6 vjet burg për konsumimin e veprës penale të “shfrytëzimit të prostitucionit”. 

Ngjarja për të cilën akuzohet Doku ka ndodhur në maj 1998 kur ai ka dërguar në Itali, duke e mashtruar shtetasen T.P.dhe e ka detyruar atë të ushtrojë prostitucionin.

Arrestimi i këtij shtetasi u bë i mundur më datë 2 shtator 2011 në Itali si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tirana me Interpol Romën, ndërsa mbrëmjen e djeshme ai iu dorëzua përfaqësuesve të drejtorisë së Burgjeve për të vuajtur dënimin e dhënë nga drejtësia shqiptare.
Doku, përveç faktit se rezultonte i kërkuar nga Interpoli, mësohet se ai ishte dënuar edhe në Itali për vjedhje. Pas arrestimit të tij, policia italiane pas verifikimeve është shokuar kur ka mësuar se Doku ishte i pajisur me leje qëndrimi në vendin e tyre.