SHIRAT PËRMBYTIN 200 HA NË NË SHKODËR

Nga Dorjan
Shkruar ne 17 Pri 2012 ora 1:55pm

SHKODER – Shirat e rënë gjatë ditëve të fundit kanë përmbytur rreth 200 hektarë tokë buke në zonën e Nënshkodrës. Sipas burimeve nga ana e Prefekturës Shkodër, bëhet e ditur se zona e përmbytur është kryesisht tokë bujqësore. Mësohet se shkak për këtë situatë janë reshjet e shiut. Sipërfaqet e tokave nën ujë janë në zonën mes komunave të Velipojës, Dajçit dhe Bushatit, në vendin ku dikur ishte këneta e Mërtemzës. Sipërfaqja e përmbytur është rreth 200 ha tokë, por gjer tani përmbytjet nuk kanë sjellë probleme për banesat apo banorët e këtyre zonave. Prefektja e Shkodrës, Voltana Ademi, ka pranuar situatën e krijuar duke pohuar se kemi sipërfaqe nën ujë, por sipërfaqja e tokës e përmbytur ndodhet në një zonë ujëmbajtëse. “Situatën po e monitorojmë nga dita në ditë dhe nuk ka vend për panik”, ka pohuar Ademi. Sipas saj, aktualisht është duke u punuar në zgjerimin e kanaleve kulluese në bazë të projekteve të financuara nga Banka Botërore. Po sipas informacioneve të marra në Prefekturën e Shkodrës, përmbytjet janë shkaktuar vetëm nga reshjet e shiut, pasi sipas tyre gjatë këtyre ditëve nuk ka pasur shkarkime nga hidrocentralet.