SHITBLERJA E PRONAVE, NGA 1 QERSHORI ONLINE TE NOTERI

Nga Dorjan
Shkruar ne 05 Maj 2012 ora 1:28pm

Në fund të muajit maj qytetarët që do të kenë për të regjistruar pasuri të paluajtshme, nuk do t’a kenë të nevojshme që të sorollaten në dyert e disa institucioneve për të regjistruar pasurinë e tyre. Dje, në mbledhjen parë të Kongresit Kombëtar të Noterëve, Ministri i Drejtësisë u shpreh se noterët do të kenë aksesin në Regjistrin e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme duke regjistruar direkt pronën online. Në fjalën e tij, kreu i dikasterit të Drejtësisë u shpreh se aktualisht ka përfunduar tërësisht sistemi dixhital, arkiva elektronike dhe se të hënën do të nisë dhe trajnimi. Sipas Halimit, ministria së bashku me Dhomën e Noterëve të Tiranës, do të fillonë për dy javë trajnimin e noterëve dhe brenda muajit maj, do të nisin aplikimet nga zyra e noterit, ndërkohë që do të çelet tenderi  për krijimin e regjistrave dixhitalë. “Realizimi i “one stop shop” për noterët do të mundësoje kryerjen e veprimeve online, vetëm me 2 hapa, dhe vetëm për 6-10 ditë, dhe qytetarët do të marrin vërtetimin e pronësisë, drejtpërdrejtë nga noteri, pa qenë nevoja të dinë se ku bie Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme. Qytetarët do te marrin informacion për pasuritë e tyre, online, pa qenë nevoja te shkojnë qoftë edhe një minutë të vetme në ZRPP”, theksoi Halimi. Ministri i Drejtësisë informoi se bashkë me ekspertët e BE-së, është përfunduar një studim për përshtatjen e numrit të noterëve sipas popullsisë, duke garantuar nga njëra anë ruajtjen e numrit aktual, por duke bërë shpërndarjen e numrit të mungesave në komuna e bashki.  Kjon bëhet në përshtatje me numrin e popullsisë dhe numrin e transaksioneve. Pranë çdo komune e bashkie me mbi 12 mijë banorë, do të ketë shërbim publik të paktën të një noteri, pa qenë nevoja që qytetarët të paraqiten në kryeqendrat e rretheve të tyre, apo në zyrat e regjistrimit të pasurive.

Regjistrimi i pasurive te noterët

Të dhënat do të grumbullohen në një regjistër elektronik, në të cilin do të kenë akses noterët dhe hipotekat. Noteri do të kryejë regjistrimin, ruajtjen, shfrytëzimin, përdorimin dhe transmetimin e të dhënave personale të palëve. Do të jetë noteri që do të përqendrojë të gjitha veprimet në zyrën e tij, si: verifikimin e pasurisë që do kryhet transaksioni, sigurimin e garancisë së veprimit në regjistrin e pasurive, sigurinë e transaksionit financiar nëpërmjet llogarisë bankare, sigurimin e vërtetësisë së aktit të pronësisë që do të marrë blerësi, duke bërë që të gjithë qytetarët ta bëjnë gjumin e qetë e te sigurt. Ata do të kenë mundësi që të nxjerrin Certifikatat e Pronësisë nëpërmjet Regjistrit Elektronik dhe krahas kësaj, noterët do të kenë mundësi të bëjnë edhe ndryshime në pronësi në rastet kur kemi të bëjmë me blerje të pasurive të paluajtshme. Në Regjistrin Elektronik të pasurive të paluajtshme do të kenë akses noterët dhe bankat. Noterët do të kenë një kod të posaçëm si dhe do të përdorin shenjat e gishtave për t’u futur në sistem. Në rastin e bankave, ato do të kenë mundësi që të verifikojnë pasurinë e klientëve vetëm nëpërmjet një kodi të veçantë që do t’u jepet nga Zyra e Përgjithshme e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme për të hyrë në sistem. Personat që do të futen duhet të jenë të besueshëm. Krahas kodit, personi do të përdorë edhe shenjat e gishtave. Kjo bëhet për të rritur sigurinë e ruajtjes së të dhënave dhe mos shpërndarjen e tyre në duart e personave të paautorizuar. Hedhja online e të dhënave dhe përqendrimi i veprimeve te noterët pritet që të ulë kohën e kryerjes së veprimeve dhe të shmangë radhët e gjata. Sot për të kryer një transaksion, qytetarët para se të shkojnë te noteri, duhet të kryejnë disa veprime me radhë. Konkretisht janë 6 hapa proceduriale. Shitësi duhet të shkojë te Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme për të rifreskuar aktin e tij të pronësisë dhe prej andej më pas duhet  të paraqitet te noteri, ku duhet të nënshkruajë kontratën dhe do të kryejë edhe pagesat respektive. Nga ana tjetër, blerësi do të paraqitet në një moment tjetër në ZRPP, ku do të bëjë një kërkesë për të regjistruar pasurinë për të marrë vërtetimin e pronësisë.

 

 

Topi: Të shmanget korrupsioni te pronat

 

Kreu i Shtetit, Bamir Topi, theksoi mbështetjen dhe angazhimin serioz e kushtetues të Institucionit të Presidentit në të gjitha nismat e rëndësishme ligjore të organizmave noterialë, të cilët në thelb të aktivitetit të tyre kanë zbatimin rigoroz të legjislacionit në fuqi dhe shmangien e fenomeneve korruptive e joligjore, sidomos për problemin shumëvjeçar dhe ende të pazgjidhur të pronave. Gjatë takimit me kryetarin e Unionit Ndërkombëtar të Noterëve, Presidenti vlerësoi si “jetik rolin e institucionit të noterëve në konsolidimin e shtetit të së drejtës në Shqipëri dhe çuarjen përpara të reformës në drejtësi si dhe të përafrimit të legjislacionit shqiptar me atë të vendeve evropiane, në mënyrë që plotësohen edhe kushtet për hyrjen sa më të shpejtë të Shqipërisë në gjirin e familjes evropiane”.

 

 

 

 

Berisha: Noterët, luftë larjes së parave

 

Kryeministri Berisha u shpreh se dixhitalizimi është mënyra më e mirë për të luftuar terrorizimin dhe pastrimin e parave. Shefi i mazhorancës u shpreh se lufta kundër pastrimit të parave të pista është jetike për luftën kundër terrorizmit. ” Shërbimi juaj ka një rëndësi jetike në luftën kundër krimit financiar dhe larjes së parave. Çfarë tregojnë të gjitha analizat të lidhura me terrorizmin? Terrorizmi ka një mekanizëm pa të cilin nuk mund të ekzistoj dhe kjo është larja e parave”, tha Berisha. Për kreun e qeverisë, lufta kundër larjes është një luftë për sigurinë. “Nuk ka rrugë më të sigurtë për të parandaluar kriza ekonomike, për të përshpejtuar zhvillimin e një vendi sesa përpjekja për garantimin e lirisë së tregut dhe ajo në themel ka konkurrencën e lirë, dhe në këtë kontekst ju me zyrat tuaja keni rëndësi të kontribuonin në një nga sektorët më të rëndësishëm” shtoi më tej Berisha.

 

 

 

 

Procedurat aktuale

Shitësi aplikon në zyrën e regjistrimit të pasurive t6ë paluajtshme për të marrë vërtetimin më të fundit të pronësisë (1 ditë)

Shitësi merr vërtetimin e pronësisë nga zyra e regjistrimit të pasurive të paluajtshme ( të paktën 10 ditë)

Shqitësi dhe blerësi paraqiten tek noteri ku hartojnë dhe lidhin kontratën (1 ditë)

Blerësi aplikon për regjistrimin në zyrën e regjistrimit të pasurive të paluajtshme (1 ditë)

Blerësi merr vërtetimin që është pronar (të paktën 10 ditë)

 

Si do të bëhet

Shitësi dhe blerësi paraqiten së bashku tek noteri. Shitësi paraqet një dokument të hershëm të pronësisë. Noteri verifikon online nëse shitësi është pronar dhe realizon kontratën, e cila nënshkruhet nga palët. (1 ditë)

Noteri shkon në zyrën e regjistrimit të pasurive të paluajtshme dhe bën regjistrimin (1 ditë)

Zyra e regjistrimit të pasurive të paluajtshme i dërgon noterit me postë vërtetimin për pronarin e ri ( të paktën 10 ditë)

Blerësi tërheq vërtetimin e pronësisë tek noteri (1 ditë)

 

Aplikimi

Tirana do të jetë qyteti i parë ku do të nisë punën faza e parë e procesit. Me ngritjen e infrastrukturës së nevojshme, brenda këtij viti sistemi do të shtrihet dhe në qytet e tjera të vendit.

 

Pagesa për tatimin

Paratë blerësi do t’i paguajë te llogaria bankare e noterit. Nëse një apartament bën 100 mijë euro, blerësi i paguan te noteri. Një udhëzim i Ministrisë së Financave dhe Ministrisë së Drejtësisë do të përcaktojë si do ndahen ato. Sot është tatimi 10 % për pasurinë. Noteri kur të mbyllet transaksioni, 10 % do t’ia kalojë Zyrës së Tatimeve dhe 90 mijë euro do t’i marrë shitësi.

 

Investimi

Nuk ka ende një përllogaritje të plotë. Softi i parë që ka të bëjë me dixhitalizimin e arkivës së ZRPP-së, për fazën e parë ka qenë me vlerë 540 mijë euro dhe është kryer gjatë këtij viti. Është përballur nga projekti i BB, plus 32 mijë euro së bashku me portalin që shohin qytetarët se ku ka shkuar kërkesa e tyre. Softi tjetër që do ndërtohet për noterët për Tiranën e Durrësin është 300 mijë euro dhe kjo është parashikuar në buxhetin e 2012-ës.