Shkarkohet Shaban Memia, Kollozi në krye të ALUIZNI-t

Nga Dorjan
Shkruar ne 26 Mar 2012 ora 9:13pm

TIRANE - Shaban Memia nuk është më drejtor i përgjithshëm i ALUIZNI (Agjencia e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave/Ndërtimeve Informale). Ai ka lënë detyrën e tij që e mbante prej mëse katër vjetësh. Burime nga Këshilli i Ministrave thanë se Shaban Memia është shkarkuar nga detyra me vendim të kryeministrit Sali Berisha. Në vend të tij, është emëruar ish-deputeti i PD-së Vlorë, Ardian Kollozi. 

Shkarkimi i Shaban Memisë erdhi, pasi më 27 tetor 2011, ai kishte paraqitur dorëheqje pranë kryeministrit. Dorëheqja e Memisë është mbajtur pezull nga Berisha për katër muaj. Në mbledhjen e ardhshme të Këshillit të Ministrave, të mërkurën, do të shpallet me VKM vendimi për lirimin nga detyra të z.Memia, si dhe zëvendësimin e tij me Ardian Kollozin.

Agjencia e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave/Ndërtimeve Informale (ALUIZNI) është institucioni përgjegjës për:
a) realizimin e procesit të legalizimit dhe përgatitjen për regjistrim fillestar të ndërtimeve informale, në përputhje me procedurat e përcaktuara në këtë ligj; (Shfuqizuar nga GJK)
b) bashkëpunimin dhe njësimin e procedurave me organet qendrore shtetërore dhe njësitë e qeverisjes vendore, për procesin e legalizimit, urbanizimit dhe integrimit të zonave/vend-banimeve/bllokbanimeve me ndërtime të legalizuara;
c) programimin e fondeve nga Buxheti i Shtetit për legalizimin dhe urbanizimin e territoreve informale;
ç) krijimin dhe përpunimin e informacionit hartografik, në shkallë 1:500 – 1:5000, që do të përdoret për procesin e legalizimit dhe të urbanizimit të ndërtimeve informale, si dhe për investime në infrastrukturë, në nivel kombëtar.