Shkatërrohet me ekskavator tempulli i Bajkajve

Nga Dinejda
Shkruar ne 31 Maj 2012 ora 5:32pm

TIRANE-Frëngjyza (sifilizi) është një sëmundje e rëndë që të prek trunë dhe nuk të le as të mejtosh e as të veprosh” – shkruante dikur Faiku i madh duke dashur të ironizonte administratën halldupe të Shqipërisë Otomane me sëmundjen e rëndë të sifilizit që merrej në bordellot e kohës.
Duket se institucioneve të kulturës shqiptare të shekullit të 21-të ju ka rënë me të vërtetë frëngjyza dhe nuk reagojnë dot më për asgjë që ndodh në lëmin e Trashëgimisë Kulturore. Ashtu siç e shpjegonte Faiku i Konicës, kjo sëmundje me sa duket ka paralizuar çdo individ të institucioneve tona që kanë të bëjnë me Trashë-giminë Kombëtare tashmë në shekullin e 21-të.

Ca ditë të shkuara, shkruajta për ca gërmime që bëheshin ditën për diell në sy të autoriteteve të Trashëgimisë mu në majë të akropolit antik të Finiqit. I drejtova gishtin dhe i përmenda me emër të gjithë ata që janë përgjegjës. Prisja ndonjë reagim, ndonjë artikull apo edhe ndonjë telefonatë, por askush nuk u ndie për këto shkatërrime në Finiqin antik, i cili ka jo pak, por një numër të madh punonjësish që paguhen nga taksat e shqiptarëve. As Drejtori i ri i Monumenteve të Kulturës në Sarandë nuk u ndie të paktën për të thënë si zakonisht, gërmimet ilegale bëhen, monumentet prishen po të paktën me letra jemi në rregull. Aha, asgjë, me sa duket Frëngjyza i ka paralizuar fare.

Mirë po do ti që në këtë mëmëdhenë tonë të dashur këto punët e Trashëgimisë nuk kanë të sosur?
Ka gati 10 ditë që pranë rrugës që kalon nga fshati Bajkaj pranë Delvinës, një kodër e tërë e mbushur me objekte arkeologjike rrafshohet me ekskavator m’u në hundën e autoriteteve të Trashëgimisë sonë Kombëtare, të policisë e më the të thashë. 10 ditë me radhë uturinte ekskavatori duke shkulur gurë të mëdhenj sa një bojë njeriu dhe duke çarë kodrën gati mbi 7 metra thellë. Askush nuk i ndaloi këta barbarë modernë që t’i vinin jo kazmën, po ekskavatorin një tjetër monumenti të Trashëgimisë së këtyre anëve, i cili i kishte rezistuar gati 2500 vjetëve të hordhive barbare që kanë kaluar këtej pari. Po përse duhet që rrogëtarët e Ministrisë së Kulturës t’i ndalonin barbarët që shkulën dynjanë me eskalator? Fundi i fundit ata një kodër po rrafshonin këta që i kanë vënë për të ruajtur monumentet kanë shkatërruar një qytet të tërë dhe nuk po i çon njeri para drejtësisë. Imagjinoni si-kur Drejtori i sotëm i Monumenteve të Sarandës të dërgojë një shkrese ku të kërkojë ndjekje penale për këta persona. Një ironi shumë e madhe ku letërshkruesi ka prishur vetë të gjitha ndërtesat historike të Sarandës apo ka dhënë leje për pallate shu-më katëshe në zonën arkeologjike të qytetit.

Jo shumë larg kodrës që rrafshohej sot me ekskavator ndodheshin Tumat e Bajkajt, monumente me rëndësi europiane të cilat para nja dy vjetësh u rrafshuan me traktor për të hapur rrugën e re që kalon nga kjo anë. Në atë kohë i shkrova Ministrisë së Kulturës. Fola edhe me arkeologun në krye të Trashëgimisë dhe rezultati ishte që Tumat e Bajkajt na lanë shëndenë duke u shkulur një herë e mirë nga barbarët e sotëm me kollare. Zona e mrekullueshme Bajkajt, Vergoit, Tatzatit e deri në Skërficë është e mbushur me monumente të kulturës të cilat janë lënë në mëshirë të fatit nga institucionet tona të kulturës. Këto monumente të braktisura mund t’i përdorë kushdo për gurë ndërtimi, t’i shkatërrojë me dinamit apo t’i shembë me ekskavator në kërkim të thesareve antike.
Sot një tjetër monument i mrekullueshëm po na lë shëndenë pasi askush nuk çan kokën për t’i ndaluar dorën këtyre vrastarëve të Tra-shëgimisë shqiptare. Edhe pse policia e zonës e di mirë se kush janë autorët e kësaj masakre as-kush deri më tani nuk është përgjigjur për këtë shkatërrim.
Me sa duket Frëngjyza, së-mundja e tmerrshme që Faiku i Konicës kishte frikë se po rrënonte mendjen e administratës shqiptare të para 100 vjetëve vazhdon ende të rrënojë edhe sot mendjen e atyre që ruajnë trashëgiminë tonë.