SHKODËR, HEC-I I ASHTËS NË PRAG FINALIZIMI

Nga Dorjan
Shkruar ne 16 Apr 2012 ora 5:09pm

Është bërë të hënën hapja e argjinaturës së Spatharit, e cila furnizon hidrocentralin më të ri në kaskadën e Drinit, atë të Ashtës. Specialistët që punojnë në ndërtimin e kësaj vepre  shprehen se hidrocentrali mbështet sigurinë e furnizimit me energji të sistemit, redukton importet e energjisë dhe ka ndikim tepër të moderuar në natyrë. Inxhinier Genc Gjeçi përgjegjës teknik në HEC Ashta shprehet hapja e digës së Spatharit shwnon një hap të rëndësishëm pasi janë fazat e fundit të punimeve që po bëhen.

E vetmja strukturë e cila mund të parandalonte ujin nga rrjedha e tij drejt Ashtës është argjinatura mbrojtëse ndërtuar nga kinezët qysh në vitin 1970. Hapi i parë për vënien në punë të hidrocentralit Ashta 1 do të jetë prishja e kësaj argjinature, duke mundësuar që uji të kalojë në zonën e paracaktuar  dhe të arrijë stacionin elektrik të stacionit Ashta 1. Hapi tjetër në vijim do të jetë vënia në punë në kushtet e pranisë së ujit si dhe sinkronizimi i parë i një gjeneratori (lidhur me prodhimin e parë të energjisë elektrike) planifikuar gjatë mesit të muajit maj.

Diga e HEC-it

Hidrocentrali i Ashtës është i ndarë në dy pjesë: energjia elektrike do të prodhohet në Ashta 1 ku tre dekada më parë është ndërtuar rezervuari i Spatharës dhe sistemi i vogël i vaditjes për sektorin bujqësor. Prurjet deri në 560 m3 ujë për sekondë do të furnizojnë jo turbina të zakonshme, por 45 turbina Matrix. Në vend të një turbine të madhe, kjo teknologji e re vë në punë disa turbina të vogla. Si rezultat mund të shfrytëzohen edhe rrymat e vogla të ujit duke rritur kështu efiçencën. Hidrocentrali Ashta do bëjë të mundur furnizimin me energji elektrike për rreth 100 000 familje.