Shkodër, zbulohet një varr rrëzë kalasë, mendohet 193-vjeçar.

Nga Dinejda
Shkruar ne 29 Mar 2012 ora 10:03pm

SHKODËR – Gjatë punimeve të nisura prej disa ditësh rrëzë Kalasë së “Rozafës”, për sistemin e sheshit përpara Xhamisë së Plumbit, në lagjen Qafë, një tjetër objekt ka tërhequr sot vëmendjen e komunitetit shkodran.

Sipas Myftiut të Shkodrës, Imam Muhamet Sytari, i cili po ndjek nga afër gërmimet në këtë zonë, ku mendohet se ka gjurmë të hershme të trashëgimisë islame, objekti në fjalë është një pllakë varri, me mbishkrimin, Tahir Dani dhe që i përket shumë viteve më parë.

Imam Sytari thotë se kemi të bëjmë me gjurmët e një varri 193- vjeçar, i cili ka karakteristikat e kohës së tij, me gurë të gdhendur ,që janë gjetur edhe në zona të tjera të qytetit. Lagja Qafë, e shtrirë rrëzë kalasë së lashtë “Rozafa”, e konsideruar me një traditë hershme të trashëgimisë kulturore, parashikohet të ketë në brendësi të saj relike dhe vlera të hershme, që dëshmojë jetën e komuniteti të qyteti verior, në këtë pjesë të qytetit, në një periudhë të hershme.

Një projekt i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Institutit të Monumenteve të Kulturës dhe Parkut Arkeologjik të Shkodrës, mbështetur nga Ambasada Polake, bëri të mundur verën e kaluar studimin dhe disa gërmime arkeologjike, ku u zbuluan gjurmë të objekteve, në afërsi të Xhamisë së Plumbit.

Të mbuluara me materiale plastike dhe mjete të tjera profesionale, ato presin mbërritjen e grupit të arkeologëve për fazën e dytë të gërmimeve, por ndërkohë, spontanisht, duke gërmuar në një territor tjetër të lagjes Qafë rrëzë kalasë Rozafa janë gjendur shenjat e objekteve të tjerë të vjetër që përbëjnë interes për historinë e Shkodrës.

Gjatë gërmimeve u zbuluan fillimisht themelet e Xhamisë së Qafës, që sipas drejtuesve të komunitetit mysliman të Shkodrës, daton me vitin 1473

Rastet e njëpasnjëshme të zbuluara nga gërmimet spontane, në lagjen Qafë rrëzë Kalasë “Rozafa”, në afërsi të Xhamisë së Plumbit, për Myftinë e Shkodrës, Muhamet Sytari, janë për t’u pasur në konsideratë, ndaj edhe kërkon vëmendjen e duhur të strukturave përkatëse për të bashkëpunuar në ecurinë e gërmimeve, pasi është i bindur se në vazhdim do të dalin në dritë edhe elementë të tjerë shumë të rëndësishëm të historisë së qytetit të Shkodrës.