Shkrimtarët shqiptarë prezantojnë letërsinë shqipe në Shkup

Nga Dorjan
Shkruar ne 25 Pri 2012 ora 3:49pm

Shkrimtarët Zija Çelën, Visar Zhitin, Bardhyl London, Moikom Zeqon dhe Parid Teferiçin do të prezantojnë letërsinë shqipe në Panairin Ndërkombëtar të Librit “Shkup 2012″, të çelur ditën e djeshme.

Ky eveniment i cili tashmë prej vitesh ka krijuar traditë dhe jehonë në jetën kulturore në Gadishullin e Ballkanit, ka mirëpritur në hapësirën e ti, ndër të tjera edhe  emrat e letrave shqipe të cilët përgjatë ditëve që do të mbahet ky panair do të jenë të angazhuar në shumë veprimtari dhe konferenca, si në ambientet e panairit ashtu edhe me studiues, pedagogë e studentë të Universiteteve të Shkupit dhe Tetovës.

Lexuesi shqiptar dhe ai maqedonas tashmë nëpërmjet evenimenteve të tilla do të ketë rastin të komunikojë me autorët shqiptarë jo vetë nëpërmjet botimeve të ndryshme dhe literaturës, por njëkohësisht edhe në mënyrë të drejtpërdrejtë, nëpërmjet takimeve të ndryshme të cilat do të ndikojnë për një njohje dhe promovim më të thellë të vlerave më përfaqësuese të kulturës së shkruar shqipe.

Botues nga Maqedonia, Shqipëria Kroacia, Sllovenia, Bullgaria, Turqia, Italia, Serbia dhe Bosnja e Hercegovina do të prezantohen në Panairin e 24-t ndërkombëtar të librit në Shkup, i cili do të mbahet deri në 29 prill.

Në kuadër të 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, krahas organizimit të shumë veprimtarive me rëndësi në drejtim të promovimit të identitetit tone kulturor e kombëtar, ka mbështetur pjesëmarrjen e disa prej emrave të letërsisë bashkëkohore shqipe, si edhe një hapësirë të konsiderueshme për botimet shqiptare, të cilët këtë vit do të jenë pjesë përbërëse e Panairit Ndërkombëtar të Librit “Shkup 2012″.