Shpërthen Cana: Mashtrojnë me emrin tim!

Nga Dorjan
Shkruar ne 21 Mar 2012 ora 3:16pm

Lorik Cana ka shpërthyer shumë rëndë në akuza ndaj mediave shqiptare dhe të gjithë atyre që abuzojnë me emrin e tij në rrjetet sociale. Futbollisti shqiptar që aktivizohet me Lazio-n, një ditë më parë përmendej në mediat shqiptare se po kërkonte një tjetër skuadër në fund të sezonit, pasi te Lazio nuk kishte hapësira.

Por vetë Cana, në një intervistë të dhënë për “Lazio Style Radio” ka hedhur poshtë çdo deklaratë të dalë në emër të tij dhe ka treguar se ai ka një akord me klubin italian për të mos folur rreth skuadrës për mediat me përjashtim të vetë faqes së klubit apo radios.

“Sapo i kam lexuar këto gjëra dh ndodhin shpesh sidomos në Shqipëri. Nuk kemi shumë lojtarë që luajnë në nivel ndërkombëtar. Jemi 3 apo 4 që ndiqen vazhdimisht nga shtypi. E vetmja gjë që mund të them është që intervista e fundit që kam dhënë atje është e shumë kohëve më parë dhe nuk flas kurrë për Lazion për shkak të akordit të brendshëm që kam me drejtuesit e skuadrës”.

“Lazio është një klub serioz dhe unë nuk flas kurrë pa marrë autorizimin e tyre. Prandaj kur nuk ka diçka zyrtare në faqen e internetit të Lazio-s apo në radio, do të thotë se nuk është e vërtetë. Nuk kam nevojë të them më shumë”.

“Unë, ashtu si shumë lojtarë të tjerë, nuk kam faqe zyrtare, apo Twitter. Njerëzit duhet të bëjnë kujdes me atë që duhet të besojnë dhe atë që nuk duhet të besojnë. Edhe ne lojtarët nuk duam të bëjmë një figurë të keqe dhe nëse i themi klubit që nuk flasim, duhet të sillemi si profesionistë dhe të respektojmë këto rregulla”, ishte shpërthimi i Canës.

Futbollisti shqiptar ka lënë pas dëmtimin që e bëri të qëndronte pushim për rreth dy muaj dhe tani po përqendrohet që të kthehet sa më parë në fushë, mundësisht që në ndeshjen e kësaj fundjave kundër Cagliari-t.