Shpëtimi i hebrenjve nga Shqipëria, një libër në serbokroatisht

Nga Dinejda
Shkruar ne 06 Qer 2012 ora 5:26pm

TIRANË- Në kuadër të aktiviteteve lidhur me 100-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë u promovua në Sarajevë botimi në serbokroatisht i librit “Shpëtimi në Shqipëri” të autorit Harver Sarner dhe dokumentari me të njëjtin titull i autorëve nga Prishtina, Alush Gashi dhe Dardan Islami.

Aktivitetin e hapi Kryetari i Bashkësisë Hebreje i Bosnje dhe Hercegovinës, Jakob Finci, i cili ndër të tjera shprehu nderimin dhe falenderimin për popullin shqiptar për gjithë çfarë ka bërë për shpëtimin e hebrenjve në Shqipëri dhe Kosovë gjatë Luftës së Dytë Botërore. 

Ambasadori i Shqipërisë në Bosnje Hercegovinë, Flamur Gashi, gjatë fjalës së tij tha se për gjithë çfarë kanë bërë shqiptarët për hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore në fakte dhe shifra dëshmohet në librin “Shpëtimi në Shqipëri” i Sarner dhe në dokumentarin po me të njëjtin titull të autorëve Gashi e Islami.

“Dua të falënderoj të gjithë miqtë e popullit shqiptar që ndihmuan në këto njëqind vjet pavarësi, në konsolidimin dhe forcimin e shtetit shqiptar, lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, si dhe ndihmën që po japin në rrugëtimin e të gjithë shqiptarëve drejt Bashkimit Europian”, tha Gashi.

Në këtë aktivitet morën pjesë elita intelektuale e Bosnje Hercegovinës, përfaqësues të trupit diplomatik, të institucioneve shtetërore, të mediave si dhe pjesëtarë të bashkësisë shqiptare dhe te bashkësisë hebreje në Bosnje dhe Hercegovinë.

Në përfundim të aktivitetit të pranishmëve ju dhuruan 120 kopje në gjuhën kroato-boshnjake të librit “Shpëtimi në Shqipëri” si dhe disa kopje të dokumentarit. Promovimi i librit dhe dokumentarit u organizua nga Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Sarajevë në bashkëpunim me Bashkësinë Hebreje të Bosnje dhe Hercegovinës.